E Shtunë, 31 Tetor 2026

Exit Poll i Gani Bobit: PDK 32%, LDK 25%, "Vetëvendosja" 16.5%

Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi”, ka dalë me rezultate të Exit Poll-it, të cilat drejtuesi i kësaj qendre, Shkëlzen Maliqi, nga frika e gabimeve që mund të bëhen, e ka quajtur anketë. Sipas Exit Poll-it, PDK ka fituar 32 për qind, LDK 25 për qind, “Vetëvendosja” 16 për qind, AAK ka fituar 12.5 për qind, ndërsa AKR 6.5 për qind. Rezultatet nuk janë shumë larg asaj që më parë ishte publikuar nga sondazhe të kryera në Prishtinë. Në bazë të kësaj ankete pragun zgjedhor nuk e kalojnë dy subjektet FeR 4.5% dhe LDD me 2.5 për qind. Për subjekte të tjera janë deklaruar 2.5 për qind e votuesve. Megjithatë, partitë i kanë kundërshtuar rezultatet e Exit Poll-it dhe pretendojnë se kanë marrë më shumë vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në mbarë Kosovën janë mbyllur në orën 19:00 të ditës së djeshme, përveç atyre ku mund të ketë pasur njerëz në pritje për të votuar. Lajmin e ka konfirmuar Fehmi Ajvazi, zëdhënës i KQZ-së. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka raportuar për probleme të theksuara në terren, përveç incidenteve në veri të Kosovës, ku në dy vendvotime është penguar mbajtja e votimit. Problem kanë paraqitur llambat ultravjollcë të cilat nuk kanë qenë funksionale, ndërsa ato janë zëvendësuar me të tjera që janë sjellë nga Shqipëria. Pritet që rezultatet e para të dalin në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Kundërshtimet

Lëvizja "Vetëvendosje" në një deklaratë për shtyp të publikuar në Prishtinë bëri të ditur disa parregullsi të konstatuara prej saj gjatë procesit zgjedhor që u zhvilluan dje në Kosovë dhe për të cilat drejtues të saj kanë njoftuar KQZ-në, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe mediat. Sipas deklaratës, parregullsitë janë vërejtur në disa qendra votimi në Mitrovicë, ku ka munguar energjia elektrike gjatë orëve të mesditës, ndërkohë që procesi i votimit ka vazhduar, në Deçan, në fshatin Velekincë të Gjilanit. Ndërkohë, parti të tjera kanë dalë menjëherë pas bërjes publike të Exit Poll-it të Gani Bobit, duke i kundërshtuar ato. Kështu, zëdhënësit e LDK-së, AAK-së dhe AKR-së deklarojnë se ky Exit Poll nuk paraqet rezultatet reale që kanë arritur këto parti në zgjedhje. Zëdhënësja e AKR-së foli edhe për probleme në këto zgjedhje, në qendra të ndryshme votimi, në të gjithë Kosovën. Ndërsa nga ana e saj PDK-ja e Thaçit deklaroi se është rreth 10% përpara partive të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›