Operacioni “Kalaja”, zbulohet një vatër prostitucioni në Berat
Berat – Një vatër prostitucioni është zbuluar dje në qytetin e Beratit, ku janë vënë në pranga dy femra të dyshuara se ushtronin aktivitetin e jashtëligjshëm. Burime nga radhët e uniformave blu saktësuan për gazetën “Albania” se strukturat e Drejtorisë së Policisë Berat kryen operacionin e koduar “Kalaja”, në një nga motelet në periferi të qytetit. Sipas policisë, në këtë operacion u bë e mundur kapja në flagrancë dhe arrestimi i Blerina Files (Kanani), 36 vjeçe, lindur dhe banuese në lagjen “Kushtrimi”, Berat, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzim prostitucioni”, - detajoi policia. Ajo po ashtu konfirmoi se 19-vjeçarja me iniciale M. D., lindur e banuese në lagjen “Donika Kastrioti”, në Berat, akuzohet për kryerjen e veprës penale “ushtrim prostitucioni”. Nga burimet hetimore bëhet e ditur se vajza dyshohet se përdorej në motel për prostitucion dhe e dyshuar si tutore e saj është pikërisht 36-vjeçarja, që gjithashtu u vendos në pranga nga policia.
Qëllohet me thikë, por i shpëton vdekjes
Korçë – Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë shtetasin Marsel Demollari, banues në qytetin e Maliqit, i dënuar më parë për vjedhje. Sipas informacioneve për agjencinë e lajmeve NOA, arrestimi i tij u bë pasi në qytetin e Maliqit, në afërsi të lokalit “24 Orëshi”, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin Klodian Agolli, ai e ka qëlluar këtë të fundit me mjete të mprehta (thikë) dhe i ka shkaktuar dëmtime të rënda trupore. Menjëherë i dëmtuari është transportuar në Spitalin e Korçës. Aty i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Policia e Korçës ka kryer veprimet procedurale për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, të parashikuar nga Neni 88/1 i Kodit Penal.
11 Shkurt 2009