Gjykatësi francez: Shirak, në bankën e të akuzuarve
Një gjykatës francez ka urdhëruar ish-presidentin e Francës, Zhak Shirak, që të marrë pjesë në një gjyq për disa akuza ndaj tij. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të jetë hera e parë që një ish- lider i Francës moderne detyrohet që të mbrojë veten në gjyq. Shirak do të gjykohet për disa çështje korrupsioni, që kanë të bëjnë me periudhën kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Parisit. Ndërkaq vendimi i gjykatësit mund të apelohet dhe nëse kjo do të ndodhë, atëherë çështja mund të zgjasë dhe zvarritet për muaj të tërë. Shiraku është akuzuar herë pas here për korrupsion gjatë periudhës si kryebashkiak apo President i vendit, por asnjëherë ndaj tij nuk janë çelur çështje gjyqësore. Edhe për rastin në fjalë, ai është akuzuar dhe është çuar disa herë me radhë në prag të gjykimit, por pa sukses. Shumë politikanë francezë kanë pyetur veten se si do të ndikojë kjo çështje për imazhin e Francës. Aktualisht, në gjyq, është edhe ish-kryeministri i Shirakut, De Villepen, i akuzuar drejtpërsëdrejti nga Presidenti i vendit Sarkozi, për një komplot kundër tij vite më parë. Shiraku aktualisht është 76 vjeç dhe ka kohë që është akuzuar për nepotizëm dhe korrupsion. Deklarata e zëdhënësit të tij thotë se "ish-presidenti është i qetë si zakonisht për t‘u përballur me të gjitha problemet që do t‘i dalin"