E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova voton qeverinë e re, serbët i bashkohen votimit

Lideret e partive, thirrje votuesve te dalin ne zgjedhje. Zgjedhjet e 12 dhjetorit, test per Kosoven

Në Kosovë janë hapur mëngjesin e djeshëm, në orën 07:00, pothuajse të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat janë të parat pas deklarimit të pavarësisë më 17 shkurt 2008. Kosova zgjedh liderët e saj të rinj në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të nxitura nga një krizë në qeverisjen në duart e dy partive rivale, Partisë Demokratike të Hashim Thaçit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të drejtuar deri para disa muajsh nga Fatmir Sejdiu dhe tashmë e drejtuar nga Isa Mustafa. Rreth 1 milion e 600 mijë qytetarë në Kosovë me të drejtë vote pritet të zgjedhin fytyrën e re qeverisëse, ndërkohë që deklarohet se pjesëmarrja në votime ka qenë nën 50%. Megjithatë, dita e djeshme nuk ka qenë pa surpriza.

E paparashikuar, por ndodhi që pakicat serbe u janë drejtuar në masë qendrave të votimit. Megjithatë, aty këtu nuk kanë munguar as incidente të vogla, kryesisht në qendrat e votimit të ngritura për të votuar enklavat serbe, kryesisht në veri të Kosovës, në Mitrovicë, konkretisht në zonën e Leposaviqit, Shtërpcë, ku disa grupe të organizuara me serbë kanë protestuar për daljen në votim të disa serbëve të tjerë.

Ndërkohë, ajo që mund të konsiderohet si një sukses, është injorimi që enklavat serbe i kanë bërë thirrjes së zyrtarëve të Beogradit për të bojkotuar procesin zgjedhor. Dalje masive në votim ka pasur në një nga qendrat më të mëdha me pakicë serbe, në Graçanicë, disa kilometra larg Prishtinës, ku banorët kanë hedhur votën për personin që kanë menduar si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Fituesi

Vetëm sot pritet të ketë një rezultat paraprak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me fituesit e 120 vendeve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa një rezultat më të shpejtë do të jepet në kohë reale nga vëzhguesit vendorë të “Demokracia në Veprim”. Po sot pritet që me një rezultat për ecurinë dhe standardet zgjedhore pritet të dalin edhe vëzhguesit ndërkombëtarë të rrjetit evropian ENEMO, e cila ka 182 vëzhgues të shpërndarë në gjithë rajonet e Kosovës. Por, ajo që është parashikuar, është se PDK e Hashim Thaçit parashihet si fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë. Nëse realisht do të fitojë partia e Kryeministrit Thaçi, ashtu siç edhe parashikohet nga analistët politikë në Kosovë, atëherë do të ketë një koalicion me partinë e Bexhet Pacollit, i cili parashihet edhe si presidenti i ardhshëm.

Por, edhe zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi, ka dhënë dje një deklarim të befasishëm, duket u shprehur se nuk përjashtohet aspak një koalicion edhe me partinë e Ramush Haradinajt. “Ajo që është e rëndësishme përkundër faktit që janë zgjedhje të parakohshme, tashmë KQZ, që është organ kushtetues për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka dëshmuar një seriozitet, një organizim të mirëfilltë. Në mbarë Kosovën janë hapur vendvotimet, nuk ka probleme të theksuara. Ka pasur çështje të caktuara teknike, të cilat janë adresuar. Procesi është i mbarë deri në këto momente, pa incidente, me ndonjë problem të caktuar, në zona të caktuara, por që nuk mund të thuhet se mund ta dëmtojë procesin”. Krasniqi nuk ka dashur të komentojë se me cilat parti do të bëjë koalicion PDK në rast se fiton. “PDK gjithmonë ka pasur një logjikë shtetërore. Gjithmonë ka vendosur Kosovën mbi të gjitha interesat e tjera. Nuk ka pasur logjikë përjashtuese ndaj askujt. Rëndësi ka të kemi një proces të hapur, transparent e demokratik dhe më pas do definohen edhe koalicionet”, - tha Memli Krasniqi. I pyetur për një koalicion të mundshëm me partinë e Haradinajt, Krasniqi nuk e përjashtoi një gjë të tillë, por tha se kjo do të vendosej pas zgjedhjeve. “Kemi logjikë integruese, këtë e kemi dëshmuar edhe në qeverisje”, - ka deklaruar ai.

Procesi

Procesi zgjedhor, i cili ka filluar në orën 07:00 të ditës së djeshme në gjithë territorin e Kosovës, përfshi edhe vendet ku ka pakica serbe, ka ecur normalisht dhe i qetë, me përjashtim të disa incidenteve të vogla. Ajo që shihet në këtë proces dhe që bie menjëherë në sy, është votimi familjar. Një person brenda familjes është ai që ndihmon gjithë familjen, me justifikimin e analfabetizmit. Një gjë e tillë është lejuar dhe një nga kryetarët e qendrave të votimit shpjegoi se gjatë trajnimit janë instruktuar që çdo person që has vështirësi për shkak të faktit se nuk din të lexojnë apo shkruajë, duhet patjetër të ndihmohet nga një familjar, i cili regjistrohet në një regjistër të posaçëm

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›