E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyq ndaj bashkepunetorit te Wikileaks

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar nisjen e një gjyqi ushtarak për një ekspert të zbulimit me gradë të ulët, i cili akuzohet se i ka dhënë dokumenta sekrete faqes së internetit WikiLeaks. Një zëdhënëse e ushtrisë tha se Ushtria e miratoi propozimin për zhvillimin e gjyqit ndaj ish-ushtarakut Bradley Manning. Ende nuk është vendosur data se kur do të fillojë procesi.
Manning u paraqit në një seancë dëgjimore paraprake në muajin dhjetor. Ekspertë të akuzës dëshmuan se kishin gjetur prova që vërtetonin se Manning kishte shkarkuar dokumenta diplomatikë në disqe, të cilat i ishin dërguar faqes së internetit kundër-sekreteve WikiLeaks.
Avokatët e Manning e kanë përshkruar klientin e tyre si një njeri me probleme mendore, i cili nuk duhej të ishte lejuar të përdorte dokumenta sekrete gjatë shërbimit të tij në Irak, midis nëntorit të vitit 2009 dhe majit të vitit 2010. Ata thanë gjithashtu se kontrolli i kompjuterave të tij nga ana e ushtrisë kishte qenë i pasaktë.
Manning përballet me 22 akuza, përfshi edhe atë të ndihmës ndaj armikut. Atij mund t’i duhet të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, nëse shpallet fajtor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›