E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kuvendi të nisë reformën zgjedhore”



ADI SHKEMBI

Lëvizja Socialiste për Integrim do ti kërkojë Kuvendit të përcaktojë një kalendar të qartë për nisjen e reformës elektorale. Këtë e bëri të ditur dje kreu i LSI-së, Ilir Meta gjatë një takimi të komisionit të reformës zgjedhore, një strukturë që merret me çështjet zgjedhore pranë kësaj partie. Sipas tij, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço do ti kërkojë byrosë së Parlamentit të përcaktojë një datë për nisjen e kësaj reforme. "Të fillojë angazhimi edhe i Parlamentit në këtë drejtim, sepse çdo vonesë absolutisht që mund të cenojnë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, që në fakt nuk është ndonjë çudi e madhe të jetë një qëllim i alibisë së ashtuquajtur transparencë. Transparenca bëhet në kohë", tha Meta. Kreu i LSI theksoi se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse. "Mun-dësisht sa më shpejt dhe një komision gjithëpërfshirës parlamentar dhe jashtëparlamentar, duke lexuar me vëmendje rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit në Shqipëri në amendamente dhe në koncepte të qarta që garantojnë një transparencë të plotë të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm të zgjedhjeve përpara se ato të fillojnë", u shpreh më tej ministri i Jashtëm. Meta vlerësoi se kjo forcë politike do të japë kontributin e saj për të bërë një reformë e cila do të garantojë transparencën e plotë të zgjedhjeve. "Unë mendoj se i bëjmë një shërbim edhe demokracisë, por njëkohësisht tu bëjmë të qartë të gjithëve se ata që duan transparencë punojnë në kohë për transparencën, dhe procesi nuk mund të jetë transparent pa qenë gjithëpërfshirës", theksoi zv.kryeministri. "Pavarësisht se dhe në zgjedhjet e fundit ne jemi forca e tretë politike në vend, ne mendojmë se është e domosdoshme për shkak dhe të numrit të kufizuar të forcave politike që ka sjellë kodi elektoral me të cilin u zhvilluan zgjedhjet e fundit, që reforma të jetë e plotë, duhet të kemi parasysh gjithëpërfshirje jo vetëm të të gjitha forcave politike që janë në Parlament, por edhe ato që janë jashtë tij, aq më shumë të të gjithë aktorëve të rëndësishëm të cilët kanë qenë të angazhuar me zgjedhjet, me transparencën e tyre, që janë element kyç i të gjithë demokracisë dhe i sistemit tonë demokratik", theksoi Meta. Por i menjëhershëm ishte reagimi i PS-së. Nëpërmjet zëdhënëses, Armela Imeraj, kjo forcë hodhi poshtë çdo lloj bashkëpunimi pa u bërë më parë transparenca e 28 qershorit. "Ta harrojë Ilir Meta dhe Sali Berisha se mund të ketë komisione dhe reformë zgjedhore pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të kaluara. Ata që shkelën kodin dhe ligjin e që tani po shkelin kushtetutën duke mohuar transparencën, duhet ta kenë të qartë se çdo gjë fillon me kryerjen e transparencës dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit të shkuar", tha Imeraj.

Balla: Ftesa e Berishës, hipokrite

Një ditë pas ftesës së Berishës për të bashkëpunuar me PS-në për reformën zgjedhore, reagon selia rozë. Deputeti Taulant Balla tha dje në një konferencë për shtyp se ofertat e kreut të Qeverisë janë hipokrite. "Tamam si një Mugabe në mes të Europës, në vend që të reflektonte për qorrsokakun ku e ka futur vendin, Sali Berisha u tregua edhe një herë një hipokrit i pandreqshëm duke ftuar opozitën për bashkëpunim. Sali Berisha përdori dje logjikën e një hajduti xhepash, që pasi të vjedh herën e parë, kërkon të të vjedhë përsëri", tha Balla. Sipas tij "Sali Berisha na propozoi dje të harrojmë që një vit më parë u grabiti shqiptarëve votat për t'u grabitur atyre më pas gjithçka: troje, paga, pensione, fonde publike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›