Gjyqi per kliniken e transplanteve

Të enjten në Gjykatën e Qarkut u zhvillua seanca dëgjimore e cila u kryesua nga gjykatësi i Bashkimit Evropian, Victor Paradal.
Shtatë shtetas kosovarë dyshohet se bënin pjesë në një rrjet ndërkombëtar që sillte pacientë në Prishtinë dhe u hiqte organe në këmbim të parave.
Zëdhënësja e EULEX-it hedh poshtë mundësinë e lidhjes së kësaj çështjeje me atë të ashtuquajturës “Shtëpi e verdhë”.
“Sot ka përfunduar seanca dëgjimore për rastin “Medicus”, por gjykatësi ka 15 ditë kohë për të dhënë vendimin. Çështja “Medicus” dhe e ashtuquajtura “Shtëpi e verdhë” nuk janë të ndërlidhura, sepse hetimet për “Medicus” kanë filluar në nëntor 2008 në Prishtinë”, është shprehur Kristina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it.
Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të të dyshuarve të përfshirë në çështjen “Medicus” kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të paargumentuara.
“Çështja e kontrollimit të klinikës ‘Medicus’ nga ana e organeve dhe policisë gjyqësore, ato prova janë bërë pa prezencën e avokatëve mbrojtës, pa urdhër të gjyqtarit hetues dhe i kemi konsideruar si prova të papranueshme”, është shprehur Bajram Tmava, avokat mbrojtës i Nexhat Daçit.
Prokurori i BE-së, Jonathan Ratel tha gjatë seancës se “njerëz të varfër janë sjellë në Kosovë nga vende të tjera, me premtime të rreme për të marrë pagesa për veshkat e tyre, organe këto të cilat pastaj u janë shitur pacientëve të tjerë për transplantime të paligjshme”.
Ratel ka thënë se mjeku turk Jusuf Sonmez, i cili ndodhet në arrati, “ka qenë pjesëmarrësi kyç në operacionet, të cilat janë bërë në një klinikë private në periferi të Prishtinës, e cila mban emrin “Medicus”.
Hetimet mbi çështjen nisën në Prishtinë në vitin 2008 nga Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut.