E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjylnaze Syla e quan Krasniqin diktator

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës jo rrallë ka ndodhë të përballen me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi gjatë seancave plenare, ndërkaq sot ai ka marrë epitetin ‘diktator’ dhe ‘mohikani i fundit’ i mbrojtjes së keqqeverisjes së vendit.

Rregullorja e re e punës e Kuvendit të Kosovës u mundëson deputetëve që për tridhjetë minuta të deklarohen për çështje jashtë rendit të ditës dhe kjo është e përcaktuar me kohën prej 3 minutash.

Duke iu përmbajtur kësaj rregulloreje, kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk i ka mundësuar deputetes së AAK-së Gjylnaze Syla, të vazhdojë më shumë se 3 minuta, ndonëse kjo e fundit e ka konsideruar si çështje të rëndësishme diskutimin për ndërtesën e re të Qeverisë, ish- Rilindjes.

Syla e ka quajtur Krasniqin të pasjellshëm dhe diktator që nuk i ka vazhduar minutazhin.

“Në seancën e sotme, kryetari i Kuvendit është treguar i pasjellshëm dhe diktator, për shkak nuk e ka lejuar opozitën të flas. Do të thotë në vend që të ma lejojë të drejtën që të flas në emër të grupit parlamentar, kryetari i Kuvendit reagon dhe e ndërprenë, derisa në anën tjetër e lejon kryeministrin që të bëjë promovime, fjalim të cilin jam i bindur se e kanë parë qytetarët mbrëmë”, ka thënë Syla, transmeton Kosovapress.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Ardian Gjini, duke mbështetur qëndrimin e koleges së grupit, ka thënë se kryeparlamentari Krasniqi ka dalë jashtë rolit të tij si balancues i Kuvendit.

“Në vend se të kemi sinjale bashkëpunimi për çështje që janë të rëndësishme për Kosovën, ne kemi arritë në një pozitë në të cilën, kryetari i Kuvendit, i cili ka provuar të mbajë një balanc, është shndërruar totalisht në mbrojtës të keqqeverisjes, është shndërruar në një njeri i cili po del ‘mohikani i fundit’ për ta mbrojtur këtë keqqeverisje”, ka thënë Gjini.

Deputeti Gjini edhe më herët ishte përballur me kryeparlamentarin Krasniqi, për shkak të fjalorit joparlamentar që kishte përdorur gjatë një replike me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.

Gjini i kishte thënë ministrit Shala ‘po rren’ dhe për këtë kryeparlamentari Krasniqi kishte kërkuar fillimisht që të përdoret fjalor parlamentar dhe të tërhiqet fjala, e pas refuzimit të Gjinit e ka nxjerrë atë jashtë sallës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›