Gjykatësi Zaganjori ka votuar kundër pedagogut Zaganjori
Si pedagog citonte Gjykatën Kushtetuese gjermane që theksonte se opozita ka të drejtën për tu ankimuar, si gjykatës voton kundër mundësisë që opozita të bëjë ankimime. Dhe për ironi gjykatësit në pakicë me mendimin e shumicës i citojnë atij pikërisht Gjykatën Kushtetuese gjermane
Si pedagog është mbrojtës i zjarrtë i opozitës, por kur vjen puna në realitet, atëherë i del kundër asaj. Emisioni Fiks Fare ka denoncuar një vendim skandaloz të gjykatësit Xhezair Zaganjorit, që del kundër mendimit të pedagogut Xhezair Zaganjori.
Fiks Fare ka treguar një nga librat e tij për të drejtën Demokracia dhe shteti i së drejtës, ku Zaganjori me shumë pasion i referohet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në Gjermani, vend me të cilin ka lidhje të forta akademike e diplomatike. Në vendim thuhet se opozita ka të drejtën e pakufizuar për tu ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkeljet që i bëhen ligjit, pasi në njëfarë mënyre është ajo që duhet të jetë gardiane e shkeljeve të ligjit nga qeveria.
Opozita në Gjermani ka ditur ta shfrytëzojë mjaft mirë dhe me mjaft efekt këtë të drejtë. Duke bërë fjalë mbi këtë çështje, Raselhorn thekson: Po ti hiqej kjo e drejtë (pra po të hiqej e drejta e mundësisë së paraqitjes nga opozita në Gjykatën Kushtetuese të çështjeve lidhur me kushtetutshmërinë e ligjeve Xh.Z) klima ndërmjet pozitës dhe opozitës do të histerizohej. Përmes saj, opozita i kujton opozitës se në demokraci pushteti kufizohet me ligj, shkruan Zaganjori në libër.
Por vetëm para pak ditësh, vetë Zaganjori ka votuar kundër këtij parimi, kur ka vendosur se opozita nuk ka legjitimitet të ankohet për ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Ajo që është edhe më interesante është se në mendimin e pakicës, gjykatësit Sokol Berberi dhe Petri Plloçi citojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjermane, të cilin e kishte mbrojtur me shumë pasion Zaganjori kur ishte pedagog.
Vendimi
Para pak ditësh opozita u alarmua pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese kufizonte mundësitë e tyre për tu ankimuar në këtë gjykatë. Bëhej fjalë për një vendim që rrëzonte të drejtën e opozitës për tu ankimuar për prishjen e piramidës dhe ndërtimin aty të kompleksit të ri parlamentar. Pesë anëtarë të Kushtetuese votuan kundër opozitës. Ata ishin Bashkim Dedja, Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Fatmir Hoxha dhe Admir Thanza.
Nuk është e mjaftueshme për Gjykatën fakti që të dyja palët kundërshtare në procesin e konfliktit të kompetencave të pretendojnë interpretim ose zbatim të gabuar të ligjit ose Kushtetutës, por midis palëve duhet të ekzistojë një marrëdhënie juridike në kuptimin kushtetues dhe nga kjo marrëdhënie të kenë ardhur pasoja të tilla që të kenë shkaktuar mosmarrëveshjen midis tyre. Gjithashtu, thjesht fakti se dy bartës të kompetencave kushtetuese kanë mendime të ndryshme mbi kushtetutshmërinë e një akti normativ, nuk është shkak i mjaftueshëm për të konkluduar në ekzistencën e një konflikti të kompetencave. Përndryshe, nga çdo rast i kontrollit abstrakt ose konkret do të lindte një konflikt kompetence, çka nuk është e pajtueshme me funksionin e kontrollit kushtetues për këtë qëllim (Vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nr.34/2011). Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet në paraqitjen e kërkesës para kësaj Gjykate, thuhej në vendimin e tyre.
Kurse në pakicë ishin Vitore Tusha, Sokol Berberi, Altina Xhoxhaj, Petrit Plloçi. Berberi dhe Plloçi cituan vendimin e Kushtetueses në Gjermani.
Në këtë drejtim ka ecur dhe Gjykata Kushtetuese Gjermane (GJKGJ), e cila, nëpërmjet jurisprudencës së saj, ka mbrojtur vendosmërisht të drejtat e opozitës, në pozicionin e pakicës parlamentare . Kjo Gjykatë, ndër të tjera, është shprehur se një opozitë parlamentare efektive përbën një aspekt të rëndësishëm të parimit të ndarjes së pushteteve në një sistem politik ku i njëjti koalicion kontrollon si Parlamentin ashtu edhe Ekzekutivin, thuhet në mendimin e tyre.
Kundër opozitës
Por kundër opozitës Zaganjori ka votuar edhe kur është kërkuar të rrëzohet marrëveshja për ndarjen e ujërave detarë me Greqinë. Ai votoi kundër pranimit të kërkesës, por për fat kërkesa u miratua me votat e shumicës. Më pas, kur presioni u rrit, ai votoi kundër marrëveshjes, të cilën e kishte përgatitur vetë juridikisht. Ndërkohë, ai ka votuar kundër edhe për prishjen e piramidës si dhe pro heqjes së mandatit të deputetit për Ilir Beqjan.


