E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjyqtari i çështjes i ndalon, Donald Trump që, me videot e prokurorisë, të sulmojë dëshmitarët

Vendimi i gjykatës, i cili e gjobit me 5 milionë dollarë për shpifje ish- presidentin Trump, ka sjellë jo pak shqetësime për këtë të fundit. A do të ketë një paralajmërim të ashpër nga gjyqtari në çështjen e tij penale në Manhatan?

Kjo është pyetja që po shtrohet gjatë një seance të martën, ku ish-presidenti pritet të udhëzohet për rregullat e reja që e ndalojnë atë të përdorë provat në çështjen e parave të fshehura, për të sulmuar dëshmitarët që mund të dëshmojnë kundër tij.

Trump nuk do të paraqitet në gjykatë për seancën e të martës pasdite në një gjykatë në Manhattan, duke shmangur sfidat e mëdha të sigurisë dhe logjistikës që e shoqëruan muajin e kaluar.

Republikani do të lidhet nëpërmjet një video-konference, me fytyrën e tij të ndriçuar në monitorët televizivë të sallës së gjyqit. Ndërsa avokatët dhe prokurorët, duhet të paraqiten personalisht.

Seanca dëgjimore vjen një ditë pasi paditësja në çështjen e shpifjes, shkrimtarja E. Jean Carroll, paraqiti një kërkesë të re duke kërkuar 10 milionë dollarë shtesë ose më shumë, duke e bërë Trumpin përgjegjës për kritikat që ai bëri, duke e sulmuar në CNN, një ditë pas vendimit të 9 majit.

Në rastin e shpifjes, një juri zbuloi se Trump abuzoi seksualisht me Carroll në një dyqan të Manhattan në fillim të pranverës 1996 dhe se ai bëri deklarata të rreme që dëmtuan reputacionin e saj, pasi ajo i publikoi pretendimet në një libër në vitin 2019.

Trump shkroi në platformën e tij “Truth Social” të martën se ai “nuk e ka takuar kurrë” Carroll dhe se pretendimet e saj ishin një “histori e rreme, e sajuar” dhe një “mashtrim i plotë”.

“Rasti Carroll është pjesë e librit të demokratëve për të njollosur emrin dhe personin tim,”- tha Trump, duke i bërë jehonë pretendimit të tij se çështja penale dhe sfidat e tjera ligjore ndaj tij janë pjesë e një “gjuetie shtrigash” të motivuar politikisht.

Gjykatësi në çështjen penale të Trump, Juan Manuel Merchan, lëshoi ​ urdhër mbrojtës më 8 maj, duke renditur edhe kufizimet në sjelljen paragjyqësore të Trump. 

Ai ra dakord të ndërmerrte hapin shtesë për ta udhëzuar personalisht atë mbi rregullat në dritën e personalitetit publik dhe statusit të Trump si kandidat aktual presidencial.

Trump lejohet të flasë publikisht për çështjen penale, sipas urdhrit të Merchan, por ai rrezikon të bëhet përgjegjës nëse përdor provat e dhëna nga prokurorët për të sulmuar dëshmitarët ose persona të tjerët të përfshirë në këtë çështje.

Trump u deklarua i pafajshëm më 4 prill për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte bërë ish-avokatit të tij, Michael Cohen. Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e Cohen për orkestrimin e pagesave të parave të fshehura gjatë fushatës së vitit 2016, për të varrosur akuzat për takime seksuale jashtëmartesore. 

Trump mohon të ketë pasur të meta jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›