E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Rezoluta, të njëjtat kërkesa me PS

Kryetari i Grupit të PS kundërshton qëndrimin e mazhorancës për rezolutën e Parlamentit Europian


TIRANË - Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, kundërshtoi dje qëndrimin e mazhorancës për rezolutën e Parlamentit Europian, duke vlerësuar se kjo rezolutë është e mohuar prej 5-vitesh për Shqipërinë. Reagimi i zyrtarit të lartë socialist u bë gjatë seancës së djeshme plenare.


"E pra, ta marrim vesh ne si parlamentarë dhe të gjithë shqiptarët, që kjo nuk është një rezolutë për liberalizimin e vizave, por është një rezolutë për integrimin europian të Shqipërisë. Është një rezolutë e mohuar sot e 5 vjet për Shqipërinë dhe për shqiptarët", - u shpreh Gramoz Ruçi.


Për sa i përket çështjes së vizave, kryetari i Grupit të PS sqaroi se është vjeshta kur do të shqyrtohen nga PE, dhe gjatë verës do vijnë ekspertët përkatës, pra në këto dy muaj, dhe do të bëjnë propozimin.


"Më lejoni që t'ju them se rezoluta e miratuar sot për këtë çështje mirëpret mbështetjen politike ndërpartiake. Kjo është përmbajtja që ka rezoluta për liberalizimin e vizave e për mbështetjen ndërpartiake, jo të mazhorancës pro, dhe të opozitës kundër", - nënvizoi Ruçi.


Duke iu referuar deklaratës së Kryeministrit në Kuvend, deputeti i PS tha se është hera e parë që PE citon se qeveria dhe opozita duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e kalimit të krizës, si një kërkesë e domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në BE, fjalë për fjalë: domosdoshmërinë e kalimit të krizës politike. Për kreun e grupit të PS, kjo rezolutë thotë se është përgjegjësia e qeverisë dhe e opozitës, që të gjejnë një zgjidhje konkrete për zgjidhjen e kësaj krize.


Gjithashtu, ai kujtoi se opozita ka 12 muaj që në Parlament dhe jashtë tij kërkojmë një komision hetimor për zgjedhjet. "Po të duhesh rezoluta e Parlamentit Europian që të citojë siç thotë ajo: Domosdoshmërinë e ngritjes të komisionit hetimor; Përbërjen e komisionit hetimor me shumicë nga opozita, e thotë rezoluta; Drejtimin e komisionit hetimor nga opozita, e kërkon rezoluta; Objektin e komisionit hetimor, që ne kemi 12 muaj që e kërkojmë, e kërkon rezoluta; Kohën e cila duhet të përfundojë, dhe t'ju paraprirë ndryshimeve dhe reformës në Kodin Elektoral, e kërkon rezoluta", - deklaroi Ruçi, duke iu referuar përmbajtjes së rezolutës së PE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›