E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqësori, nivel i lartë i korrupsionit

Reforma Ministria e Drejtësisë prezanton strategjinë dhe pranon të metat: togat e zeza dhe prokuroria janë nën influencë dhe nuk kanë transparencë

Ekzekutivi i jep një “shuplakë” të rëndë sistemit të drejtësisë, gjykatës e prokurorisë, duke i “akuzuar” se kanë nivel të lartë të korrupsionit, influencohen nga të tretët dhe nuk kanë transparencë. Ministria e Drejtësisë ka prezantuar dje strategjinë për reformën në drejtësi, duke pranuar fillimisht një mori të metash, ndërsa ritheksoi edhe njëherë nevojën për krijimin e gjykatave të specializuara, administrative dhe tregtare. Në fillim u pasqyrua një raport i situatës aktuale, ku gjyqësori shihej me një nivel të lartë korrupsioni, volum i madh i çështjeve dhe zvarritje të gjykimit. Problem është edhe statusi i paqartë i gjyqtarëve, si dhe transparenca e ulët, mungesa e dukshme e besimit të publikut. Megjithatë, strategjia e ministrisë konsistonte se si duhet kontrolluar gjyqësori. Edhe këtu një sërë problematikash, si pamundësia e një angazhimi të plotë të anëtarëve të këshillit në funksion të ushtrimit sa më të mirë të kompetencave të tij, sa kohë që ata njëherazi ushtrojnë edhe detyrën e gjyqtarit.

Raporti i Ministrisë së Drejtësisë përcaktonte se ishte problem edhe mungesa e një riorganizimi të anëtarëve të këshillit, me qëllim që të ketë një ndarje më të qartë të detyrave midis trupës, inspektoratit dhe administratës, si edhe për të pasur një organizim më efikas të mbledhjeve plenare të tij. Problem mbeten edhe kontradiktat midis dy ligjeve për kriteret e procedurën e emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Dikasteri i drejtësisë tha se mungojnë kriteret në ligj për transferimin e gjyqtarëve të të njëjtit nivel.

Imuniteti i gjyqtarëve është një tjetër problem për sistemin gjyqësor, i cili, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është bërë shpesh pengesë për hetimin e shpejtë dhe më eficent në veprimet korruptive të gjyqtarëve. Sipas tyre, mungojnë rregullat për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve nga këshilli, ndërsa rekomandohet ndarja e qartë e kompetencave të dy inspektorateve, atij të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë për inspektimin e gjyqtarëve.

Strategjia e Ministrisë së Drejtësisë për reformën në drejtësi është ndalur edhe tek organi i akuzës. Sipas raportit, problematika e hasur në organin e prokurorisë është e ngjashme me atë të pushtetit gjyqësor, për shkak të ndërlidhjes së veprimtarisë së këtyre operatorëve. “Edhe organi i prokurorisë perceptohet të vuajë nga korrupsioni dhe ndikimet/influencat e të tretëve në veprimtarinë e tij”, deklaron qeveria, sipas së cilës ka një nivel jo të kënaqshëm të procedurave dhe efektivitetit të ushtrimit të ndjekjes penale, si dhe ka transparencë të ulët dhe mungesë të besimit të publikut te ky organ. Krahas gjykatës dhe prokurorisë, ekzekutivi është ndaluar edhe te Mjekësia Ligjore. Sipas tyre, ka mungesë personeli të kualifikuar, të emëruar si ekspertë të jashtëm në rrethe. Ndërsa problem mbetet asgjësimi i provave materiale (bimë dhe lëndë narkotike), mbetje nga analizat toksikologjike, të cilat nuk tërhiqen nga organet hetuese përkatëse që i sjellin për ekspertim.
Pas paraqitjes së të metave, Ministria e Drejtësisë parashtroi edhe prioritetet dhe qëllimet strategjike. Sipas saj, nevojiten krijimi i gjykatave të specializuara, administrative dhe tregtare, rritja e kapaciteteve profesionale të aktorëve të sistemit të drejtësisë, përshtatja e legjislacionit të brendshëm të sistemit të drejtësisë me praktikat më të mira europiane, rritja e forcës zbuluese dhe ndëshkuese ndaj rasteve të korrupsionit dhe thellimi i bashkëpunimit me autoritetet e huaja gjyqësore për një luftë sa më të suksesshme kundër aktiviteteve kriminale ndërkufitare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›