Gjyq i përgatitur mbi dosjet e UDB-ës

(E plotesuar) Në Tribunalin e Hagës ka filluar procesi i rigjykimit ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Harainajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lah Brahimaj. Rigjykimi i pjesshëm ka filluar me deklaratat hyrëse të prokurorëve, ndërsa fjalën e tyre kanë paraqitur edhe avokatët mbrojtës, e cila ka thënë se aktakuza është ngritur nga dosjet e mbledhura nga shërbimi informativ serbe, UDB-ja, një organizatë e njohur për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.
Kryetari i Trupit Gjykues përderisa ka kundërshtuar paraqitjen e provave që kanë qenë edhe në gjykimin e parë, ka thënë se vendimi i këtij trupi, nuk do të varet aspak nga vendimi i Trupit Gjykues në procesin e kaluar gjyqësor.
Në prezantimin e tij, prokurori i rastit Paul Rogers ka paraqitur fillimisht një sërë hartash në të cilat janë treguar vijat ndarëse të komandave të drejtuara nga Ramush Haradinaj dhe Lahi Brahimaj, i pari me seli në Gllogjan, kurse i dyti në Jabllanicë. Prokuroria ka paraqitur disa fotografi të fshatit Jabllanicë dhe të disa shtëpive, ku ajo pretendon se janë mbajtur të ndaluarit.
Pala mbrojtëse ka ndërhyrë, duke kundërshtuar fjalën e prokurorit, Paul Rogers, i cili shtëpitë i quante burgje, apo objekte ndalimi, që sipas mbrojtjes kjo është një gjuhë fyese, pasi sipas mbrojtjes nuk është dëshmuar dhe as nuk do të dëshmohet asnjëherë se aty ka pasur burg, apo objekt ndalimi.
Avokati mbrojtës i Ramush Haradinajt, Ben Emerson ka thënë se ky është një gjyq i ri, në të cilin prokuroria po paraqitet të vendos sërish akuzat e vjetra, me të cilat zoti Haradinja është shpallur i pafajshëm.
Ai ka thënë se aktakuza origjinale e ngritur ndaj Haradinajt ishte ngritur nga dosjet e mbledhura nga shërbimet informative serbe dhe UDB-ja, një organizatë e njohur për krimet e bëra ndaj shqiptarëve. Ai përsëriti se prokuroria e mbështet hetimin në një hetim të bërë nga shërbimet informative serbe.
Ai ka thënë se dëshmitarët kanë paraqitur material të korruptuar nga shërbimet serbe, ndërsa ka akuzuar me këtë rast edhe ish prokuroren Karla Delponte.
Pala mbrojtëse e Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij ka akuzuar prokurorin për mungesë të standardit profesional në paraqitjen e fakteve dhe ka kërkuar nga prokurori që të mos përdor fjalë provokuese.
Avokatët mbrojtës thanë se për rigjykimin e Ramush Haradinaj prokuroria është mbështet në deklaratën e dëshmitarit 80, i cili refuzoi të jap dëshminë për të mbështetur deklaratat e më hershme, madje avokatët deklaratat e tij i quajtën gënjeshtra dhe mashtruese.
Pala mbrojtëse po ashtu shprehu pakënaqësitë lidhur me propozimin e prokurorit, i cili ka thënë se deklaratën e dëshmitarit 80, do të mbronë dëshmitarin ish ushtari i UÇK-së, i njohur si dëshmitari 81.
Sa i përket, dëshmitarit 81, i cili është i vetmi dëshmitar për Haradinaj dhe i cili është takuar me prokurorin dy vite pasi Ramush Haradinaj shpalljet i pafajshëm, pala mbrojtëse ka thënë se koha dhe rrethanat kur dëshmitari erdhi te prokuroria ngrisin shumë dyshime që tregojnë se deklaratat e tij janë me shumë mospërputhje dhe gënjeshtra.
Ata po ashtu kërkuan që mos të bazohen në deklaratat e një dëshmitari i cili ka një të shkuar kriminale dhe me shumë shkelje penale.
Seanca do të vazhdojë edhe të premten, ndërkaq secila seancë është paraparë të zgjas rreth pesë orë.
Ja pretendimet e Prokurorisë kundër Haradinajt
Seanca e parë gjyqësore në Tribunalin e Hagës në rastin e rigjykimit të ish komandantit të UCK-së Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lah Brahimaj, nisi të enjten me prezantimin e aktakuzës nga ana e prokurorisë.
Ashtu sic u pajtuan prokuroria dhe mbrojtja në seancën statusore të së mërkurës, procesi gjyqësor nuk u përqëndrua shumë në leximin e aktakuzës me të cilën ngarkohen të pandehurit në këtë rigjykim, por menjëherë prokuroi i çështjes filloi së prezantuari në vija të përgjithshme, provat që ai ka në këtë rast.
Në seancat që janë paraparë të zgjasin nga pesë orë secila dhe me pushime nga gjysmë ore për cdo një orë e gjysmë, ditën e premte pritet që menjëherë të thirret dëshmitari i parë i prokurorisë për të dhënë dëshminë e tij.
Në fillim, prokurori i Tribunalit, prezantoi hartat që i përkisnin një zonë në Rrafshin e Dukagjinit, nëpërmjet të cilave u bë e qartë se për cilin vend dhe për cilën zonë të veprimit të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK) flitet në këtë rast.
Prokurori Paul Rogers tregoi pretendimet për kidnapimet që janë bërë në atë kohë të disa personave, duke shpjeguar edhe fuqinë komanduese të Ramush Haradinajt në kuadër të UCK-së, si dhe lidhjeve familjare të tij me të akuzuarin tjetër Lahi Brahimajn.
Më pas, prokurori paraqiti edhe disa fotografi ku shihen disa objekte për të cilat pala e akuzës pretendon se kanë shërbyer si burgje të UCK-së në fshatin Jabllanicë, në pranverën e vitit 1998, ku sipas tij, janë kryer edhe tortura e vrasje.
Por në këtë pikë ka reaguar mbrojtja e të akuzuarve duke theksuar se është e papranueshme cilësimi nga ana e prokurorisë të këtyre objekteve të cilat i cilëson si burgje, kur në fakt nuk është provuar asnjëherë se ato madje kanë ekzistuar e lere më që janë kryer krime. Pasi e pranoi një vërejtje të tillë, dhe tha se ka kërkuar që një cilësim i tillë i atyre objekteve si burgje të hiqet fare, prokurori tha se ditën e premte do të dëshmojë dëshmitari Shefqet Kabashi, kurse për disa pika të akuzës si referencë u mor libri i Bardh Hamzajt, me titullin “Rrëfim për luftën dhe lirinë”, ku janë një varg intervistash me Ramush Haradinajn. Por një veprim i tillë i prokurorit u kundërshtua menjëherë nga avokati mbrojtës Ben Emerson.
Sipas mbrojtjes, nuk mund të pranohet si provë, një libër që nuk është pranuar si provë as në gjykimin e kaluar, pas të cilit Haradinaj u lirua si i pafajshëm, vërejtje e cila u pranua edhe nga kryetari i trupit gjykues. “Ky është një gjyq i ri. Çdo gjë që do të provohet këtu, do të provohet këtu. Argumentimet dhe gjërat që janë provuar në gjyqin e parë nuk kanë kuptim fare. Ato gjëra janë hedhur poshtë në gjyqin e mëparshëm dhe do të hidhen poshtë edhe këtu. Çdo gjë që është e kundërshtueshme duhet të kundërshtohet këtu dhe vendimi do të merret nga ne këtu dhe vendimi i Trupit Gjykues nuk do të varet nga vendimi i Trupit Gjykues të mëparshëm”, tha kryetari i Trupit Gjykues.
Gjatë paraqitjes së deklaratës së tij, prokurori Rogers ka folur për zhvillimin e UÇK-së, shtrirjen në Zonën Operative të Dukagjinit, përcaktimin e vijave ndarëse mes komandave të udhëhequra nga Haradinaj e Brahimaj dhe për lidhjet e tyre familjare.
Prokurori Rogers ka vazhduar të paraqes akuzën duke u bazuar në dëshminë e dëshmitarit 80-të, i cili ka përshkruar objektet e pretenduara ku është ndaluar nga ushtarët e UÇK-së, maltretimet që kinse i janë bërë atij dhe të ndaluarve tjerë.
Më tej, prokurori vazhdoi edhe më tej të lexojë dhe paraqes të dhëna sipas të cilëve janë fakte se e që kanë të bëjnë kryesisht me likudimin e disa personave gjatë luftës, duke u bazuar në komunikatat e lëshuara në atë kohë nga ish UCK-ja, ku me emra përmenden personat e likuiduar për bashkëpunim me okupatorin dhe regjimin serb.
Avokati mbrojtës i Ramush Haradinajt tha se ky është një proces gjyqësor i ri, por i bazuar në prova të vjetra. Ai një nga një demantoi faktet e paraqitura nga prokurori duke theksuar edhe faktin se në atë kohë nuk ka pasur përgjegjësi komanduese sepse UCK-ja në atë kohë ishte duke u organizuar. Edhe avokatët e tjetër të Lahi Brahimajt e Idriz Balajt, i kanë kundërshtuar akuzat dhe provat e paraqitura nga prokurori. Seanca vazhdon të premten.
OVL mbështet Haradinajn
Prishtinë 18 gusht- Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, procesin e gjykimit ndaj Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt e Idriz Balajt, e kanë konsideruar politik, tendencioz dhe të pabazuar në prova materiale gjë që u dëshmua edhe me pafajësinë e shpallur ndaj tyre.
Prandaj, sipas tyre, edhe procesi i rigjykimit nuk mund të konsiderohet ndryshe dhe në asnjë mënyrë nuk pajtohen me akuza të ngritura ndaj bashkëluftëtarëve sepse besojnë se lufta ishte e pastër e çlirimtare.
Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj ishin shpallur të pafajshëm më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues i Tribunalit të Hagës, por ndaj tyre, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata ka ngritur kallzim penal për gjykim të pjesshëm. ”Këta bashkëluftëtarë, gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.
Deçani beson në pafajësinë e Haradinajt
Me rastin e fillimit të procesit gjyqësor, në shenje përkrahjeje, të gjithë punëtoret e administratës komunale si dhe kryetari i komunës, së Deçanit, Rasim Selmanaj, të enjten mbanin të veshura fanellat e bardha më foto të Ramushit dhe më mbishkrimin “Ti e solle lirinë tonë, ne e presim lirinë tënde”.
“Kjo është një simbolikë e përkrahjes për lirim, që shprehët si vullnet i të gjithë qytetarëve”, ka thënë i pari i komunës, Rasim Selmanaj, duke besuar se Ramush Haradinaj, shumë shpejtë do të kthehet në Kosovë dhe edhe një herë Tribunali i Hagës do ta vërtetojë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejt.
Po ashtu edhe zyrtarët tjerë komunal, dhe qytetarë të shumtë të Komunë së Deçanit, shprehen se të gjitha akuzat ndaj liderit Haradinaj, janë fabrikime nga më të ndryshmet andaj përballja e serishme me Tribubalin e Hagës vetëm do ta dëshmojë edhe një herë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë dhe Haradinaj ishte ai që dha shumë për lirinë e vendit dhe tash i duhet Kosovë.
Fillon rigjykimi ndaj Haradinajt
Në Tribunalin e Hagës sot do të fillojë procesi i rigjykimit ndaj ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Harainajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lah Brahimaj.
Zyrtarët nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë shprehur edhe një herë bindjen për pafajësinë e liderit të tyre Ramusht Haradinaj, derisa besojnë se gjykimi i tij në Hagë do të jetë i shkurtër dhe do të përfundoj me lirimin dhe kthimin e shpejtë në Kosovë.
Ish- komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte. Pafajësia e tij u shpall më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues.
Mirëpo, ndaj Haradinajt, Brahimajt e Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit, Gjykata ka ngritur kallzim penal për gjykim të pjesshëm.
Rigjykimi i pjesshëm sot fillon me deklaratat hyrëse të prokurorëve si dhe të avokatëve mbrojtës. Rigjykimi vazhdon edhe të premten. Secila nga këto tri seanca është paraparë të zgjas rreth pesë orë, thuhet në ueb-faqen zyrtare të Tribunalit të Hagës.
Haradinajt Brahimaj Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara. Pritja e këtillë e gjatë, ka bërë që në AAK të përcjellin me shqetësim përgatitjet për nisjen e këtij rigjykimi të pjesshëm.