Blegtoria si pjesë e ndryshimit
Nga Çezar Agimi
Zhvillimi pozitiv i blegtorisë gjatë viteve 2005 - 2009 do të jetë i tillë edhe në vitet që pasojnë. Në vitin 2005 bujqësia në tërësi, por edhe blegtoria në veçanti, ishin në gjendje amullie totale, në gjendje thuajse të fjetur e pa rrugëdalje si rezultat i politikave internacionaliste të së majtës si rezultat i bllokimit të tregut vendas nga mallrat e importit. Ndërkohë sot, në vitin 2009, duhet thënë se ajo ka dalë nga kjo gjendje dhe po merr frymë lirisht . Ajo ka gjetur veten mjaft mirë falë politikave më se miqësore të Ministrisë së Bujqësisë ndaj fermerit shqiptar, si edhe theksit mjaft liberal të këtyre politikave ndaj parimeve të tregut të lirë.
Disa nga arritjet kryesore në blegtori
Pavarësisht rënies së numrit të krerëve në gjedhë e në bagëtitë e imta, së pari si rezultat i migrimit të popullsisë fshatare e së dyti si rezultat i politikave jo fort të hapura ndaj fshatit prej qeverive të mëparshme, pas vitit 2005 vihen re mjaft dukuri pozitive, si:
Rritja e numrit të krerëve brenda një ferme si në lopë, të imta etj. Kjo ka bërë që pas vitit 2005 të kemi rritjen e konsistencës së fermës blegtorale nga 14% në lopët e qumështit e deri në 64% në fermën me dhi pëlleja.
Sot, një fermë me bagëti të imta ka mesatarisht 24 krerë dele pëlleja dhe 23 krerë dhi pëlleja kur në vitin 2005 ka pasur respektivisht 17 dhe 14 krerë.
Kjo tregon për konsolidimin jo vetëm të fermës së bagëtive të imta, por edhe të mendësisë së fermerëve në raport me tregun dhe pronën e tyre në veçanti.
Kjo dukuri ka bërë që ne tashmë të kemi më shumë ferma për treg, të paktën në lopë 3 - 4 herë po kështu në derra, të imta etj. Rritja e numrit të fermave për treg ka sjellë jo vetëm fillimin e specializimit brenda fermës blegtorale, por edhe menaxhimin më të mirë të tyre për mbarështimin në kushte teknike të kohës, e cila ka rritur përgjegjësinë e fermerëve ndaj prodhimit të tyre blegtoral për treg.
Për ta shprehur këtë dukuri mjafton të themi se në rast se në vitin 2005 ne kishim vetëm 0.3-0.5% të fermave me mbi 5 krerë lopë, sot ato përbëjnë gati 2% të tyre, çka flet për qasjen gjithnjë e më të mirë të fermerëve ndaj politikave të Ministrisë së Bujqësisë në këtë aspekt mjaft të rëndësishëm.
Nuk ka dyshim se rritja e përgjegjësisë ndaj fermës dhe pronës së tij e detyron fermerin që t’i drejtohet gjithnjë e më shpesh bashkëpunimit me strukturat e këshillimit teknik të Ministrisë së Bujqësisë në bazë mbi bazën e përfitimit reciprok dhe nevojave që ata kanë për njeri-tjetrin.
Tashmë, blegtoria shqiptare, si rezultat i dukurisë të përqendrimit, pavarësisht se është në hapat e para të tij, po shkon të mbarështohet në më pak ferma, me tendencë drejt fermerëve të cilët e kanë mbarështuar atë tradicionalisht, e njohin qysh herët atë dhe e kanë rizgjedhur si alternativën e tyre të së ardhmes në rrugën e gjatë të ekonomisë së lirë të tregut në vendin tonë.
Kjo gjë vërehet më së shumti në bagëtitë e imta e më tepër në rrethet e jugut të vendit, aty ku edhe tradita e mbarështimit të tyre ka qenë më e theksuar falë edhe prodhimeve tradicionale të djathit, mishit në hell etj.
Lidhur me kthimin e traditës duhet theksuar se treguesi kryesor i saj është shtimi i numrit të fermave me mbi 300 krerë dele e dhi pëlleja. Ferma të tilla kanë marrë përsipër me shumë guxim të ballafaqohen me fenomenet e tregut e duket se po ia dalin mbanë me shumë sukses.
Barinj të tillë para 3-4 vjetësh thuajse nuk mund të gjeje, por sot ata i gjen në Sarandë - Konispol , Gjirokastër, Devoll të Korçës , Velipojë të Shkodrës, në Has etj. Bile në Vlorë e Konispol gjen sot jo pak tufa edhe me 600-700 krerë. Kjo i bën ata të jenë objekte të studimit të politikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe efektivitetit të tyre në prodhimin e gjerë.
Një sukses i padiskutueshëm në politikat e Ministrisë së Bujqësisë ka qene edhe aplikimi për herë të parë e me shumë sukses i skemave të mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit në sektorin e blegtorisë.
Suksesi ishte i madh, sepse mbështetja ishte direkt tek fermeri që kishte aplikuar. Këto skema kanë qenë mjaft të thjeshta, jo vetëm në aplikimin e tyre prej fermerëve, por edhe në të qenit shumë transparente e të thjeshta për t’u matur e zbatuar nga të gjitha palët e përfshira në to.
Falë sa më sipër, rezultati i zbatimit të tyre ka qenë i shkëlqyer dhe interesimi i fermerëve për të aplikuar për vitin 2009 ka qenë shumë i madh, të paktën 2-3 herë më shumë se një vit më para.
Rritja e rendimenteve të qumështit për lopë foragjere, dele e dhi pëlleja në vitin 2008 krahasuar me vitin 2005 ka qenë respektivisht me 11%, 8% dhe 17%. Gjithsesi, ato kanë prirje të rriten në mënyrë graduale e të qëndrueshme, pavarësisht nivelit ende të ulët, veçanërisht në lopë. Në rritjen e rendimentit të qumështit në lopë nuk ka dyshim se kanë pasur ndikim mjaft pozitiv edhe politikat e Ministrisë së Bujqësisë në liberalizimin e inseminimit artificial të lopëve, ku në vitin 2008 numri i lopëve nën inseminim artificial përbën 61% të lopëve gjithsej, krahasuar me vetëm 42% që ishte në vitin 2005.
Rritja e çmimit të shitjes së qumështit e mishit, direkt në fermë, në krahasim me vitin 2005 në vitin 2009 është të paktën 20%. Kjo ka bërë që fermerët të rrisin ndjeshëm të ardhurat, duke i çuar ata drejt njohjes reale të vlerave të blegtorisë që ata menaxhojnë e që deri para 3-4 vjetësh nuk ishin në gjendje t’i menaxhonin ato si rezultat i politikave monopoliste të ndjekura deri atëherë ndaj prodhimit tradicional vendas. Më e dukshme kjo shprehet në gjedhë e në të imta...
Gjatë vitit 2008 ka ndryshuar edhe sasia në vlerë e prodhimeve blegtorale të eksportuara në vendet e rajonit e më gjerë. Kjo ka bërë të mundur që në këtë rast të ndryshojë edhe pesha specifike e eksporteve, jo vetëm në raport me importet, por edhe me eksportet bujqësore në tërësi.
Kështu raporti eksport-import në vitin 2007 ka qenë 1me 20, ndërkohë që në vitin 2008 ai ka qenë 1 me 11 ose është zvogëluar gati 2 herë. Pesha specifike e eksport-importeve blegtorale ndaj sasisë gjithsej si bujqësi ka qenë:
Emërtimi eksporti importi
a. viti 2007 5% 12%
b. 2008 14% 12%
Këto ishin disa nga dukuritë kryesore që vihen re në zhvillimin e blegtorisë gjatë 3-4 viteve të fundit, kur vendi qeveriset nga qeveria demokratike.
Ndërkohë, në të ardhmen do të ketë edhe të tjera dukuri pozitive, si rezultat i politikave të drejta sektoriale të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit e Mbrojtjes së Konsumatorit për të ecur më tej në rrugën e gjatë të ekonomisë së tregut të lirë, sepse Shqipëria tradicionalisht ka qenë një vend blegtoral ku të ardhurat që realizohen nga ky sektor, arrijnë në rreth 56% të të ardhurave që realizon e gjithë bujqësia.