E Diel, 1 Nëntor 2026

“Burra që urrejnë gratë”, ose epilogu i një jete të pambaruar

Blendi Salaj

Më 9 nëntor 2004, Stieg Larsson mbërriti si çdo mëngjes në zyrat e “Expo”-s, një revistë antifashiste, të cilën ai vetë e kishte themeluar. Për shkak se ashensori ishte i prishur atë mëngjes, Z. Larsson vendosi të përdorë shkallët deri në katin e 7, dhe kjo zgjedhje duket se i kushtoi jetën. Me të mbërritur në katin e revistës, Stieg Larsson pësoi një atak kardiak të fuqishëm. Trupi i tij mbërriti në spital pa jetë. Ishte një vdekje e papritur, e parakohshme dhe fatkeqe, megjithatë z. Larsson, 50- vjeçar, pinte më tepër se një paketë duhani në ditë, dhe kishte reputacion për preferencën e tij për ushqimet e shpejta dhe të yndyrshme. Vetëm disa javë përpara vdekjes së papritur, gazetari suedez Stieg Larsson pati dorëzuar pranë një shtëpie botuese dorëshkrimet e tre romaneve të tij të parë, të përmbledhur nën trilogjinë “Milenium”. I pari ndër ta është “Burra që urrejnë gratë”, të cilin shtëpia botuese “Dudaj” na e sjell në shqip përmes përkthimit të zhdërvjellët të Alina Karakullit. Stieg Larsson punonte pa orar dhe konsumonte shumë kafe. Në orët pas punës shkruante “Burrat që urrejnë gratë” deri sa zbardhte agimi. Jetonte gjysmë në fshehtësi pasi grupet neonaziste në Suedi e kishin vendosur në listë për atentat për shkak të aktivitetit të tij gazetaresk në ekspozimin e këtyre grupeve të racizmit në Suedi. E ndoshta, e kapur në gjithë këtë vorbull, zemra e tij u dorëzua atë mëngjes nëntori. Larsson vdiq pa mësuar se tre librat e tij do të ktheheshin në një fenomen ndërkombëtar që kanë kaluar mbi 40 milionë kopje të shitur në mbarë botën. Mbi librat e tij u ndërtuan skenarë për filma të prodhimit suedez dhe projekte hollivudiane, ku rolin e personazhit kryesor planifikohet ta luajë Brad Pitt, dora vetë. Mikael Blomkvist kishte qenë për shumë vite një gazetar ekomomik i respektuar në të gjithë Suedinë, por kur e takojmë fillimisht në faqet e para të romanit “Burra që urrejnë gratë” karriera dhe reputacioni i tij janë shkërmoqur brenda natës. Gjërat duket se po shkojnë shumë ters për gazetarin veteran, deri në momentin kur një industrialist i vjetër suedez i bën ofertën që mund të verë në vend nderin e tij, dhe një ofertë për të hetuar një ngjarje makabre është një ofertë që Mikael Blomkvist nuk mund ta refuzojë. Ai merr në ndihmë një vajzë gjysmë të çartur, por plotësisht gjeniale, Lizabetë Salanderin, e cila ka vuajtur abuzime qysh në fëmijëri, çka në vend që ta dobësonin e kanë kthyer në një “famme fatale” të çeliktë. Këtij çifti të pazakontë do t’i duhet të hetojë një rast enigmatik nga e kaluara, zhdukjen misterioze të adoleshentes Harriet Vagner disa dekada më parë, nga shtëpia e pushimit të familjes së saj në një ishull në veri të Stokholmit. Qysh nga viti i zhdukjes, çdo përvjetor, xhaxhai i vajzës ka marrë me postë një lule të thatë, që ai beson se i dërgohet nga vrasësi. Pikërisht kur gazetari Mikael Blomkvist pranon të zbulojë të vërtetat e kësaj enigme nis edhe një spirale ngjarjesh shokuese, të cilat e mbërthejnë lexuesin në një thriller magnetizues, duke bërë që të mos e lëshojë dot më librin nga dora. Në dukje një vend i qetë, i këndshëm dhe civil ku të gjithë ngasin biçikleta dhe pinë kafe në tasa të mëdhenj, Suedia ka në fakt edhe një anë “noir”, e cila zbulohet në mënyrë drithëruese në trilogjinë “Milenium”. “Burra që urrejnë gratë” është një histori vrasjesh në seri dhe korrupsioni korporatash që shtrihet në disa kontinente. Romani i ka të gjitha; rrëmbimin e 16-vjeçares në ishull, misterin që pason zhdukjen e vajzës, të afërmit e dyshimtë, fshatin aspak mikpritës, marrëveshjet seksuale të stilit suedez, ndjekjet me makina, torturën si dhe zhbirime të jashtëzakonshme kompjuterike, të cilat janë specialiteti i Lisabetë Salanderit, heroinës sonë, vajzës me tatuazhin e dragoit. Stili i Stieg Larssonit është ekomomik dhe efiçent, tipik i një gazetari të mirëfilltë. Ama romani ka të tillë ritëm dhe intrigë që të bëjnë të mbash frymën, ndërsa zbulon me ankth shtresat e errëta të një historie tronditëse. Pak si Agatha Kristie në mbajtjen pezull e pak si Tolstoi për nga dendësia e personazheve, “Burra që urrejnë gra” është libër i mirë për verën, por ky nuk është një libër për të shtyrë orët nën çadrën e plazhit. Ashtu si sugjeron edhe titulli, libri trajton një nga kauzat e jetës së autorit, abuzimin ndaj grave. Sepse nën natyrën e qetë dhe bionde të Suedisë, gëlojnë probleme racizmi dhe shfrytëzimi, të cilat ishin të rëndësishme për gazetarin aktivist Stieg Larsson. Në të vërtetë, personazhi qendror i “Burra që urrejnë gratë”, gazetari Mikael Blomkvist është një pasqyrim autobiografik i vetë autorit tonë. Të tjera shigjeta drejtohen kah imoraliteti i korporatave të mëdha dhe racizmi i fshehur, por gjithnjë prezent i shoqërive skandinave. Në përfundim, është një libër që do t’ju argëtojë shumë, e do ju vlejë po aq.
Post Mortum
Pas vdekjes së Stieg Larssonit nisin edhe të tjera andralla që e kanë mbajtur emrin e tij në faqet e gazetave për vite me radhë. Për shkak se donte të mbronte identitetin e saj nga ndonjë sulm i mundshëm, Stieg Larsson nuk kreu asnjëherë ceremoni martese me partneren e tij të 32 vjetëve, znj. Gabrielsson. Për këtë arsye, të gjitha të drejtat e autorit dhe shumat e mëdha të përfituara nga shitjet e librave të tij, me ligjin suedez nuk i përkasin asaj, por babait dhe vëllait të tij, me të cilët Stig Larsson kishte marrëdhënie të ftohta. Kështu, vdekja e tij u pasua nga një betejë e egër në gjykata dhe artikuj shtypi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›