E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata politike në vend, Meta: Grip stinor, që duhet ta lëmë pas

TIRANË- Sezon ngacmimesh dhe provokimesh të panevojshme të ngjashme me një grip stinor që duhet lënë pas. Kështu e ka quajtur sot, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta situatën e fundit politike, pas akuzave dhe replikave mazhorancë-opozitë.

"Nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik për politikën shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojmë përgjegjësitë që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit nga qytetarët shqiptarë, sidomos lidhur me atë që kërkojnë ata, siç është dita e liberalizimit të vizave; një jetë më të mirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE"- tha Meta, duke iu përgjigjur pyetjes së medieve se si e sheh ai gjuhën mes dy liderëve të opozitës dhe mazhorancës.

Sipas Metës, është momenti që si qeveria ashtu edhe opozita të përqendrohen totalisht te këto sfida që janë vendimtare për gjithë vendin, pasi integrimi evropian është interesi kombëtar që tejkalon mbi çdo interes të mundshëm partiak apo atë të interesit personal.

Ai ka reaguar edhe me simbolikën e përdorur në protestën e vendorëve, (thasët me mbeturina) duke e cilësuar atë të pavend.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›