E Diel, 1 Nëntor 2026

Votojnë liderët e partive, thirrje votuesve për të dalë në zgjedhje

Në orët e mëngjesit, procesit të votimit i janë përgjigjur edhe liderët e partive politike në Kosovë. Ata kryesisht kanë adresuar mesazhe në favor të daljes së votuesve në zgjedhje, duke besuar se Kosova po kalon një proces të rëndësishëm dhe test të demokracisë. Liderë vendorë dhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë ftuar qytetarët të votojnë, duke besuar se vendi po kalon një test të rëndësishëm të demokracisë me zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur. “Zgjedhjet e lira e demokratike janë të rëndësishme për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”, - ka thënë Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Piter Feith. “Duke votuar, kosovarët do të vendosin për qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Natyrisht që është me rëndësi që zgjedhjet të kalojnë si duhet dhe pa ndonjë parregullsi në mënyrë që të përmirësohet reputacioni ndërkombëtar i Kosovës”, - ka thënë Feith. Ndërkohë, edhe përfaqësues vendorë janë shprehur optimistë për një proces të rregullt e demokratik. Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se votimet e djeshme janë për të ardhmen evropiane të Kosovës. “Sot Kosova voton për të ardhmen evropiane, për liberalizimin e vizave, për Kosovën pjesë të NATO-s, për t’u afruar dhe integruar në BE dhe në OKB, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve. Pra, voton për një të ardhme më të sigurt, për një të ardhme evropiane”, - është shprehur Thaçi. Votën e vet e ka hedhur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka theksuar se me këto zgjedhje fiton Kosova dhe qytetarët e saj. “Uroj që zgjedhjet të jenë të suksesshme dhe besoj plotësisht në suksesshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe besoj se të gjithë ne do të jemi të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve. Do të fitojë ai që e merr votën e qytetarëve”, - ka thënë Mustafa. Ndërsa ka votuar, edhe lideri i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli, ka shprehur shpresën që vota e qytetarëve të Kosovës do të respektohet. “Besoj se edhe kjo ditë do të kalojë mirë, pa probleme dhe qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar dhe e dinë se vota e tyre është e shenjtë dhe ajo do të shkojë aty ky është drejtuar”, - ka theksuar Pacolli. Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pavarur janë të një rëndësie të veçantë, është shprehur Ukë Rugova nga koalicioni AAK – Lista “Dr. Ibrahim Rugova”. “Këto zgjedhje janë të rëndësishme për fuqizimin e demokracisë në Kosovë, për fuqizimin e rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe miqësisë së përhershme me SHBA-të”, - ka potencuar Rugova. Në zgjedhjet e sivjetme po marrin pjesë dhe parti të reja. Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka theksuar se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që po mbahen në Kosovën e pasluftës: “Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për shkak se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në Kosovën e pasluftës. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe kësisoj të vendosin vetë dhe t’i sjellin ndryshimet pozitive, të cilat janë të domosdoshme në Kosovë”. Mbarëvajtjen e zgjedhjeve e kanë inkurajuar edhe eurodeputetet Doris Pack dhe Ulrike Lunacek, të cilat e kanë vizituar Komisionin Qendror Zgjedhor dhe disa qendra votimi. Ato po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e misionit vëzhgues të zgjedhjeve nga Parlamenti Evropian.

Ivanoviç: Serbët e Kosovës të mos dalin në zgjedhje

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në votime. “Qëndrimi i qeverisë serbe për këto zgjedhje është i njëjtë si më parë, që serbët nuk duhet të marrin pjesë në votime. Ne mendojmë se mund të negociojmë një status më të mirë për serbët në bisedimet e ardhshme dhe mbrojtje më të mirë për ta. Të gjithë ata që votojnë, - vazhdon më tej Ivanoviç, - duhet ta dinë se pa ndihmën e Serbisë nuk do të mund të qeverisin në mënyrë efikase dhe nuk do të jenë një partner i fortë në negociata me shqiptarët e Kosovës”.

Ivanoviç shprehet se Beogradi ua ka thënë shumë qartë se këto zgjedhje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë. Ato janë organizuar nga një shtet i vetëshpallur dhe duke marrë pjesë në votime, serbet vetëm sa do ta legjitimonin ketë shtet. Megjithatë, pavarësisht thirrjeve zyrtare të Beogradit, serbët e Kosovës i kanë injoruar ato, duke dalë masivisht në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Incidentet/ Dy serbë sulmojnë një qendër votimi

Dy persona serbë, të cilët dyshohet se kanë sulmuar qendrat mobile të votimit në veri të Kosovës, janë arrestuar nga policia e Kosovës. Policia në Mitrovicë konfirmoi dje arrestimin. Sipas zëdhënësit të policisë, Besim Hoti, dy personat dyshohet se kanë sulmuar me mjete piroteknike. Sulmi i parë është kryer në qendrën mobile në fshatin Banov Do të komunës së Zveçanit ku nga mali persona kanë hedhur shashka në drejtim të qendrës mobile. Ndërsa që sulmi i dytë, po thuajse identik, ka ndodhur në fshatin Jashevik të Zubin Potokut, duke sulmuar me shashka mobile te votimit. Personat që kanë sulmuar ekipet mobile janë: Millan Raje, Millosh Kabashiç dhe personat me nofkën Gjakovica dhe Mitrovica. Gjithashtu akuzohen se me mesazhe kërcënuese kanë kërcënuar ekipet e lëvizshme të hiqen me njëherë, ose “do të sulmohen me armë zjarri”. Ndërkaq në fshatin Serbovac, rreth 50 persona të komunitetit serb kanë tubuar në mënyrë që të pengojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve. Media kosovare thonë se grupet serbe veprojnë me urdhër të Koshtunicës. Ata janë duke shkuar nga qendra në qendër me qëllim të largimit të tyre por edhe të frikësimit të qytetarëve serb në mënyrë që të mos lejojnë të dalin për të votuar. Për këtë shkak dy qendra mobile të votimit nga veri kanë kaluar në jug të Mitrovicës, kanë theksuar burimet e cituara nga media. Votimet janë duke u zhvilluar edhe ne 5 fshatrat boshnjake të komunës së Leposaviqit. Përgjigja e votuesve në këto zgjedhje është e kënaqshme, përkundër incidentit që ndodhi disa ditë më parë kur mbet i vrarë Shefko Sallkoviç, përfaqësues i këtyre fshatrave si dhe anëtar i KQZ-së. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›