PS:Tryezë Rama-Berisha, jo nivele të ulëta

Partia Socialiste do të ulet në tryzën e dialogut vetëm me kryeministrin Berisha, nën drejtimin e presidentit Topi dhe nuk do pranojë në tavolinë nivele më të ulëta me drejtuesit e PS e PD.
Kjo ka qenë deklarata e deputetit të PS-së, Et'hem Ruka i cili ka konfirmuar edhe një herë vullnetin që PS të dialogojë me PD-në.
"PSSH rikonfirmon edhe njëherë vullnetin e saj për t'u ulur në tavolinën e dialogut me PD, nën drejtimin e Presidentit të Republikës .
Kjo tavolinë duhet të ulë përballë zotin Rama dhe Berisha. Një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do t'i shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht", theksoi ai. Ruka tha se Partia Demokratike, po dëshmon vullnet negative për pjesëmarrjen në këtë tavolinë dialogu, duke vazhduar kështu të thellojë edhe më shumë krizën që ka pllakosur gjithë jetën e vendit.
"Ne inkurajojmë Presidentin Topi për organizimin e kësaj tavoline dhe shpresojmë që ai do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë sa më parë.
Dëshiroj të rikonfirmoj se PS me hetimin e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në tavolinë . Synimi i vetëm i saj është garantimi i standardeve europiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme që garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë", pohoi deputeti socialist.