E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori vë alarmin: Bankat e huaja po destabilizojnë Shqipërinë

Share

Guvernatori i Bankës Qendrore, Adrian Fullani, u bëri thirrje bankave që operojnë në Shqipëri të zhbllokojnë politikën e mosdhënies së kredive, pasi rrezikojnë destabilizimin e ekonomisë shqiptare. Në një fjalim në një takim organizuar nga Joint Vienna Institute, Fullani tha se viti i kaluar dhe gjysma e parë e këtij viti treguan se kriza që filloi në vitin 2008 ka arritur në fazën e saj më akute, e karakterizuar nga një lidhje e ndërsjellë midis borxhit sovran dhe krizës së sistemit bankar. Duke përkufizuar vatrën e rrezikut me të cilën po ndeshet sistemi bankar, Fullani tha se stabiliteti mikrofinanciar është i ekspozuar ndaj disa rreziqeve prej aktivitetit të dobët ekonomik, i shoqëruar nga papunësi e lartë, presione të ulëta inflacioniste dhe rritje të nivelit të kredive me probleme.

Të gjitha ekonomitë po operojnë nën potencialin e tyre, kryesisht për shkak të rritjes anemike të kredisë, humbjes së besimit në ekonominë e brendshme dhe aktivitetit të dobët ekonomik në BE. Dhe të fundit, por jo më pak të rëndësishmet, humbja e konkurrueshmërisë dhe ngadalësimi i reformave strukturore po veprojnë si barriera për rritjen ekonomike në periudhën afatgjatë, tha Fullani.

Fullani theksoi se që prej fundit të vitit 2011, krahas këtyre presioneve, po përballemi me një problem të ri, ekspozimit të grupeve të huaja bankare ndaj borxhit privat dhe atij publik, duke ndërprerë kreditimin dhe duke mos marr pjesë në blerjen e bonove të thesarit të qeverisë.

Sipas Guvernatorit ky zhvillim negative ka ardhur prej direktivave të bankave mëmë nga jashtë dhe jo nga realiteti i filialeve të tyre në Tiranë. Të gjitha këto implikime negative mund të cenojnë më tej stabilitetin financiar dhe atë fiskal, paralajmëroi Guvernatori.

Ky jo-proporcionalitet është më i madh në ato vende me ekonomi në tranzicion ku ndërmjetësimi financiar është mbështetur pothuajse ekskluzivisht në burime të brendshme. Për shembull, në fund të vitit 2008, stoku i përgjithshëm i kredisë për ekonominë në Shqipëri mbulonte vetëm 62% të totalit të depozitave.

Stoku i kredisë në valutë u financua pothuajse tërësisht nga totali i depozitave në valutë, ndërkohë që linjat e kredisë nga bankat mëma për filialet dhe degët e tyre kanë qenë në nivele të papërfillshme. Në parim, ndërmjetësimi financiar është financuar gjithmonë në tregjet e brendshme. Ai nuk ka imponuar kufizime financiare në bilancin e bankës mëmë, por megjithatë, ne na u desh të mbanim një barrë që duket e padrejtë.

Ulja e ekspozimit ndaj letrave me vlerë të borxhit të qeverisë nuk përkon me një rritje të ngjashme të ekspozimit ndaj kredisë për sektorin privat, duke kontribuar në një rritje më të ulët të kredisë. E gjithë kjo vjen në një kohë kur mekanizmat e mundshëm absorbues (në drejtim të hapësirës fiskale) dhe besimi i publikut në ekonomi janë ulur, duke mos lënë hapësira shtesë për stimuj të shtuar ekonomikë, tha Fullani.

Guvernatori deklaroi se masat antikrizë të ndërmarra nga Bashkimi Europian, që detyrojnë banakat të regullojnë bilancet e kredive në raport me kapitalet e tyre, po dëmtojnë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Si rezultat i interpretimit të rregullores së EBA-s, një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri e uli ekspozimin ndaj borxhit të qeverisë shqiptare me 3 pikë përqindjeje të PBB-së brenda një periudhe tremujore. Këto veprime shkaktuan zhbalancime në nivelin e likuiditetit në tregun ndërbankar, të cilat nuk mund të zgjidheshin në një kohë të shpejtë për shkak të problemeve strukturore, deklaroi Fullani.

Këto zhbalancime u shoqëruan me rritje të normës së interesit për letrat me vlerë të borxhit të qeverisë, duke kufizuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Ulja e ekspozimit ndaj letrave me vlerë të borxhit të qeverisë nuk përkon me një rritje të ngjashme të ekspozimit ndaj kredisë për sektorin privat, duke kontribuar në një rritje më të ulët të kredisë, vijoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›