I dërguari i Papës për paqen në Ukrainë: Lufta është kthyer në pandemi, t’i jepet fund

I dërguari i Papa Françeskut për paqen në Ukrainë, një veteran i Kishës Katolike për ndërmjetësimin e konfliktit, e ka cilësuar luftën si një “pandemi” dhe tha se të gjithë të krishterët duhet të jenë paqebërës.
Në qëndrimet e para publike që kur u emërua i dërguar i Ukrainës, kardinali Matteo Zuppi bëri thirrje për krijimin e një kulture paqeje për t’iu përgjigjur “ankthit të thellë, ndonjëherë të pashprehur, shpesh të padëgjuar, të popujve që kanë nevojë për paqe”.
Vatikani kishte konfirmuar se Françesku i ngarkoi Zuppit një mision për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve në konfliktin në Ukrainë, me shpresën se kjo mund të çonte drejt shtigjeve të paqes.
“Lufta është një pandemi. Ajo na përfshin të gjithëve. Kisha dhe të krishterët besojnë në paqe, ne të gjithë jemi thirrur të jemi paqebërës, aq më tepër në stuhinë e tmerrshme të konflikteve,” tha Zuppi.
Papa Françesku bëri të ditur ekzistencën e misionit të paqes muajin e kaluar në Hungari, ku u takua me një të dërguar të Kishës Ortodokse Ruse, e cila e ka mbështetur fuqishëm luftën, transmeton Al Jazeera.
Në javët që pasuan, Françesku është takuar në Vatikan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e bëri të qartë se nuk do të pranonte lëshime territori dhe hodhi poshtë referencën e Françeskut për viktimat në të dyja anët e konfliktit, duke thënë se nuk mund të ketë ekuivalencë midis viktimës dhe agresorit.
/rtsh.al/