“Gjyshër të rinj”, dokumentar për pesëdhjetëvjeçarët e sotëm
20/10/2011 Është brezi i atyre që afërsisht gjysmën e jetës e kaluan nën diktaturë. Kjo ishte mosha kur ata u rritën, u shkolluan e u formuan profesionalisht. Ata natyrshëm mbajtën barrën kryesore në ngjarjet e mëdha që shënuan kthesën në fatin e Shqipërisë, ashtu si dhe krejt transformimin e vendit që do të pasonte. Tridhjetëvjetarët e vitit 1990 natyrshëm do të përballeshin shumë më kthjelltësisht e më energjikisht se prindërit e tyre me hedhjen e themeleve të demokracisë, me hedhjen e themeleve të ekonomisë së tregut, me hedhjen e urave të miqësisë e të bashkëpunimit me botën e zhvilluar. Sot, pas 20 vjetësh, ata kanë të drejtë të ndihen krenarë me bilancin e jetës së tyre. Arritën ta transformojnë veten duke u bërë njëherësh motori kryesor për transformimin e shoqërisë dhe të ekonomisë. Arritën të jenë prindër të mirë në një kohë të vështirë e madje shpesh të çoroditur. Sot janë gjyshër dhe po krijojnë modelin e një gjyshi krejt të ri.
“Gjyshër të rinj” është filmi i ri dokumentar me skenar dhe regji të Donika Mustafajt dhe kamera të Agim Kurit.
Pas realizimeve të “Jetë pezull” dhe “Fëmijëria peng”, Donika Mustafaj i drejtohet përsëri shoqërisë bashkëkohore, duke vendosur në fokus brezin e sotëm të pesëdhjetëvjeçarëve shqiptarë, të cilët fati personal dhe historia kombëtare e kanë sjellë që të kenë një jetë krejtësisht të pangjashme me jetën e brezave paraardhës, por me siguri edhe me jetën e brezave pasardhës. Duke ndërtuar një portret në grup, me qëllim për të bërë një përgjithësim mbi të veçantën e këtij brezi, Donika Mustafaj është kujdesur njëherësh për të vënë mirë në dukje edhe individualitetin e secilit, edhe pse grupi ku është përqendruar nuk mund të jetë përgjithësues i gjithë brezit të tyre. Janë gjyshër të rinj me nivel të lartë ekonomik dhe të mirëformuar intelektualisht.
Prania e tyre në jetën e të vegjëlve shprehet krejt ndryshe nga ajo e gjyshit tradicional shqiptar, ndërkohë që ata nuk janë tërhequr aspak nga jeta aktive. Ky brez vazhdon të jetë në përgjithësi kontributori kryesor në mirëqenien familjare, çka tregon se ky brez vazhdon të mbajë barrën më të rëndë në jetën ekonomike, politike, kulturore të vendit. Sfidat me të cilat do të përballen brezat e ardhshëm, nuk do të ngjajnë aspak me sfidat që përballoi dhe vazhdon të përballojë ky brez. Donika Mustafaj vetë është pjesëtare e këtij brezi. Ajo ka në repertorin e vet tashmë dy filma dokumentarë, në qendër të të cilëve është muzika. Te “Magjia klarinetë” Donika Mustafaj tregon si hyri ky instrument i mrekullueshëm në jetën e shqiptarit, si u shqiptarizua ai duke e pasuruar me disa diamante të paçmueshme thesarin e artit popullor shqiptar. Tek “Ustai i fundit” ndërton portretin e Laver Bariut, këtij personaliteti kompleks, i cili në vetvete përfaqëson një institucion të tërë si këngëtar i pakrahasueshëm, kompozitor e instrumentist gjenial, me gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë kulturore shqiptare për brezat e sotëm e të ardhshëm. Te “Një amerikane në Tiranë” ajo qëndron përsëri te dokumentari-portret, por kësaj here lëndë e saj është piktura. Më pas ajo realizon dy filma të mprehtë për fëmijërinë e sotme, duke u përqendruar në dy skaje. “Koha pezull” është një pasqyrë dramatike e jetës së fëmijëve të mbyllur për shkak të gjakmarrjes ku janë përfshirë prindërit e tyre. Te “Fëmijëria peng” paraqitet jeta e stërngarkuar e fëmijëve të klasës së pasur e shumë të pasur. Të dyja këto kategori fëmijësh po rriten praktikisht pa fëmijëri. Çfarë qytetarësh do të bëhen nesër ata? Kjo është pyetja që shtrohet në këto vepra të Donika Mustafajt. “Gjyshër të rinj” është filmi i gjashtë dokumentar i saj.