Topi pret kreun e A. së Shkencave në Mal të Zi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof. Momir D. Gjuroviç.
Presidenti Topi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve të dijes dhe shkencës në fusha të ndryshme si kërkimi shkencor, projekte të përbashkëta integrale për ekosistemin e njëjtë që ndajmë në veri me Liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe gjithë pellgun ujëmbledhës, etj. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve miq dhe fqinj si dhe nivelin e lartë të dialogut politik, duke vënë në pah faktin se popujt tanë janë orientuar tërësisht drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Nga ana e tij, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof. Momir D. Gjuroviç, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojës mes dy akademive me anë të marrëveshje dypalëshe, studimesh integrale ujore, shfrytëzimin e ekosistemit, ruajtjen e ambjentit në të mirën reciproke të dy vendeve tona si dhe për organizimin e konferencave të përbashkëta me akademikë nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Gudar Beqiraj dhe Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zheljko Peroviç.