Një arritje mëshiruese
Plator Nesturi
Më së fundmi hapet rruga për një vendim të liberalizimit të shpejtë të vizave për shqiptarët. Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian, pas zigzageve të shumta të këtyre muajve si rezultat i ngërçit politik që kish mbërthyer institucionet e vendit, hapi dritën jeshile që brenda këtij viti shtetasit shqiptarë të mund të lëvizin lirshëm në hapësirën Shengen. Vendimi që pritet të merret gjatë muajve të vjeshtës do t'i nënshtrohet së pari monitorimit të strukturave të BE-së për zbatueshmërinë e ligjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në çështjet e pronës dhe të drejtës së saj si dhe në kërkesën për riintegrimin e të kthyerve shqiptarë pas aplikimit të liberalizimit të vizave. Për sa i përket marrjes së statusit si vend kandidat, europianët bëjnë sërish thirrje se kjo do të varet nga përgjegjësia e klasës politike dhe zgjidhjes së krizës nga ana e saj. I parë në një fokusim të ngushtë të këtij vendimi, rezoluta e PE mund të konsiderohet një arritje e madhe për Shqipërinë e qytetarët e saj dhe prej së cilës klasa politike duhet të ndihet e vlerësuar për kontributin, që presupozohet se ka dhënë për këtë sukses. Por e vërteta nuk përputhet me këtë gjykim. Edhe njëherë vendi ynë, i mbarsur me problematika të shumta dhe ku dritëhijet e shtetit ligjor e klasifikojnë larg emërtimit të një shoqërie demokratike, tolerohet nga dashamirësia e ndërkombëtarëve. Ndërsa elita jonë politike është në majën e bollëkut të vërejtjeve që kanë europianët për një demokraci funksionale në Shqipëri. Por si ndodhi që sërish u mbajtëm me hatër dhe nuk u penalizuam, çfarë mund të kish ngjarë në skakierën politike, nëse vizat do të vonoheshin dhe çfarë pasojash do të sjellë kjo amulli në hapat e mëtejshëm të vendit në proceset integruese? Për gjithçka u arrit dhe mënyra e sesi u përftua ajo, ia vlen pak reflektim për të kuptuar gjithë çka ndodhi.
Modeli i Bosnjës
Deri një vit më parë, Qeveria shqiptare nuk i kish punët mirë me institucionet europiane. Kryeministri Berisha dorëzoi pak përpara zgjedhjeve kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat me gjithë këshillat e panumërta të vendeve të BE, që të mos nxitohej në këtë veprim. BE dukej se nuk ishte e gatshme, madje as e mirëpritur ndaj këmbënguljes së Tiranës, kur dihej se demokracia shqiptare kish prodhuar veç tensione kokëçarëse edhe pse vendi ndodhej përpara zgjedhjeve parlamentare. Votimi asnjëherë nuk ishte zhvilluar sipas standardeve dhe frika se dhe ato të 28 qershorit nuk do t'u shmangeshin parregullsive, për fat të keq rezultoi e drejtë. Institucionet europiane nuk i kursyen vërejtjet për klasën politike, çka nënkuptonte më së tepërmi maxhorancën qeverisëse, për përgjegjësinë direkte të saj në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Opozita, me gjithë akuzat për parregullsi të numërimit të votave, ishte ende e zënë me krizën e saj të brendshme mbi mundësinë e zëvendësimit të Ramës nga kreu i PS, ndaj nuk kish ndonjë interferencë të madhe mbi qëndrimet e ndërkombëtarëve ndaj performancës së Qeverisë. Sidoqoftë, problemet në procesin zgjedhor parashihnin një furtunë të instancave të Brukselit mbi maxhorancën. çështja e statusit të kandidatit të Shqipërisë si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e saj vendoset të merret në shqyrtim, por si rrallëherë më parë, gjykimi për të ndahet nga rasti i Bosnje Hercegovinës, për të mos u vendosur në grup, ndonëse në këtë rast ishin vetëm dy vende që prisnin në radhë.
Në atë kohë, kjo ndarje vlerësohej si një tolerancë për Bosnjën, pasi me gjithë problemet që kish në mbarëvajtjen e këtij shteti të ri, Brukseli kishte vendosur që ta mbështeste politikisht. Bllokimi i liberalizimit të vizave për boshnjakët mund të dëmtonte qeverisjen dhe nga kjo do të përfitonin separatistët, që synonin ndarjen e republikës ballkanike me tri etni në gjirin e saj. Veçimi i rasteve për shqyrtim parashikonte gjithashtu se Shqipërinë e priste "kopaçja" e vërejtjeve dhe e pakënaqësisë për të gjitha ato të meta që kish shpalosur klasa politike në realizimin e një shteti funksional e sipas standardeve demokratike. Mbi bazë të kësaj fryme të krijuar në institucionet e BE, vështirë të parashikohej ndonjë zgjidhje e shpejtë pozitive për statusin e kandidatit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. E megjithatë, nuk ndodhi kështu. Ishte pikërisht kriza që përfshiu arenën politike, ajo që na afroi pranë Bosnjës, duke u hedhur gunën kritikave të BE-së dhe të na tolerojnë për mangësitë tona? Gjasat duken të tilla. Deklaratat kontradiktore të kreut të PS dhe sidomos nisja e bojkotit parlamentar që zgjati për gjashtë muaj radhazi, nuk u përcollën mirë nga funksionarët në Bruksel. Shqipëria vërtet paraqiste probleme në mbarëvajtjen e saj si shtet, por gjithsesi ajo duhej të funksiononte si demokraci, qoftë edhe me të meta. Futja sërish në rrethin vicioz të konfliktit politik dhe bllokimit të jetës parlamentare mund të ishte një arsye më shumë që ky vend duhej të bënte hapa të tjerë drejt kulturës demokratike e më pas të kërkonte statusin e një vendi prej të barabarti në familjen europiane. Por atëherë kur mendohej se shqiptarët do e "mësonin" demokracinë prej kërbaçit (shtimit të kushteve për të përmbushur), ndodhi e kundërta.
Futja në grevën e urisë së deputetëve socialistë, menjëherë pak ditë pasi kishin bërë betimin në Kuvendin e Shqipërisë, e shtoi më shumë idenë e absurdit tek ndërkombëtarët. Liderët shqiptarë nuk ishin vetëm ca tekanjozë që s'dinin të ulnin hundën përpara njëri-tjetrit, por nuk kishin as sensin e përgjegjësisë për të ardhmen e vendit e tyre. Në këto kushte ka ndodhur kthesa e BE-së në vendimet që do të merreshin për Shqipërinë. Ishte e qartë se mbajtja e qëndrimeve të ashpra ndaj Qeverisë (pavarësisht të metave të dukshme të saj) dhe bllokimi i procesit të liberalizimit të vizave, veç do ta shtonte kaosin në vend, që nuk ishte i paktë pas bojkotit parlamentar dhe grevës së urisë së deputetëve opozitarë, që zgjati prej 19 ditësh në sheshin para Kryeministrisë. Për të ftohur gjakrat dhe për t'i hapur udhë një zgjidhjeje mbi baza institucionale dhe jo nga rruga, u zgjodh mënyra që të mbështetej Qeveria Berisha për uljen e toneve të konfliktit dhe si një valvul shkarkimi për pakënaqësitë, të tolerohej lëvizja e lirë e qytetarëve në hapësirën Shengen. Jo më kot, projektrezoluta e Parlamentit Europian, që pritej të miratohej një muaj më parë, kishte shumë më tepër vërejtje dhe kërkesa për t'u përmbushur sesa ajo që u miratua disa ditë më parë për Shqipërinë.
Përfundimi mëshirues
Si konkluzion i gjithë kësaj, mund të thuhet se arritëm të marrim një vlerësim pozitiv e të na hapen dyert për lëvizjen e lirë në BE, jo prej meritave tona si shtet, shoqëri apo si klasë politike, por pikërisht pse u shamatosëm aq shumë mes nesh një vit radhazi, saqë mund të jepnim shembullin e keq se demokracia nuk funksionon edhe në një vend brenda hapësirës europiane. Nga ana tjetër, Qeveria Berisha por edhe shqiptarët, duhet të falënderojnë politikën e palogjikshme të kryetarit të PS, që i trembi aq shumë europianët me kaosin politik që shkaktoi, saqë i kurseu maxhorancës kritikat për mëkatet e saj në zgjedhje e qeverisje, ndërsa shqiptarëve ua afroi kohën për të lëvizur lirisht. Dhe së fundi, shprehja "nga humbja në disfatë" nuk duhet të përdoret më në Shqipëri, pasi kemi dështuar gjithmonë për ta ndërtuar vetë të ardhmen e këtij vendi, por nuk na kanë lënë të huajt të shkatërrohemi me gjithsej. Rasti i fundit i kësaj tolerance të BE-së është shembulli më i qartë.