E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev dënon Stalinin: Shkatërroi popullin e tij

Presidenti rus, Medvedev, në blogun e tij në uebsajtin e Kremlinit, ka shprehur mendimin në lidhje me një debat që vazhdon edhe sot e kësaj dite të ndajë rusët: figura e Stalinit. E ndërsa ka një grup njerëzish në Rusi që po përpiqen që të rehabilitojnë imazhin e tij jashtë vendit, Presidenti Medvedev deklaroi se ishte një gabim që të mbahej një qëndrim i butë ndaj dikujt që shkatërroi popullin e tij dhe dërgoi miliona të pafajshëm të vdisnin në kampet e përqendrimit. "Edhe sot e kësaj dite mund të dëgjosh njerëz të thonë se ato që ndodhën justifikohen nga qëllimet më të larta të qeverisë, por asgjë dhe askush nuk mund të vendoset mbi jetën e njeriut dhe se për represionin nuk mund të ketë asnjë justifikim", ka thënë Medvedev. Sipas tij, ishte shumë e rëndësishme që miliona viktimat e Stalinit të kujtoheshin dhe të nderoheshin. Fjalët e Medvedevit do të zemërojnë shumë rusë të vjetër, për të cilët njëri prej kriminelëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave vazhdon të jetë një hero që duhet adhuruar. Sipas tyre, ai ishte njeriu që mundi nazistët dhe e shndërroi vendin në një superfuqi. Mbështetësit e diktatorit janë bërë shumë më të gjallë dhe aktivë së fundi, duke ndërmarrë edhe një fushatë të përmirësimit të imazhit të tij në botë. Kështu tekstet e librave në shkolla e cilësojnë Stalinin një menaxher shumë të efektshëm të luftës dhe Bashkimit Sovjetik. Një murale e tij është rivendosur në metronë e Moskës dhe ai është cilësuar vjet si figura e tretë më e rëndësishme historike në Rusi. Medvedev duket se ka vendosur të jetë i prerë në këtë drejtim dhe ta thotë hapur mendimin e tij për Stalinin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›