E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatësi me veturë, lokale, vilë në Ulqin, shtëpi në Çagllavicë...

Me rreth dy milionë euro të përfituara përmes aktivitetit kriminal duke keqpërdorur zyrën e gjykatësit, Kolë Puka kishte blerë veturë, banesë, shtëpi, lokale si dhe vilë luksoze në Ulqin. Ai mundohej t’i fshihte ato duke kryer translacione fiktive me të afërmit në Australi, vëllain në Gjermani, shoqëruesin e vajzës dhe babanë e tij.

Një aktakuzë e re e prokurorit special Ali Rexha, e katërta në lidhje me Kolë Pukën, do të shpie përpara Gjykatës Themelore me akuza për shpërlaje parash babanë e ish-gjykatësit nga Klina, vëllain në Gjermani, një ish-shoqërues të vajzës dhe familjarë tjerë të tij nga Kosova e Australia.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte dënuar Kolë Pukën me 10 vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimit të zyrës së gjykatësit duke përfituar miliona euro. Po ashtu, gjatë vitit 2012, ai u dënua edhe nga Gjykata e Qarkut në Pejë për keqpërdorime shtesë të zyrës së gjykatësit dhe të 70 mijë eurove, me pesë vjet burg, shkruan gazeta “Jeta në Kosovë”.

Prokurori special Rexha nuk e kishte ndalë me kaq punën e tij në hetimin e ish-gjykatësit. Ai gjeti prova edhe për një aktakuzë e cila u konfirmua në Qarkun e Pejës me të cilën Puka akuzohet për shpërdorim të detyrës.
Por, sa më shumë që hetonte aq më shumë po dilnin fakte e prova të reja.

Dilnin edhe prona të shumta që ai i kishte bartur tek babai, vëllai ose kushërinjtë e tij. Këto ai i përfshiu në aktakuzën e deponuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, më 22 nëntor.

Të gjitha këto transaksione Kolë Puka i kishte kryer në kohën sa ai ishte gjykatës.
Ish-gjykatësi i fitonte paratë nga lëndët e vjetra të sigurimeve duke i mbajtur për vete e duke mos ua dhënë palëve i ndihmuar nga lufta dhe rrethana tjera të ndërlidhura me të. Kështu, ai mblodhi më shumë se 2 milionë euro.

Por çfarë bëri ai paratë ?

Prokurori jep një zgjidhje me anë të aktakuzës së tij të fundit në të cilin e akuzon Ilir Gegën, Kastriot Gegën, Zef Pukën (babai i Kolë Pukës), Kushtrim Ademin dhe Tomë Pukën (vëllai i Kolë Pukës) për veprën penale të shpëlarjes së parasë, e paraparë me Ligjin për parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimit të terrorizmit.
“Të pandehurit, duke ditur për të gjitha rrethanat, i kanë ndihmuar Kolë Pukës në atë mënyrë që pasurinë e tundshme dhe të patundshme, të përfituar nga mjetet financiare të përfituara me aktivitet kriminal, i kanë marrë në posedim duke mos i shfrytëzuar fare, në mënyrë që ta fshehin apo maskojnë mënyrën e përfitimit të pasurisë nga ana e Kolë Pukës”, thuhet në aktakuzën e prokurori special Rexha.

Vetura, vila në Ulqin, banesa

Ilir Gega jeton dhe vepron në Australi, por as largësia nuk e kishte penguar që ta ndihmonte Kolë Pukën.
Ai kishte bartur në emrin e tij një veturë të tipit Audi A6 të cilën Kolë Puka dhe anëtarët e tij të familjes kishin vazhduar ta përdornin.

I pandehuri më pas e kishte bartur veturën në emër të vëllait të tij, Kastriot Gegës, i pandehur tjetër në këtë lëndë.
Ilir Gega nuk e ndihmoi ish-gjykatësin vetëm me veturën. Ai më 9 mars të 2011-së kishte transferuar në emër të tij një vilë luksoze në Ulqin dhe një parcelë toke që më parë ishin në emër të Kolë Pukës.

Këtë vilë luksoze, siç përshkruhet në aktakuzë, dhe parcelën e tokës, Kolë Puka më parë e kishte transferuar në emër të babait të tij Zef Puka, me një padi gjyqësore në procedurë kontestimore.

Kastriot Gega, përveç që kishte marrë në emrin e tij veturën Audi A6, i ishte transferuar në emër tij nga Kushtrim Ademi (ish-dhëndër i Kolë Pukës) një banesë në sipërfaqe prej 72 metrash katror në Klinë.

Të pandehurit tani pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›