E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët, në skanerin e institucioneve



Erald Kapri

Një dosje voluminoze i është dërguar Komisionit të Ligjeve në Kuvend nga institucionet e drejtësisë, ku japin një informacion të gjerë për 3 të përzgjedhurit e Presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë. Prokuroria, KLD-ja, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Dhoma e Avokatisë, Ministria e Drejtësisë kanë dërguar dosjen me përgjigjet e kërkuara nga deputetët. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar një informacion të detajuar në lidhje me karrierën në gjyqësor të kandidatëve Medi Bici e Sokol çomo. Për më tej KLD-ja ka dërguar në Komisionin e Ligjeve të gjitha vendimet që kanë pasur ankesa për gjykimin e gjyqtarëve Sokol çomo e Medi Bici ndër vite, ankesa që kanë ardhur kryesisht nga individë, pasi KLD-ja nuk ka marrë ndonjëherë ndonjë masë disiplinore ndaj tyre. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar dokumentacionin mbi kandidatin Vexhi Muçmata, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Nga ana e saj, ILDKP ka dërguar deklaratat e pasurisë së tre kandidatëve.
Dosja
ILDKP shprehet se të tre kandidatët kanë pasur mundësinë të kontrollohet nga ky inspektoriat, nga ku rezulton se për prokurorin Muçmata ka një urdhër për hetim të disa transaksioneve në pasurinë e tij. ILDKP bën me dije se kandidati Medi Bici ka një shtëpi banimi 2-katëshe ende të pahipotekuar, ndërsa më i varfri ndër tre kandidatët është Sokol çomo, avokat dhe ish-kreu i Gjykatës së Tiranës, i cili ka vetëm një apartament të blerë me kredi. Kandidati më i pasur është prokurori Muçmata, i cili gëzon pasuri të patundshme si dhe aksione në disa kompani të njohura në tregun shqiptar. KLD nga ana e vet ka specifikuar karrierën në gjyqësor të Medi Bicit e Sokol çomos. Ajo vëren se kandidatura e Medi Bicit, sot gjyqtar në Gjykatën e Apelit tek Krimet e Rënda Tiranë, nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore ndaj tij. Gjatë gjithë karrierës 17-vjeçare, ka pasur 7 ankesa individuale për punën e Bicit, ndërsa shton se ai nuk ka qenë në strukturat e hetimi apo persekutimit politik të disidentëve shqiptarë në kohën e diktaturës. Për sa i përket kandidaturës së Sokol çomos, KLD-ja shprehet se, gjatë kohës që ishte gjyqtar dhe kreu i Gjykatës së Tiranës, nuk ka pasur masa disiplinore ndaj tij, ndërsa ka pasur 14 ankesa individuale për punën e tij dhe se ai nuk ka qenë në strukturat e hetimit apo persekutimit politik të disidentëve shqiptarë në kohën e diktaturës. KLD ka dërguar në dosjen e plotë në Kuvend të gjitha vendimet që çomo e Bici kanë marrë, për të cilat janë ankimuar, apo ka pasur ankesa për gjykimin e tyre. nga ana e saj, Kryeprokurorja Ina Rama ka dërguar në Kuvend të gjithë aktivitetin profesional të Vexhi Muçmatës. Në këtë informacion dërgohet e plotë karriera e tij që nga emërimi në hetuesinë e Mirditës në vitin 1990, e deri tek kërkesa e Muçmatës për t'u transferuar në vitin 2003.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›