Te dhena pozitive mbi tregun e pensioneve

Tregu i pensioneve private vullnetare ka pasur një trend në rritje në pesëvjecarin e fundit dhe kryesisht një rritje domethënëse për vitin 2011. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikqyrjes financiare për vitin 2011, numri i kontribuesve për pension vullnetar ka arritur në rreth 6300, apo me një rritje vjetore prej 26%. Vlera totale e kontributeve për vitin e kaluar ishte 177 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 58%. Më shumë se gjysma e vlerës totale, pra 56% të kontributeve është paguar nga punëdhënësit, ndërsa 44% nga punëmarrësit. Pagesa mesatare vjetore për kontribues është rritur në 28 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që ishte në vitin 2010.Gjithashtu vlera mesatare e kontributit mujor të derdhur në fondet e pensioneve private vullnetare gjatë këtij viti ka variuar nga 2,000 lekë deri në 13,600 lekë në varësi të fondit. Gjatë vitit 2011, numri i anëtarëve, që kanë kryer të paktën një derdhje kontributi, rezulton në 5,275 nga 6,295 anëtarë gjithsej që janë të rregjistruar deri më 31 dhjetor 2011 në këto fonde. Sipas Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, zhvillim i rëndësishëm gjatë vitit 2011 në tregun e pensioneve private vullnetare ka qenë licensimi i operatorëve, duke rritur më tej besueshmërinë e publikut në investimin e fondeve në skemën e pensioneve private vullnetare. Një aspekt i rëndësishëm në punën e AMF-së "Për fondet e pensionit vullnetar", ka qenë plotësimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor. Skema e re e organizimit dhe funksionimit të pensioneve private vullnetare, e sanksionuar në ligjin e ri, përbën një risi për tregun financiar shqiptar. Në janar të vitit 2011 në treg zhvillonte aktivitetin një operator i licensuar sipas kërkesave të reja, ndërsa gjatë vitit janë licensuar edhe 2 operatorë të tjerë.