Berisha: Të nisim hetimin e materialeve zgjedhore
Berisha dorëzohet pas miratimit të Rezolutës në PE: Çdo ligj me 3/5, mazhoranca është e gatshme t'ju ofrojë iniciativën
TIRANË - Pas miratimit të Rezolutës në Parlamentin Europian, ku kërkohej zgjidhja e menjëhershme e krizës politike, kryeministri Sali Berisha është tërhequr dje nga qëndrimet e tij të mëparshme, duke pranuar hetimin e materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar.
Duke iu referuar Rezolutës së Parlamentit Europian, por edhe thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e situatës politike, kreu i qeverisë shqiptare gjatë fjalës së tij në Kuvend theksoi se duhet filluar pa vonesë shqyrtimi i materialeve të votimit.
Megjithatë, sipas Berishës, objekti i hetimit të komisionit hetimor është shqyrtimi i materialeve zgjedhore dhe amendamentet e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Kreu i shumicës në pushtet vuri në dukje se ky qëndrim është një detyrim moral ndaj mazhorancës dhe e drejtë ligjore e çdo deputeti për të parë materialet e zgjedhjeve.
"Parlamenti kërkon, bazuar në kërkesën e opozitës, hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, të materialeve të votimit dhe përcakton këtë objekt të hetimit të komisionit hetimor parlamentar, si dhe amendamentet për zgjedhjet e ardhshme. Jam këtu para jush t'ju bëj thirrje që të fillojmë pa vonesë shqyrtimin sipas metodikës që të biem dakord, të materialeve të votimit. Kjo është, mendoj unë, një detyrim moral i mazhorancës ndaj opozitës.
Por, kjo është gjithashtu edhe një e drejtë ligjore e çdo deputeti, grupi deputeti apo qytetari për të parë materialet e votimit", - tha dje Berisha.
Por, kryeministri la të kuptohet se puna për hetimin e zgjedhjeve të kaluara duhet të kryhet nga komisioni i ngritur vetëm me votat e mazhorancës. Problemi i vetëm është se këtij komisioni i ka mbaruar afati.
Berisha i kërkoi gjithashtu opozitës që të hartojë amendamentet dhe t'i paraqesë ato për miratim në Kuvend për të bërë të mundur reformimin e sistemit elektoral për zgjedhjet e ardhshme vendore.
"Ne i qëndrojmë plotësisht vendimit tonë që ju të udhëhiqni komisionin, që ju të keni shumicën në çdo votim në këtë komision në mënyrën më të padiskutueshme. I qëndrojmë plotësisht që ju si opozitë të hartoni të gjitha amendamentet për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të gjejmë nëpërmjet tyre garancitë më të mëdha ligjore.
Rezoluta e Parlamentit Europian kërkon gjithashtu në mënyrë që opozita të ketë rolin e saj, dhe unë ju garantoj se do të keni të garantuar të gjithë rolin tuaj në këtë Parlament.
Po ju përsëris, çdo ligj me 3/5, mazhoranca është e gatshme t'ua ofrojë juve iniciativën, çdo ligj i thjeshtë, është e gatshme të diskutojë e negociojë", - u shpreh ai. Bardhi Quku