E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Binjakut, pranga një kamerieri

Dyshohet se vrasja është porositur e paguar. Kërkohet bashkëpunëtori i 21-vjeçarit

Tridhjetepesë ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Sajmir Binjaku, policia e Elbasanit ka arrestuar një të ri, i cili dyshohet se është autori kryesor i kësaj vrasjeje. Aksioni i përbashkët i policisë së Elbasanit me forcat RENEA është zhvilluar paraditen e djeshme dhe ka përfunduar me prangosjen e një 21-vjeçari, i punësuar si kamerier në një lokal të qytetit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se rreth orës 11:00 të së hënës është ndaluar 21-vjeçari Axhildo Kashari, banor i lagjes “Haxhias”, si i dyshuari kryesor për vrasjen e 38-vjeçarit Sajmir Binjaku. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 14 qershorit të këtij viti, në lagjen “Shënkoll” Elbasan, në lokalin në pronësi të Klevis Dakës.

Aksioni

Aksioni për kapjen e të dyshuarit kryesor për ekzekutimin mafioz të 38-vjeçarit Binjaku ka nisur mbrëmjen e së dielës dhe ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Rreth 100 forca policie, të mbështetura edhe nga forca të RENEA-s, kanë lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit në lagjen “Partizani”, në vendin e quajtur “Rrugica e Lazarenjve”.
Për rreth dy orë forcat e policisë kanë vazhduar aksionin e koduar “Premtimi”, për t’u finalizuar rreth orës 11:10 me ndalimin e autorit të dyshuar, që fshihej në një banesë private. Kreu i Policisë së Qarkut të Elbasanit, Sajmir Muça, ka deklaruar dje se dyshohet që Kashari ka pasur një bashkëpunëtor tjetër, emri i të cilit mbahet sekret për arsye hetimore. “Aksioni ynë është në vazhdim për finalizimin e pjesës së dytë, atë të kapjes së një bashkëpunëtori të dyshuar në këtë vrasje dhe po hetojmë për motivet që e çuan kamerierin 21-vjeçar në këtë krim dhe tani për tani, për arsye hetimore, nuk mund të japim ndonjë detaj”, ka shtuar Muça.

Hetimet

I pyetur nëse mund të konsiderohej një vrasje me pagesë, drejtori i policisë së Elbasanit ka hezituar të flasë, por ka shtuar se hetimet për këtë problem vazhdojnë dhe do të publikohen në rastin më të parë. Megjithatë, faktet që serviren nga burime jozyrtare të policisë lokale flasin për një pistë të tillë. Kamerieri i arrestuar dje për vrasjen nuk ka pasur asnjë konflikt personal me viktimën e tij. Duke qenë se edhe në rrethin familjar dhe rrethin shoqëror të autorit të dyshuar të vrasjes nuk figurojnë persona që mund të kenë pasur konflikte me Sajmir Binjakun, janë ngritur dyshime të forta se 21-vjeçari mund të jetë paguar për vrasjen, sikundër edhe bashkëpunëtori i tij ende i lirë.
Për zbulimin dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje është bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit të krimit. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›