E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, çahet koalicioni PD - LSI

GJYKATA E LARTË


Debate të ashpra në Parlament për mënyrën e votimit, PS braktis seancën. Xhafaj: Po minoni çdo urë bashkëpunimi

Kuvendi, PD rrëzon kandidaturën e Sokol Çomos, miraton Medi Bicin. LSI voton pro gjyqtarit


TIRANË - Parlamenti ka rrëzuar dje me votim të hapur kandidaturën e Sokol Çomos për Gjykatën e Lartë, ndërsa ka miratuar atë të Medi Bicit.


Votimi është bërë pas një debati të gjatë në sallë, ku opozita vendosi që të largohet nga seanca. Por rrëzimi i kandidaturës së Çomos nxori në pah edhe një krisje mes PD dhe LSI. 64 deputetët e PD votuan kundër kandidaturës së gjyqtarit, ndërsa katër deputetët e LSI votuan pro saj.


Socialistët, nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafa, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, e cilësuan procesin për dekretet e presidentit të republikës një farsë politike.


Votimi


Procesi i votimit për dy dekretet e presidentit për anëtar të Gjykatës së Lartë u zhvillua pa praninë e opozitës. Ashtu siç pritej, deputetët e djathtë rrëzuan kandidaturën e Sokol Çomos, ndërsa miratuan kandidaturën tjetër, atë të Medi Bicit.


Gjyqtari Çomo mori 64 vota kundër, katër vota pro dhe tre abstenime. Gjatë votimit të kandidaturave për Gjykatën e Lartë nga mazhoranca munguan vetëm katër deputetë, Majlinda Bregu, Aldo Bumçi, Lefter Maliqi dhe Gazmend Oketa.


Nga deputetët e mazhorancës vetëm Paulin Sterkaj abstenoi, ndërsa deputetët e tjerë demokratë votuan kundër. Deputetët e LSI-së u shprehën pro figurës së Çomos, ndërsa deputetët e PDU-së abstenuan. Rrëzimin e dekretit të presidentit për gjyqtarin Çomo erdhi pas shqyrtimit të tij në Komisionin e Ligjeve.


Edhe në komision, deputetët e djathtë rrëzuan dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarit Sokol Çomo në Gjykatën e lartë.


Deputetët e djathtë akuzuan gjyqtarin Çomo se gjatë karrierës së tij ka pasur mbështetje politike. Ndërsa kandidatura e dytë, ajo e Medi Bicit mori miratimin e deputetëve të mazhorancës në Parlament. Gjyqtari Bici mori votat e gjithë deputetëve të pranishëm në sallën e Parlamentit.


Seancën tjetër pritet të kalojë për votim edhe kandidatura e tretë e dekretuar nga presidenti Topi për Gjykatën e Lartë. Edhe për kandidatin Vexhi Muçmataj priten votat kundër të mazhorancës, ndërsa opozita nuk do të marrë pjesë në votim.


Largimi i opozitës


Para se të fillonte votimi për dekretet, deputetët e grupi parlamentar socialist braktisën Parlamentin. Deputetët e vlerësuan procesin e votimit të tre dekreteve për Gjykatën e Lartë si të montuar politikisht dhe e quajtën farsë politike.


"Grupi Parlamentar i PS e konsideron këtë një proces të montuar politikisht që jo vetëm nëpërkëmb thellësisht integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti i Republikës, por gjithashtu nëpërkëmb edhe integritetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve, duke imponuar konformitetin dhe bindjen politike ndaj partisë në pushtet, si kriterin kryesor dhe të vetëm për të përfituar pëlqimin e Parlamentit për anëtar të Gjykatës së Lartë", - u shpreh deputeti Fatmir Xhafa.


Për deputetin Xhafa, mazhoranca nëpërmjet mënyrës së votimit të dekreteve i ka dhënë goditjen përfundimtare pushtetit gjyqësor. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve deklaroi se rasti i zotit Çomo, sikurse rrëzimi i Vangjel Kostës, janë vetëm viktima të ekzekutimit politik të kryeministrit. Deputeti Xhafa deklaroi se me anë të votimit, mazhoranca minon çdo urë të mundshme bashkëpunimi me opozitën.


Ligji për SHISH rikthehet në Kuvend


Ligji për Shërbimin Informativ Kombëtar do të rikthehet për diskutim në Kuvend, por këtë herë do të jetë i pranishëm edhe një ekspert i OSBE-së.


Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, bëri të ditur se ky komision po bën përpjekje për të hartuar dhe për të paraqitur në sesionin e afërt parlamentar një projektligj për SHISH.


"Sot një draft i tillë ndodhet pranë sekretarisë së komisionit dhe është i vlefshëm për çdo deputet, si dhe për grupet e interesit. Të hënën, OSBE do të dërgojë pranë komisionit një specialist britanik për të na ndihmuar me eksperiencën e tij në këtë drejtim.


Deputetët e interesuar janë të ftuar të lënë takim me të në Komisionin e Sigurisë Kombëtare", - u shpreh Demi.


Sipas kryetarit të Komisionit të Sigurisë, qëllimi kryesor i projektligjit është legjitimimi, kontrolli konstant dhe i efektshëm i Shërbimit Informativ Kombëtar për të bërë të mundur, sipas tij, respektimin dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe përdorimi efektiv i burimeve financiare që kuvendi miraton për të.

***************************

Deputeti i Partisë Socialiste komentoi votimin në Kryesi të krerëve të rretheve

Blushi: Zgjedhjet në PS, efekt për zgjedhjet vendore

TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, apeloi dje ndaj të gjithë kandidatëve që kanë ngelur jashtë procesit të votimit për kryetarë rrethesh të PS që të reagojnë, t'i kërkojnë PS-së t'i përfshijnë në listat e tyre të votimit, t'i japi mundësi të zgjidhen apo të humbin.


"Realisht, nëse zgjedhjet e ditës së diel zhvillohen siç u vendos në Kryesi, pra duke përjashtuar nga listat një numër të madh anëtarësh dhe personalitetesh të PS për t'u votuar, PS nuk do të ketë stabilitet dhe kohezioni i saj i brendshëm do të rriskohet, në prag të zgjedhjeve lokale", - tha ai.


Blushi shpjegoi se zgjedhjet e për krerët e rretheve do të kenë efekt direkt në mënyrën se si komunat apo bashkitë e Shqipërisë, kandidatët dhe këshilltarët e PS për Bashkinë dhe komunat e vitit të ardhshëm do të shkojnë në zgjedhje.


Ai pohoi se nga listat janë hequr rreth 100 kandidatë. Sipas tij, nëse PS nuk garanton zgjedhje dhe demokraci të brendshme, nuk i jep garanci shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se nëse vjen në pushtet do të garantojë të njëjtën shkallë demokracie edhe në Shqipëri. D. D

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›