Cili do të ishte kompromisi rreth Kosovës për Serbinë
Pas deklaratës së Presidentit Boris Tadiç, se Serbia është e gatshme për kompromis rreth Kosovës, analistët konsiderojnë se kjo do të mund të ishte statusi special për veriun e Kosovës dhe enklavat serbe në jug, shkruan sot e përditshmja e Beogradit “Kurir”. Sekretari i Shtetit për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, citohet t’i ketë thënë kësaj gazete se nuk është e lëvdueshme që për këtë të bisedohet para vendimit të GJND-së në Hagë, i cili do të shpallet më 22 korrik. “GJND-ja vetëm do të japë mendimin nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legale. Kur do të fillojmë negociatat, është e sigurt se do të ketë negociata, atëherë do të shohim se cilat opsione do të jenë në tavolinë”, thekson Ivanoviç. I pyetur nëse do të ishte i pranueshëm opsioni status special për veriun e Kosovës, përkatësisht autonomi e gjerë, bashkëbiseduesi ynë, thotë “Kurir”, ka dhënë përgjigje pohuese të pjesshme. “Parimisht kjo është e mundur, ekipi negociator do të zhvillojë bisedat në përputhje me platformën dhe konsensusin e gjerë në opinion. Se çfarë do të jetë platforma, do të shohim kur të fillojnë negociatat”, është enigmatik Ivanoviç. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Predrag Simiç, thotë se shqiptarët e Kosovës presin që propozimi mbi autonominë speciale të veriut të jetë pjesë përbërëse e mendimit këshillëdhënës të GJND-së. “Kjo mund të përfundohet nga shkrimet e shtypit të Kosovës, kështu që për këtë do të duhej të mendohej. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm, meqë një plan i ngjashëm “plani Z-4”, ishte ofruar vendit tonë për serbët në Kroaci, që u refuzua dhe shërbeu si alibi për aksionin “Oluja” (Stuhia). Nga ana tjetër, Sllavonia Lindore ka pranuar diçka të ngjashme dhe është harruar pas disa muajsh. Prandaj, nisur nga këto përvoja është e vështirë të nxirren përfundime për Kosovën. Edhe në qarqet ndërkombëtare ka pasur deklarata të matura rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve”, vlerëson Simiç. Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiç, konsideron se ky propozim do të vijë nga Europa me mbështetjen e SHBA-së dhe jo nga GJND-ja. “Serbia, përkatësisht ata që do të bëjnë negociata, do të duhej ta pranonte këtë propozim meqë do të ketë rëndësi shumë për procesin e ardhshëm. Nëse kërkojmë diçka të pamundshme, do t’i humbim të gjitha. Qysh para disa vitesh, kur udhëhiqja grupin e ekspertëve, propozimi mbi autonominë e veriut ka qenë në tavolinë. Nuk e di pse u ndal me kaq”, pyet Janjiç. Ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd, William Montgomery, porosit se autonomia në veri dhe në enklava është maksimumi në çka mund të mbajë shpresa Serbia.
#