Mandati i Beqes, gjykata vendos më 23 dhjetor

Kushtetuesja shqyrton kerkesen e Kuvendit. Me 22 dhjetor interpretim per 4 nene te Kushtetutes
Më 23 dhjetor pritet vendimi nëse deputeti socialist Ilir Beqja do të vijojë të mbajë më mandatin e tij apo jo. Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim pikërisht në këtë datë kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë, e cila u votua në seancë plenare me 70 vota pro. Edhe pse socialistët qëndruan në sallë dhe ndryshe na çdo herë tjetër, morën pjesë në votim, nuk mundën të rrëzonin propozimin për përcjelljen e kësaj kërkesë në Kushtetuese, ndërkohë që një ditë para kësaj kërkese do të shqyrtohet një tjetër çështje, por këtë herë e kërkuar nga Partia Socialiste. PS ka kërkuar interpretim të katër neneve të Kushtetutës, përkatësisht të neneve 69, 70, 71, 72, ku flitet për mandatin e deputetit.
Kërkesa e Kuvendit
Kuvendi votoi raportin e përgatitur nga Këshilli për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin, ku mendimi i shumicës kërkonte heqjen e mandatit të deputetit socialist, ndërsa mendimi i pakicës ishte kundër. Gjatë diskutimeve të bëra në Këshillin e Mandateve më tej dhe në seancë plenare mazhoranca u shpreh e bindur se Beqja ka shkelur Kushtetutën, sepse mandati i tij i deputetit ka nisur që në momentin kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur fituesit e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sipas raportit të demokratëve, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, aksioner me 51 për qind në kompaninë Intech Plus ka përfituar para të fondeve publike, nga pjesëmarrja në një tender të shpallur nga Bashkia e Durrësit, gjatë periudhës gusht 2009 - maj 2010. Kjo situatë, sipas përfundimeve të Këshillit për Mandatet, bie ndesh me nenin 70 dhe nenin 71 të Kushtetutës. “Kërkesa e paraqitur nga më shumë se 1/10-a e deputetëve të Kuvendit plotëson kushtet formale dhe është e shoqëruar me dokumentet përkatëse. Në këto kushte Këshilli i kërkoi seancës miratimin e kërkesës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, çështjen e konstatimit të papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të z. Ilir Beqja”, - thuhej në kërkesën e demokratëve të paraqitur në seancë nga deputeti Viktor Gumi. Edhe deputeti i PD-së, Eduart Halimi, akuzoi Beqen se ka përfituar fonde publike, ndërsa mbi 200 milionë lekë i fitoi për një kohë të shkurtër në kohën që ishte në detyrë. Por socialistët pretenduan se Beqja nuk ka qenë në atë kohë deputet, pasi nuk kishte bërë betimin. Sipas deputetit të PS-së, Fatmir Xhafaj, Beqja është sulmuar politikisht. “Beqja hoqi dorë nga kompania para betimit si deputet. Ju ftoj që të ndalojmë këtë seancë dhe të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”, - tha Xhafaj. Ndërsa deputeti Beqja deklaroi se nuk ka pasur mandat deri më 25 shkurt. “Në mbledhjen e datës 15 tetor, i pranishëm në seancën dëgjimore, deputeti Beqja u shpreh: “Kompania ku unë jam një nga ortakët, ka konkurruar për kontratën e fazës së dytë të punës në fjalë. Unë Ilir Beqja nuk kisha filluar të ushtroja mandatin si deputet... Unë e kam bërë betimin dhe kam filluar ta ushtroj mandatin tim kushtetues të deputetit në datën 25 shkurt të vitit 2010... Betimi është një moment juridik, formal, me pasoja të drejtpërdrejta në gamën e të drejtave dhe detyrimeve të çdo deputeti... Ushtrimi i funksionit të deputetit, për mua dhe për secilin nga kolegët socialistë, ka filluar në datën 25 shkurt të vitit 2010”, - deklaroi ai në seancën dëgjimore të zhvilluar në Këshillin e Mandateve. Pavarësisht kontestimeve të tij dhe të opozitës raporti i mazhorancës ka kaluar për interpretim në Gjykatë Kushtetuese. Do të jetë kjo e fundit që do të marrë vendimin final për heqjen ose jo të mandatit të deputetit socialist.
Kërkesa e PS-së
Partia Socialiste depozitoi pak javë më parë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për interpretim të 4 neneve të Kushtetutës, ku flitet për mandatin e deputetëve. Kjo kërkesë me 37 firma të të zgjedhurve socialistë, e dërguar nga deputeti Taulant Balla do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese më datën 21 dhjetor. Vendimi i opozitës për interpretim të Kushtetutës u bë një ditë para se mazhoranca të votonte në seancë plenare raportin e Këshillit të Mandateve për ndërprerjen e mandatit të Ilir Beqes.
Nenet e Kushtetutës për të cilat PS kërkon interpretim
Neni 69
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.
Neni 70
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.
2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj.
3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.
4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Neni 72
Para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend.