E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, anija po fut ujë

Ervin Bushati

Parametrat Fiskale të mbarëvajtjes financiare të Qeverisë, me shifra paraqesin realitetin e një përmbytje masive - për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së kabinetit Berisha, të kombinuar me krizën ekonomike në vend. Defiçiti Buxhetor është në nivelin 154% të parashikimit, ndërkohë që 'Të Ardhurat Tatimore' janë 10%, ose 12.4 miliardë lekë më pak se parashikimi. Kjo do të thotë një punë mjerane e Ministrisë së Financave dhe një tkurrje e prekshme e ekonomisë në vend.
Më në detaj vlen të shohim se cilat janë argumentet dhe analiza për një buxhet të shpuar dhe me rrjedhje të mëdha: si në vrimat në të ardhurat në lekë, ashtu dhe në rrjedhjet e shpenzimeve në një buxhet të deformuar, që në pesë muajt e parë të vitit. Ministria e Financave është treguar e kujdesshme të bëjë pak makiazh të kujdesshëm me të dhënat zyrtare dhe me mënyrën e prezantimit të tyre për të minimizuar deformimin.
është për të vënë re se shumë zëra a shifra "të pakëndshme" për Qeverinë janë eliminuar fare nga tabela e 'Treguesit Fiskal' të prillit, në atë të paraqitur një muaj më vonë në maj. Në muajin prill, Qeveria zyrtarizon një shpenzim kapital prej 6.3 miliardë lekë, ose 210% të parashikimit, për rrugën Durrës-Kukës. Në tabelën e re të 5-mujorit fiskal të publikuar në maj, ky zë është "avulluar". Sa për krahasim, ky zë i vogël në dukje është mesatarisht 150% e buxhetit total për Ministrinë e Bujqësisë në një vit.
Vlen të shohim se 'Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)' kanë rënë 6% nga parashikimi, që është indikatori më real i një tkurrje në gjithë spektrin ekonomik. Të ardhurat nga 'Tatim Fitimi' kanë rënë 9%, që tregon një stres në rritje të sektorit privat dhe biznesit. Të ardhurat nga "Tatimi mbi të Ardhurat Personale" janë - 12%, që shpalos uljen drastike të nivelit të punësimit, pra një Alarm të Papunësisë në rritje.
Nga ana tjetër, shpenzimet në buxhet janë në një gjendje akoma më të rëndë: Pagesa e Papunësisë është rritur me +10%, ndërkohë që për buxhetin vendor ka -10%, ose 1.25 miliardë lekë më pak nga parashikimi për këtë 5-mujor.
Pavarësisht detyrimit moral, elektoral dhe premtimeve personale të Kryeministrit Berisha, Qeveria ka dhënë deri në maj 2010: 0 lekë shpenzime për kompensime në vlerë të pronarëve, 0 lekë kompensim për ish të përndjekurit politikë; 0 lekë kompensim për energjinë. Berisha duhet të kishte paguar gjithsej mbi 1.1 miliardë lekë, ndaj të tre kategorive, kjo vetëm në 5 muajt e parë të 2010.
Huamarrja e brendshme është në nivelin 260% të parashikimit për periudhën. "Barka e shpëtimit", Eurobondi famëmadh, është abandonuar për momentin: ndërsa trysnia është transmetuar te bankat tregtare që po financojnë defiçitin buxhetor të Qeverisë dhe po braktisin kredinë për biznesin vendës. Këto fonde që i hiqen tregut të investimeve në vend nuk ndihmojnë aspak veprimtarinë private në ekonomi; etja e pamatë e shtetit për para, shteron fondet e bankave për të dhënë kredi ndaj biznesit në vend. Sot është shteti "Borxhliu i Sëmurë" që po infekton edhe sektorin privat, në një kthesë të rrezikshme të ekonomisë sonë.
Fonde publike të shpërdoruara në vitin e kaluar elektoral, dhe administrimi prej krize i ekonomisë nga Qeveria që kemi sot, na kanë dorëzuar si shtet para gjendjes së trishtë të një stresi financiar: një stres që ndihet nga mungesa e theksuar e likuiditetit në treg. Dështimi lëvrimit në kohë të një Eurobond prej 400 milionë euro në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që Qeverisë t'i shterojë durimi - bashkë me likuiditetin financiar. është ky likuiditet i shteruar që e shtyn Kryeministrin drejt asaj që di të bëjë më mirë: të thyejë ligjin dhe të shkatërrojë balancat financiare dhe monetare të vendit të tij. Sot detyrimet ndaj biznesit nga Qeveria, janë mbi 150 milionë euro; Sot shteti shqiptar nuk paguan dot borxhin që i ka biznesit. Të gjitha të dhënat e vetë Qeverisë, japin pamjen e një fundosje të pandalshme - dhe të pakthyeshme - të ekonomisë sonë të përbashkët, nga vetë drejtuesit e shtetit. Në këto kushte, rritja e premtuar e rrogave dhe pensioneve e vë Qeverinë Berisha në rolin e një bande amatore, që vazhdon bën muzikë, ndërkohë që anija po fut ujë nga të gjitha anët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›