E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët e rinj, shqyrtohet kërkesa e PD-së

Me 21 dhjetor gjykata merr ne shqyrtim propozimin e Gumit. PD kerkon interpretim te neneve 125 dhe 136 te Kushtetutes

Gjykata Kushtetuese shqyrton më datën 21 dhjetor kërkesën e Partisë Demokratike për interpretim të 2 neneve të Kushtetutës për sa u përket kritereve dhe procedurës së zgjedhjeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në kërkesën e firmosur nga një e pesta e deputetëve demokratë kërkohet interpretimi i neneve 125, paragrafi 1, 2, 3 të Kushtetutës dhe nenit 136, paragrafi 1 dhe 5. Në të thuhet se duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë roli i Kuvendit në këtë proces si dhe i Presidentit të Republikës. Drafti është dorëzuar në fillim të nëntorit dhe pritet që të marrë një përgjigje zyrtare. I pranishëm në seancën e 21 dhjetorit pritet të jetë dhe një përfaqësues nga Presidenca si palë e interesuar.

Kërkesa

Në kërkesën e demokratëve të bërë publike në Komisionin e Ligjeve nga deputeti i PD-së, Viktor Gumi, kërkohet institucionalizim i procedurave dhe marrëdhënies së emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese në mënyrë që gjithë ky proces të sigurojë stabilitet. Për PD-në ka shumë rëndësi kualifikimi i gjyqtarëve dhe për këtë arsye ajo kërkon një qartësim të procedurave të rekrutimit, qoftë kjo nga radhët e trupës akademike apo praktikantëve të së drejtës. Ata shtrojnë pyetjen nëse duhet të jenë të njëjtat kritere për kompozimin e Gjykatës së Lartë me ato të Gjykatës Kushtetuese. “A duhet të ketë ndonjë raport në përbërjen e Gjykatës së Lartë, nëpërmjet raportit numerik të përbërjes së saj mes gjyqtarëve që vijnë nga pushteti gjyqësor dhe juristëve që kanë eksperiencë jashtë sistemit gjyqësor? A duhet të jetë karriera vertikale nga Gjykata e Apelit në Gjykatën e Lartë si element fundor i karrierës në gjyqësor, apo duhet të përvijohen edhe linja të tjera kompozimi për kandidaturat që i burojnë nga pushteti gjyqësor?”, - parashtrohet në kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Demokratët kërkojnë gjithashtu interpretim të nenit 125, paragrafi 3 i Kushtetutës, ku thuhet se “përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj”. Kjo kërkesë ka lindur pas debatit të ngritur lidhur me ripërtëritjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mbarimi i mandatit të 6 prej anëtarëve të kësaj gjykate shtroi për gjykim çështjen e zëvendësimit të tyre, por dhe mënyrën se si duhet të interpretohet ligji organik ku thuhet që ripërtëritja me 1/3 bëhet një herë në tre vjet. Për këtë arsye sipas demokratëve: “Në të tilla kushte lind si domosdoshmëri ballafaqimi i situatës aktuale të këtyre gjashtë mandateve me përcaktimet kushtetuese të përtëritjes çdo tre vjet dhe në një të tretën e përbërjes së saj nëpërmjet një vendimi interpretues përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”. “Përveç saktësimit të rolit të secilit institucion (Presidentit dhe Kuvendit) në momentet aktuale është e domosdoshme edhe saktësimi procedural në secilin hap që hedhin institucionet, që nga krijimi i vakancës dhe deri në plotësimin e saj sipas Kushtetues së Republikës së Shqipërisë. Udhërrëfyes të tillë proceduralë sidomos në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave mungojnë dhe pa to “përbërja cilësore dhe e përshtatshme e gjykatave” paraqitet më fizionomi të cunguar”, - thuhet më tej në kërkesë. Interpretim kërkohet gjithashtu edhe për kriterin 10-vjeçar të punës si gjyqtar, përcaktimi i saktë i llogaritjes së këtij afati si dhe nëse Kuvendi mund të shtojë kritere të tjera për vlerësimin e kandidaturave.

Nenet për të cilat kërkohet interpretim nga Gjykata Kushtetuese

Neni 125

1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.

3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.

Neni 136

1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

5. Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›