E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arme dhe fisheke ne Afganistan

Zëvendësministri i Mbrojtjes deklaroi se, gjatë vitit 2011, do të shkatërrohen 25 mijë tonë municione të tepërta, ndërsa viti që sapo shkoi u mbyll në shifrat e 20 mijë e 653 tonëve.

Ekrem Spahia deklaroi se, dhjetori ishte muaji me demontimin më të madh, edhe pse një pjesë e madhe e ushtrisë shqiptare ndodhej në ndihmë të të përmbyturve në Shkodër.

“Sasia totale e asgjësuar për vitin 2010 është 20653 tonë, rezulton se në uzina është realizuar 8802 tonë, në poligone 9473 tonë dhe eksportuar 2378 tonë. Përsa i përket vitit 2011 sasia e planifikuar sipas planit të veprimit do të jetë rreth 25 mijë tonë”, është shprehur Spahia.

Ai tha se për vitin 2011 është parashikuar që vendi të eksportojë 7 përqind të sasisë së përcaktuar për shkatërrim, rreth 1 mijë e 750 tonë, por ai nuk bëri të ditur se kujt do t’i shitet apo dhurohet kjo shifër.

Spahia duke ruajtur sekretin ushtarak, përsëriti vetëm donacionin që qeveria shqiptare ka vendosur për Afganistanin.

“Qeveria shqiptare ka marrë një vendim që ne do të dërgojmë në Afganistan në kuadrin e kontributit tonë si vend anëtar i NATO-s, 30 mijë armë dhe disa milionë fishekë”, tha Spahia.

Gjatë vitit 2010, Shqipëria eksportoi 2 mijë e 500 tonë municione, por Ministria e Mbrojtjes nuk bën të ditur vendin ku u eksportua.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›