E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykatësit në pushime verore, Klaiqi mbetet në burgun e Idrizovës

Shkup, 17 gusht - Edhe  një muaj e gjysmë pas lirimit të  katër banorët e Sopotit, Samet Lutfiu, Sulejman Sulejmani, Shaban Limani dhe Hasan Klaiqi për tu mbrojtur në liri deri në rigjykimin e ri, i akuzuari tjetër për këtë rast, Zenel Klaiqi mbetet në burgun në Idrizovës. Siç mëson Alsat-M  pushimet verore të gjykatësve kanë bërë që për  Zanel Klaiqin dhe  gjashtë bashkëfshatarët e tij të dënuar në mungesë, ende të mos sillet vendim nga Gjykata e apelit pas ankesës së palës mbrojtëse ndaj vendimit të Gjykatës së shkallës së parë. Familja Klaiqi vlerëson se djali i tyre Zenel Klaiqi po mbahet pafajësisht në burg.
“Po mendojmë sa më shpejtë me u lirua, mos me qëndrua pa faj në burg, me u liru kishte qenë mirë me ardh në Ramazan tash tek fëmijët, me u gëzua edhe fëmijët me babën në shtëpi, e jo me qëndrua ai pa lidhje vet në burg, të tjerët janë lirua e ai vet po rrinë pa faj në burg ”, tha  Sadete Klaiqi,  bashkëshorte e Zenel Klaiqit.
“Pasi janë liruar edhe këta të tjerët dhe bëhet fjalë për një vepër, janë dokumentet e komisionit anketues, ku shkruhet aty se si Zeneli, Shabani, Sameti, aga Sulë si Hasani si të gjithë që janë në flet-arrest janë të pafajshëm, nuk e di pse i mbajnë, fëmijët çdo ditë më pyesin çka u bë me babin, pse axhi  të tjerët kanë erdh, e babi ka mbet, nuk po di as fëmijëve çfarë tu them më ”, kështu u shpreh Skender Klaiqi, vëllai i Zenel Klaiqit:
Edhe familjarët e gjashtë të akuzuarve tjerë, kërkojnë që Gjykata e Apelit, të përmirësojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Shkup dhe të kthejë lëndën në rigjykim ndërsa deri atëherë  djemtë e tyre të mbrohen në liri.
“Ne prej zorit e kemi, 7 – 8 vjet nuk i kemi pa me sy. Pa kurrfarë faji, se kur ta bëj fajin edhe e mbaj, burri është për burg,  s’ka  asgjë. Jetima kemi mbet të gjithë nuk po kemi ku t’ia mbajmë, 75 vjet jam, me karrocë marr dru, krejt materialin e kam këtu, prej zorit, se nuk e kam prej qejfit”, deklaroi  Abedin Limani,  prind i Samet Limanit.
“Jo sot, jo nesër, u bënë 7 javë, djali po fle në burg, tjerët në arrest, nuk e di çka është kjo, ato vëlla po shkojnë në pushime, a pse këto flenë nëpër burgje gajle se kanë”, theksoi  Idriz Jahiu,  prind i Selman Jahiut
Për rastin e shpërthimit të minës në Sopot në vitin 2003, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil, u dënuan 11 banorë të këtij fshati me mbi 150 vjet burg. Përveç katër të liruarve, për të njëjtin rast janë dënuar edhe shtatë bashkëfshatarët të tyre.  Përkundër vendimit të gjykatës themelore në Kumanovë që të kthejë lëndën e Sopotit në rigjykim dhe të lënë  banorët të mbrohen në liri, gjykata themelore Shkupi 1 ku edhe ndodhet lënda e Sopotit për shtatë banorët e Sopotit vendosi të kundërtën. Pas këtij vendimi pala mbrojtëse pret një vendim tjetër nga Gjykata e Apelit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›