E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur trupat flasin!



Nga imazhi koreografik tek një histori e dhimbshme - Ato rindërtuan “logosin” e tregimit të mirënjohur të Migjenit, duke lëshuar një tufë drite bash mu në bulbin e tij: tek shpërdorimi i dashurisë, i martesës, i trupit, i shpirtit, kur djajtë e varfërisë, prostitucionit, parasë, dhunës, bjerrjes morale, dëshpërimit të tejcaktë dhe teprive prej naivitetit, e kthejnë vetë ëndrrën dhe bukurinë e pafajshme në zhgjëndërr, makth dhe shëmti

Kur trupat flasin!

Kam pasur rastin të ndjek e përcjell disa nga krijimet koreografike të Gjergj Prevazit, drejtuesit të “Albania Dance&Theatre Company”, një grup artistësh të rinj, ky që çapon në udhën e vështirë të përsosjes. Qysh pas viteve ’90 ai u shfaq si mëtues pasional që, në boshësinë e përvojës sonë historike, rreket të ngulitë (thënë më mirë, të “mbjellë”) fidanin e munguar të dancit modern e postmodern në Shqipëri. Gjergji, nga të paktit, ndoshta i pari “luterian” i thyerjes së “kodit të shenjtë” të koreografisë klasike, mundëson gjithnjë e më mirë artikulimin në skenë të një gjuhe të re të trupit, ku nuk përfshihet vetëm dhe përjashtimisht lëvizja tashmë tejet konvencionale dhe e kodifikuar e balerinëve përputhur disa “klisheve” të mirënjohura dhe që rrjedha e kohës i ka çuar mbrothtësisht gjer në përsosje. Përkundrazi, pa i anashkaluar ato (dhe tipologjinë që përfaqësojnë), brenda konceptit të tij mbi artin, ai duket se e ka hedhur tashmë farën e këtij zhanri të ri në baletin shqiptar, si fillimtar i tij. Dhe fara, kur bie në tokë të etur e pjellore, doemos që do të mbijë, do të rritet. Pse jo, edhe korrje të mbara do të japë. Do të kujtoja këtu produksionet “Tranzicion” dhe “Kontrast” në vitet 2000 dhe 2003, dhe më pas “Njeriu në këllëf”, “Parfumi”, “Këpucët me zile”, sikurse edhe disa trajtime koreografike tejet ekspresive në shfaqje të tilla teatrore si “Opera për tre grosh”, “Medea” etj.

... Porsa kam parë shfaqjen e tij “Lukja” këtu në Durrës, në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar Bashkëkohor të Danc-Teatrit, 2009. Dhe sikundër rëndom i ngjet kritikut, emocioni i përftuar grish mendimin, kurse ky i fundit shndërrohet në argument.

Qysh në krye të herës e çmova këtë shfaqje si një sukses të merituar. Madje-madje m’u duk ndër punët më të lumnueshme, jo enkas të Gjergjit, por ca më tutje tij. E tëra ishte si një kurm i hijshëm estetik, koreografik, e pllenuar me ide të qarta dhe të lexueshme, me vegime, dritë-hije dhe dinamizëm. Lëvizja dhe krejt trupi i valltareve në shtjellën e tyre nuk kryente vetëm një aktrim koreografik teknik e formal, atë që mund ta quajmë mjeshtëri, bukuri dhe hir skenik, por bëhej pjesë e natyrshme e shprehimësisë së mendimit koreografik të Gj. Prevazit, bartte ide të caktuara, krijonte asociacione aq të dobishme për t’u dhënë atyre, pra trupit dhe lëvizjeve, një “gjuhë”. Pikërisht kjo “gjuhë” gjeti morfologjinë e saj vizuale tek, përmes dhe falë vallëzimit të bukur të Sueda Hoxhës, Elton Çefës, Milena Nurkës, Aledia Kondajt, Filomena Garganos, Fatjon Sulstarovës. Trupat dhe lëvizjet e tyre “folën”. Folën sepse “fliste” ideja koreografike e Gjergj Prevazit, e cila ishte ashtu e qartë, ashtu e njësuar, ashtu domethënëse. Paçka se shtysa filologjike e kësaj performance vinte prej tregimit të njohur të Migjenit “Historia e njanës nga ato”, spektatori thuajse nuk kishte nevojë për ndërmjetësimin e një rezymeje (posteri) hyrëse para shfaqjes. Jo. Mendimi vezullonte aty. Ti e shihje atë. Ai gati sikur shqiptohej. Ndaj edhe fjala ish e tepërt, sepse trupi dhe lëvizja qenë bërë “fjalë”. Ato rindërtuan “logosin” e tregimit të mirënjohur të Migjenit duke lëshuar një tufë drite bash mu në bulbin e tij: tek shpërdorimi i dashurisë, i martesës, i trupit, i shpirtit, kur djajtë e varfërisë, prostitucionit, parasë, dhunës, bjerrjes morale, dëshpërimit të tejcaktë dhe teprive prej naivitetit e kthejnë vetë ëndrrën dhe bukurinë e pafajshme në zhgjëndërr, makth dhe shëmti.

...Një vajzë na shfaqet në skenë. Tymos. Duket se kalamendet “udhëve të pista të qytetit tonë”. Terr. Ndez diku një flakëz. Prej gjoksit të saj bien do pare të pista në tokë. Paret e kurmit të saj të ri, të shtrydhur, të ndragur e të ndotur nga prostituimi. Ne e kemi kapur sakaq fillin subjektor: ekstravaganca e një “femre rrugësh” fsheh pas atyre gjesteve dëshpërimin. Humbjen e dritës. Një tjetër vashë rrugësh përsërit gjestin-lajtmotiv të ngritjes dhe ngulfatjes së gjinjve. (Dikur, kur gjinjtë e saj shpërthenin me kreni, e dojshin shumë zotni – do të këlthiste Migjeni). Dhe trupi i ndotur nga mëkati lahet jo në një vaskë, por në një fuçi plastike. A është vallë një “katharsis”? Jo, aspak. Sepse ajo fuçi plastike e shndërron në të kundërt efektin poetik dhe hipnotik të katharsisit. Diku përtej ajo të kujton, pse jo, edhe një kosh plehrash. I njëjti veprim i larjes përsëritet edhe në fund, tashmë i shoqëruar nga zhurmërima e shiut që bie. Shiu i Zotit apo i Natyrës, e ç‘rëndësi ka. Vajza zhytet e sikur mbytet aty. Dhe dritat teriten. Koreografit sikur i vjen keq për fatin e mijëra vajzave shqiptare që bartin mbi shpinë gjithpo atë fat si të Lukes: ndonjëra nëpër ritualet poshtëruese të shtëpive publike apo nëpër asfaltet e periferive të qytetit në pritje të klientëve me makina, ndonjë tjetër që trupin e shitur në tregun seksual e shndërron në biznes dhe fitim të paskrupullt, më tutje dikush edhe më pa cipë që kalon nga flirti i trupit në flirtin e pashërueshëm të shpirtit duke e shndërruar “Canti Cantorumin” solomnian e biblik të dashurisë në një “kuak-kuak” kënetash dhe pellgjesh të molepsura. Dhe lulja vyshket, shkelet dhe bëhet pleh. Ky cirkus tragjik i dashurive të shpërdoruara në imazhin koreografik të Prevazit vjen si një plagë e hapur që dhëmb. Doemos ka aty edhe ironi, por më fort mua më dhembi posaçërisht ky fatalitet që e tejkalon kohën dhe shekullin e Migjenit duke u bërë ca më egërshan dhe i pafytyrë sot, ulur këmbëkryq në odat tona. Kurse muzika sikur pikon e pikon... pikëllim pa fund...

...Veprimi shkon më tutje. Heroina jonë, Lukja, e martuar. Ose ato që ngjajnë me Luken migjeniane, shkarapetur në fatin e tyre të trishtë. Janë simotrat e saj nëpër qendrat e sotme urbane të Shqipërisë. Janë ato që vijnë nga metropolet evropiane në qytetet shkretane të periferive, zhytur në pezëm, frikë dhe makth. Janë gratë e dhunuara nga burrat e dehur, të vrazhdët, të papërgjegjshëm. Dhe rrahje, grindje, sharje... Tek ky episod është ndërtuar një kundërshti e ngopur me mendim. Nga njëra anë grindja sfilitëse burrë-grua në rrokullimë, nga ana tjetër një çift të dashuruarish në apoteozën e saj, kur lulëzon gjithçka dhe gjithçka kthehet në poezi, blatim, dëlirësi. Një kontrast koreografik që përpjek dhe, në të njëjtën kohë, përpuq të pistën me të pastërtën, të vdirën me të dëlirën, të vrazhdtën me të butën, dramatiken me poetiken. Kjo antinomi ishte nga gjërat më mbresëlënëse të shfaqjes. Semiotika e lëvizjes më dukej këtu më e plotë, e ardhur jo vetëm pas një frymëzimi apo improvizimi rastësor, por si rrjedhojë e një sërenditjeje të mirëmenduar të vetë idesë përshkonjëse të shfaqjes. Në këtë mënyrë na u dhanë në ndërkohjen e veprimit të saj dukuritë kontradiktore të të njëjtit raport dashuror (dhe bashkëshortor) midis mashkullit dhe femrës: domethënë, të asaj që ëndërrojmë dhe të asaj që realisht jemi, të bukurës dhe të shëmtuarës, synimit të pastër dhe përfundimit banal e të rëndomtë. Kuptimësime të tjera në një valëzim të këtillë kontrapunktesh ne mund të numëronim ende, por mua më befasoi momenti kur pranëvendosen: a) çifti i ëndërruar me dy kurorat mbi krye dhe shiritin e bardhë që i bashkonte ata dhe b) vajza si alterego a kipc, e cila e rrëmben dhe e bën copë e çikë atë kurorë martesore, simbolin e pastërtisë, lumturisë dhe raportit monogam, duke na ardhur aq keq për përpëlimën e saj, vuajtjen, dëshpërimin, gjer edhe histerinë. Një gjetje vërtet e bukur! Jo aq falë paradoksit të krijuar se sa dramacitetit të gjendjes shpirtërore. Është po ajo qenie, tashmë dykahëshe: idilike dhe nevrotike, e pastër dhe e përbaltur, e brylltë dhe e zhgryer, si “qielli i shtatë” (parajësor) dhe si “rrethi i nëntë” (skëterror). Dhe muzika sërish pikonte... pikëllim... Një pikëllim që vinte, edhe në këtë rast, si pasojë e kontrapunktit: kënga me motive dasme çamiko “Hidhe vallen shtruaro”, teksa shpirti ther e dasma bëhet ferr. Nuk di pse më la mbresë jo të mirë lëshimi i parave nga vetë dora e “nuses”, në çastin e lumturisë së saj. Para që e bëjnë “pis” apoteozën e këtij çasti. Prevazi ngulmon se veprimi është rrjedha logjike e shpërdorimit të dashurisë, e “blerjes”, që sjell më pas grindjen dhe zhbërjen. Katër identitetet e vajzave në skenë s’janë veçse NJË person, i përthyer në katër gjendje, katër kohë dhe katër veprime. Doemos, brenda subjektit që vjen prej rrëfimit të Migjenit si dhe brenda konceptit gjithëpërfshirës të koreografit, e gjitha kjo ka një logjikë dhe argumenti i tij ta mbush mendjen. Por, në sensin e perceptimit, syri i shikuesit tanimë e kundron gjestin e sipërpërmendur si një gjësend jo aq funksional dhe jo aq koherent, pasi çiftit nusëror i është atribuuar sakaq vlera e virgjinitetit moral, e patosit liriko-erotik të dashurisë dhe e elegancës së veprimit (me lëvizjet e ngadalta plot përkujdesje, hijeshi e finesë).

Sa i takon stilit të interpretimit, shfaqja koreografike “Lukja” kishte shfrytëzuar të dyja burimet: edhe shëmbëllimet e moderuara klasike kur trupi dhe lëvizja u gjegjeshin disa strukturave të konsoliduara e të njohura, edhe shëmbëllimet e fundme kur trupi dhe lëvizja u gjegjeshin disa strukturave të tjera, tashmë të avancuara, që ftojnë për krijimin e impaktit të tyre me publikun një shumësi elementesh, të cilat s’ishin vetëm “klasike” , as vetëm lëvizje “kortezie”, por edhe nga ato të quajtura ndryshe “natyrale”, modelime që na kujtonin diçka të afërt me përditshmërinë tonë, natyrisht të përpunuara e të sofistikuara përputhur kodeve koreografike postmoderne. Sakaq, nuk mund të mos vihet në spikamë shkathtësia e lëvizjeve dhe forma e mirë trupore e valltareve, të cilat përcollën tek publiku një imazh të përpunuar koreografik.

Më në fund dua të diskutoj me drejtuesit e Teatrit të Baletit edhe një mendim, pa pretenduar se mund të jetë i paqortueshëm. Është fjala që në skenën e këtij teatri më shpesh mund të bujtin forma të këtilla koreografike konkurruese, të cilat do ta begatonin jo thjesht gjuhën, as vetëm shenjat artistike bashkëkohore të tij, por edhe repertorin, pse jo?! Unë e shoh me mjaft interes, për shembull, që kjo shfaqje (më vete apo e bashkuar me një simotër të këtij stili) të përfshihej organikisht në repertorin e teatrit. Të mos harrojmë se çdo formë a zhanër arti gjendet në shtjellën e vazhdueshme të përsosjes, evoluimit, pasurimit, ndërsa spektatori, i përfshirë edhe ai në ritmin e ndryshimit, i lipsen dhënë sipas parapëlqimeve të tij “ushqime” artistike të gjithfarta dhe jo vetëm po e njëjta “gjellë”, sado bukur mirë e gatuar qoftë ajo. Koncepti i “klasicizmit” apo “elitarizmit” të një arti, në rastin tonë i baletit, nuk ka si përjashton forma të tilla frutdhënëse duke i paragjykuar si “eksperimentime”, “modernizma”, “shenja jokoreografike”, “kiç-art“ apo emërtime të tjera spekulative. S’besoj se ka ende paragjykime kësisoj, së paku tek ata që e udhëheqin teatrin e baletit, të cilat pengojnë praninë e këtyre lloj performimeve. Nëse vërtet ka, kjo nuk lë pa vragë e golle vetë skenën e teatrit të baletit. Flasim ngaherë për ato performime që janë të suksesshme dhe të duartrokitura nga publiku. Pa qenë assesi në rolin e kumtuesit, nga ana tjetër më duhet të them se një mendim i tillë vjen dhe gjen përkrahje gjerësisht në mjaft njerëz me emër, që e njohin mirë këtë lami teatri. Shumë gjëra kanë lëvizur e ndryshuar. Edhe këtu mund të lëvizet e ndryshohet, pa u shndërruar me apo pa dashje në bastione klishesh të mortifikuara.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›