E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi ndaj Metës, “gjithnjë herën tjetër!”

Seanca e radhës është lënë për të hënën e ardhshme, për t’iu lënë më shumë kohë tre ekspertëve shqiptarë të informatikës për të dhënë shpjegimet e tyre nëse videoja e përgjuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti është autentike.

Kjo në fakt, nuk është hera e parë që gjyqi shtyhet, pasi shumë seanca gjyqësore nuk janë zhvilluar për arsye shpesh herë të parëndësishme. Grupi i ekspertëve është i përbërë nga Artur Rrahmani, Ermal Beqiri dhe Ardian Pollo, që të tre shqiptarë, pasi ekspertiza e huaj nuk u mor edhe shumë parasysh nga drejtësia. Fjala e tre ekspertëve shqiptarë që kanë ekzaminuar orën-kamera, kompjuterin laptop dhe një USB, ku gjendet videoja, pritet të jetë vendimtare për dosjen “Meta”.

Prokuroria pretendon se videoja është e saktë dhe se Meta duhet të akuzohet për “korrupsion aktiv”, ndërkohë që Kolegji i Gjykatës së Lartë rrëzoi ekspertizën e ekspertit amerikan me pretendimin se janë bërë shkelje në emërimin e tij. Ekspertiza e ekspertit të marrë nga Prokuroria çoi në përfundimin se videoja ishte e saktë dhe nuk ishte e montuar.

Në fillim të këtij viti, u publikua në një emision televiziv videoja që çoi më pas në dorëheqjen e Metës nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe ditë më pas ndodhi edhe ngjarja e 21 janarit, që përfundoi me katër të vdekur dhe disa të plagosur. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-24 10:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›