Vendim i duhur apo “budallallëk”

Dikush e konsideron si vendim të duhur moslejimin e presidentit serb Tomislav Nikoliq të vizitoi Kosovën. E dikush tjetër mendon se ky veprim i autoriteteve kosovare do ta dëmtoi dialogun në mes Prishtinës e Beogradit. Por, një analist kosovar shkon edhe më larg duke e quajtur budallallëk ndalesën që iu bë shefit të shtetit të Serbisë.
Analisti Nexhmedin Spahiu tha për Indeksonline se ndalimi i vizitës është mënyra më e mirë për t’i treguar Serbisë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare se për Kosovën ka kush merr vendime.
“Pas ndalimeve nga ana e Serbisë për zyrtarët e Kosovës, atëherë ky është një veprim i duhur i qeverisë së Kosovës” thotë Spahiu.
Ndonëse mendon ndryshe nga Spahiu, megjithatë është i matur në vlerësim ish-sekretari shtetëror serb, Oliver Ivanoviq.
Në një prononcim për Indeksonline ai barrën e përgjegjësisë ia lë EULEX-it, duke shtuar se është dashur të lejohet hyrja e Nikoliqit, tash kur Kosova dhe Serbia, po bëhen gati që të bisedojnë përsëri më 17 Janar.
“Përgjegjësia bie mbi EULEX-in. Sipas tij, ky është mision, roli i të cilin nuk është vetëm këshillëdhënës por është edhe ekzekutiv. EELEX ka mund që të mos e zbatojnë vendim e Prishtinës, por pse nuk e kanë bërë këtë nuk e di. S’i dukët EULEX nuk ka raporte të mira më Qeverinë e Kosovës. Nuk është dashur ky vendim tash para bisedimeve. Koha është për më shumë tolerance dhe jo ndasi”, thekson Ivanoviq.
Por ndryshe mendon analisti tjetër Behlul Beqaj. Ai e quan budallallëk, vendimin e qeverisë së Kosovës, për ndalimin e kësaj vizite.
"Konsideroj se vendimi i autoriteteve te Prishtinës është budallallëk. Ardhja e përfaqësuesve të Serbisë është gjë normale dhe secila kërkesë do të duhej të miratohet, edhe kur bëhet fjalë për njerëz që nuk i pëlqejnë Prishtinës, madje edhe kur bëhet fjalë për njerëz që dikur ftonin për luftë, dhe me kohë kanë pranuar realitetin dhe kanë ndryshuar qëndrimin e tyre" ka thënë Beqaj, për gazetën serbe “Blic”.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq për të vizituar Kosovën. Ndërkohë për këtë, Nikoliq ka akuzuar EULEX-in./Indeksonline/