E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma bosh

Debatet që po zhvillohen mbi raportin e fundit të BE-së ndoshta tregojnë se pse duhet të presim kaq gjatë. Përpjekjet e qeverisë për të paraqitur si sukses edhe pjesën bosh të gotës, duket se do të jenë të deformuara e të lodhshme në këtë prag zgjedhjesh parlamentare.

Tri pyetje mund ta lehtësojnë dhe qartësojnë këtë debat:

1. A përfitoi Shqipëria ndonjë status të ri në procesin e integrimit pas këtij raporti?

Akoma nuk kemi fituar statusin e vendit kandidat, edhe pse u premtua Qershori 2008.

2. A përfitoi vendi mundësi në rritje nga politikat dhe fondet e BE-së?

Pa një status të ri nuk ka mundësi për përfitime të reja.

3. A përfituan drejtpërdrejt shqiptarët ndonjë lehtësim për të lëvizur më lirë, për të punuar, studiuar dhe pushuar në vendet e BE-së pas këtij raporti?

Studimet e vetë Bashkimit Evropian tregojnë se vështirësitë kanë qenë në rritje, ndërsa përfitimet janë minimale.

Në të tri rastet përgjigjja është "jo", ndaj çdo debat për gjysmën e plotë është vetëm nga pozita boshe në raport me atë që presin nga integrimi.

Gjysma e plotë, edhe nga raporti i vitit 2008, nuk solli ndonjë status të ri politik apo ekonomik për Shqipërinë. Gjysma plot nuk na ndihmoi të përfitonim statusin e ri të vendit kandidat, por thjesht na la aty ku kemi tre vjet që presim, premtojmë e mashtrojmë çdo ditë.

Gjysma e plotë nuk na solli ndonjë përfitim të veçantë nga ndonjë politikë e re apo fonde të reja të BE-së. Sipas buxhetit të vitit 2009, kemi sërish të njëjtat fonde, me të njëjtat destinacione dhe sipas dështimit të buxhetit 2008, me të njëjtin koeficient minimal të absorbimit të tyre. Opozita, por jo vetëm ajo, ka të drejtë të fokusohet te gjysma bosh.

Te gjysma plot opozita ka pjesën e saj të kontributit, sepse integrimi është proces i gjatë. Te gjysma bosh, qeveria është përgjegjëse e drejtpërdrejtë në detyrimet dhe dështimet e saj. Këtë vonesë e paguajnë të gjithë shqiptarët.

Analiza e gjysmës bosh është shumë më domethënëse për stadin ku ndodhemi në procesin e integrimit, është shumë më konkrete për të qartësuar se përse pengohemi. Analiza e pjesës bosh ndihmon për të qartësuar dhe përmbushur sfidat e integrimit.

Gjysma bosh imponon më shumë vëmendje, më shumë analiza dhe më shumë përgjegjësi, duke filluar nga vetë qeveria. Pikërisht gjysma bosh na mban në radhë pritjeje edhe për vite të tjera.

Gjysma bosh, ku qartësohet lufta e pamjaftueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, na mban larg statusit të ri të integrimit, që është statusi i vendit kandidat. Gjysma bosh, dobësia në luftën kundër krimit të organizuar, na pengoi të jemi optimistë për sistemin e ri të vizave. Lëvizja e lirë për një vend që ka rreth 30% të popullsisë së saj emigrantë, duhet të jetë prioritet.

Gjysma bosh, dhe jo referendumi i Irlandës, na mban larg statusit të vendit kandidat. Ky referendum ka "ngrirë" dhe vonuar vendet që kërkojnë statusin e vendit anëtar, por jo statuset e ndërmjetme për vendet, për të cilat e ardhmja e tyre evropiane sipas Samitit të Selanikut është e garantuar. Ky është qartësimi i deklaratës së Presidencës së BE-së lidhur me debatet tone për raportin e tyre 2008.

Gjysma bosh qartëson problematikën me administratën publike. Përkeqësimi i saj gjatë mandatit të kësaj qeverie, ku është rritur paaftësia dhe militantizmi, na rrezikojnë sot që të fitojmë statusin e vendit kandidat, por do të na pengojë shumë më tepër nesër për t‘u bërë vend anëtar.

Gjysma bosh qartëson pasojat e rënda të cenimit të pavarësisë së institucioneve të pavarura.

Gjysma bosh qartëson problemet e trashëguara dhe të përkeqësuara mbi të drejtën e pronës, ndaj do të jemi sërish të vonuar për të avancuar në integrimin tonë.

Gjysma bosh dhe plot nuk duket qartë kur vendoset në tavolina debatesh, e ku mungesa e përgjegjësisë tenton të fshihet me militantizmin e zhurmshëm. Militantizmi politik dhe zhurma debatuese vetëm e tundin gotën, por nuk e mbushin atë.

Gjysma bosh është e vështirë të fshihet nga buçimat e debatuesve në emisionet ballafaquese dhe, aq më pak, ajo nuk mund të mbushet me buçima polifonike.

Gjysma bosh është vështirë të fshihet pas bregut të vetëkënaqësisë, pasi kodrat e dështimeve, sipas qartësimit të fundit edhe të vetë BE-së, janë më të mëdha se brigjet e spoteve televizive.

Sipas paralajmërimit të fundit të BE-së, nëse kjo frymë militante, zhurmuese dhe abuzuese do të dominojë zgjedhjet 2009, rrezikohemi që pjesa bosh të pakësohet, duke e bërë më të gjatë kohën e domosdoshme për ta rimbushur gjysmën plot.

Është koha e përgjegjësisë për të mbushur gjysmën bosh dhe jo koha e abuzimeve festive paraelektorale, që mund të derdhin gjysmën plot.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›