E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka, penalitetet për ndërhyrjet në regjistrin e pronave

20/10/2011  Rregullat e reja për objektet që do të regjistrohen nga fillimi

Çdo ndërhyrje e paligjshme në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, do të konsiderohet vepër penale. Po kështu, edhe nëse kjo ndërhyrje bëhet në transmetime kompjuterike ndaj abuzuesit do të dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal. Këto janë vetëm disa prej risive në ligjin e hipotekave, i cili shumë shpejt pritet të kalojë për miratim në qeveri. Ligji synon të qartësojë procedurat që do të ndiqen për regjistrimin fillestar të çdo objekti që do të ndërtohet. Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë kanë përgatitur draftin i cili është bazuar edhe në sugjerimet e ardhura prej grupeve të interesit.

Regjistrimi i ndërtimeve të reja

Pas përfundimit të objektit, regjistruesi bën regjistrimin përfundimtar të tij, menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga zyrat e urbanistikës të njësive të organeve të qeverisjes vendore, të dokumentacionit sipas nenit 13 të ligjit “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar. Me regjistrimin përfundimtar të objektit, regjistruesi pas kërkesave të paraqitur nga personat e interesuar, regjistron pjesët e veçanta të ndërtimit të ri, në favor të personave të përcaktuar si blerës të ardhshëm në aktet noteriale të regjistruara tashmë në regjistrimin e përkohshëm të karabinasë. Kriteret dhe procedurat për regjistrimin e njësive pjesëve të veçanta individualisht të përcaktuara të një ndërtimi të ri, miratohen me udhëzim të qeverisë.

Regjistrimi fillestar

Regjistrimi fillestar i çdo pasurie të paluajtshme bëhet me përgatitjen e një kartele dhe një harte treguese regjistrimi në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe në përputhje me dispozitat e çdo akti që përcakton pronësinë ose të drejta të tjera reale që ekzistojnë për pasuritë e paluajtshme. Regjistruesi, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Kryeregjistruesi kërkon që pronësia si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen duke përdorur disa kritere. Kështu, pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme duhet të përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë sipas nenit 193 të Kodit Civil. Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë që zotërojnë dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një planvendosje apo gentplanin e pasurisë të përgatitur sipas nga topograf i licencuar sipas kërkesës së të interesuarit apo nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet. Regjistruesi brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit pas pagesës së shpenzimeve, të cilat parapaguhen nga kërkuesi. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë ngjitur njëra-tjetrës e që kanë interes të ligjshëm për gjykim. Për kalimin në pronësi të sipërfaqeve, kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi “oborr në përdorim”, kërkuesit duhet t’i drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për pasuritë e paluajtshme të ndërtuara deri më datë 10.08.1991 dhe truallin funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, kërkuesi i drejtohet institucionit të autorizuar nga qeveria. Procedurat e kalimit të kësaj sipërfaqe në pronësi caktohen me vendim qeverie.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›