E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyshi demokrat dhe demokratët gjyshër

gjshNga Edi Sara

Jemi nën ritmin e The Final Countdown, ku në çdo moment të ditës bombardohemi nga qindra reklama dhe spote elektorale, banera, flamuj, bluza, sigla etj. Nuk ka qoshe në Tiranë nga ku të mund të shpëtosh dhe izolohesh nga fushatat elektorale qoftë të partive të mëdha apo të vogla. Me siguri që lajmi do e gjejë një mënyrë për të arritur tek ti edhe në skajin më të humbur ku beson se ndodhesh.

Kohët e fundit, na është tërhequr veshi sidomos nga siglat e partisë me numër 44! Ngado, në çdo spot apo sigël publicitare ku ekspozohet Partia Demokratike, shohim me shkronja të mëdha: Berisha dhe Demokratët! N.q.s. futemi në analizë diskursi, ky mesazh merr një trajtë ngjyrimi të veçantë emocional dhe teknik, në të cilin autori ose përçuesi i mesazhit kërkon të vendosë dy standarde brenda të njëjtës kornizë: pra personin e parë- Berisha dhe së dyti demokratët.

Shumëkush mund të nënkuptojë dhe analizojë disa mesazhe, por i pari dhe më i thjeshti që na vjen ndërmend është se emri i parë i përveçëm është më i rëndësishmi nga ku rrjedh ose pasohet më tej pjesa e dytë e cila është |Demokratët|. Pjesa e dytë duket se është pjesë integrale e emrit të parë, ndërkohë që në të vërtetë Demokratët nuk është një koncept/nocion abstrakt, përkundrazi ai përfaqëson një entitet politik njerëzish që ndajnë një vizion, një qëllim dhe interesa të përbashkëta. Të gjitha këto mund të nënvizohen si emëruesi i përbashkët që përfaqëson emrin Demokratët. Por ajo çka bën një diferencë të dyshimtë dhe ngre pyetje në publik është arsyeja e vendosjes së këtij diferenciali në mes të këtyre dy emrave: dhe- sikur kërkon të bëjë lidhje mes të pares me të dytën.

Mos ndoshta emri i parë kërkon të afirmohet si: I pari i barabartë mes të barabartëve?! Në fakt duke kursyer ironinë e duke hyrë drejt e në temë, një analist marrëdhëniesh me publikun ose në rastin më të mirë, një këshilltar personal politik në rast zgjedhjesh nuk do ta lejonte kurrsesi kandidatin e tij të lançonte diçka të tillë 1 muaj para zgjedhjeve. Berisha dhe Demokratët- vendos dy standarde brenda një botëkuptimi: atij të partisë demokratike si partia e parë pluraliste në vend pas diktaturës, dhe në të njëjtën kohë duke u izoluar afirmisht me diferencimin që bën duke prononcuar emrin e kryetarit si pjesë të ndarë dhe veçmas partisë që drejton.

Pra demokratët përfaqësojnë partinë demokratike, por partinë me gjithë demokratët i përfaqëson emri i diferencuar që në fillim: |Berisha|.

Tashti lind natyrshëm pyetja: Është Berisha pjesë e PD-së apo PD-ja pjesë e Berishës? Fushata elektorale nëpër televizione nuk ka shumë që ka nisur, dhe 44-a ka vendosur dy standarde ashiqare përpara publikut duke treguar një ndarje evazive dhe në të njëjtën kohë, një lidership dhe establishment të hekurt brenda gjirit të saj. Një votues i/e zgjuar, e dallon qartazi që ekzistojnë dy standarde brenda një partie, e cila që në mënyrën sesi bën fushatën shpalos hapur standardin e saj të dyzuar. Pavarësisht liderit historik të saj, demokratët duhet të përfaqësoheshin si një parti e vetme e bashkuar dhe e konsoliduar ku të gjitha arritjet janë kryer së bashku si një ekip .

Në 23 qershor, mund të ketë votues që presin që në fletët e votimit të paraqitet numri 44 si: Berisha dhe Partia Demokratike! Dhe do ketë një pjesë të zhgënjyer pasi të dalin nga kutitë e votimit duke mos parë dy standardet të vendosura në krah të njëra-tjetrës siç janë mësuar ti shikojnë në televizor. Në këtë rast, votuesit e djathtë me të drejtë nuk do dinë se për kë do votojnë: për Berishën apo për demokratët!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›