E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, "pro" prefekturës për këshillin bashkiak

Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës lë në fuqi vendimin e prefekturës për kreun e këshillit bashkiak të qytetit. Gjyqtari i çështjes ka vendosur që Arben Sinani, që i përket forcës së LSI-së të vazhdojë të jetë kreu i këshillit bashkiak dhe të mos njihet legjitimiteti i kreut të sapozgjedhur, Kujtim Sulçe, përfaqësues i PS-së. Gjykatësi ka theksuar se vetëm prefektura ka atributet ligjore në lidhje me vendimmarrjen e përcaktimit të ligjshmërisë. Ai është ndalur më pas në procedurat e ndjekura në këshillin bashkiak të datës 24 shtator të këtij viti që pasoi me ndryshimin e kryetarit. Për këtë të fundit, drejtuesi i seancës tha se janë shkelur aktet administrative, të cilat parashikon Kushtetuta për këtë, pavarësisht se është pretenduar zbatimi i rregullores së brendshme të këshillit. "Personi i shkarkuar nuk është njoftuar më parë për këtë, si dhe nuk është shprehur qartë motivacioni i përdorur", ka thënë kreu i seancës. Në lidhje me zgjedhjen e kryetarit Kujtim Sulçe dhe drejtimin e seancës nga ai, gjykatësi ka thënë se janë shkelur procedurat ligjore. Ai argumentoi se kur nuk është prezenca e kryetarit dhe nënkryetarit, mbledhja drejtohet nga këshilltari më i moshuar, procedura që fillimisht janë ndjekur në këshill, por pastaj mbledhja ka vijuar nën drejtimin e Sulçes, pozicionimi i të cilit nuk përshkruhet në rregulloren e brendshme të këshillit. Gjykata nuk ka njohur as vendimet e këshillit, vendime të cilat kishte ankimuar prefektura. Menjëherë pas seancës, Kujtim Sulçe, i cili që prej fundit të shtatorit të këtij viti drejton Këshillin Bashkiak të Vlorës. Ai e ka cilësuar vendimin e drejtuesit të seancës politike. Sipas tij, prefekti kishte njohur një nga vendimet e firmosura nga Sulçe, por jo të tjerat, çka reflekton gjykimin e tij mbi bazën e dy standardeve. "Gjykimi i sotëm i referohet mbledhjes së këshillit bashkiak të muajit shtator, mbledhje kjo që u braktis nga grupi i këshilltarëve të djathtë, si dhe nga kryetari Arben Sinani, që i përket forcës së LSI", ka thënë Sulçe. Sipas tij, braktisja dy herë radhazi e seancës nga kryetari ka bërë që shumica e mbetur nëpërmjet mocionit të mosbesimit ta shkarkojë, duke e zëvendësuar me socialistin Kujtim Sulçe. Pranë prefekturës së qarkut, nga 9 projektvendimet e mbledhjes në fjalë, janë quajtur të ligjshme vetëm tre të parat, ndërsa nuk është njohur kryetari i zgjedhur, Sulçe. Gjykata dje ka favorizuar qëndrimin e prefekturës, duke i dhënë gjithashtu palës tjetër të ankimohet, sipas procedurave.

M.Marsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›