Gjyqtarët, ‘armiq’ të Man Cityt

Kartoni i kuq i Mario Balotellit kundër Liverpoolit në nëntor u përcoll nga përjashtimi i Vincent Kompanys ndaj Manchester Unitedit muajin e kaluar, kurse vetëm disa ditë më vonë, Glen Johnson i shpëtoi ndëshkimit për një ndërhyrje të ngjashme ndaj mesfushorit të Cityt, Adam Johnson.
Sulmuesi Balotelli u dënua sërish nga Federata angleze me katër ndeshje moslojë, pas ndërhyrjes ndaj mesfushorit të Tottenhamit, Scott Parker, kurse në humbjen nga Liverpool në gjysmëfinale të Carling Cup u akordua një penallti e dyshimtë në dëm të Cityt. E tëra kjo ka zgjuar reagim të ashpër nga Vieira.
“Nuk dua të them se të gjithë janë kundër Cityt, por kur shikoni vendimet e fundit, ju mund të pyetni veten se diçka nuk është në rregull dhe se dikush nuk dëshiron që ne të fitojmë ligën”, tha ish mesfushori i Francës.
“Duket sikur City dënohet në vazhdimësi, për dallim nga ekipet dhe futbollistët kundërshtarë. Ne jemi duke dhënë maksimumin për të fituar ligën dhe pranojnë dënimet tona. Por, kur shikoni se çka ndodh në ekipet tjera, kjo na bën të hidhërohemi”, përfundoi ai.