E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si prostitutë shqiptare

Allysson Pardis, aktorja e njohur franceze, do të veshë petkun e një vajze shqiptare. Ajo ka konfirmuar pjesëmarrjen në projektin më të ri filmik të regjisorit Robert Budina. Allysson, motra e këngëtares dhe aktores Vanessa Paradis, do të jetë Majlinda, një prostitutë shqiptare. Aktorja franceze do të udhëtojë drejt Greqisë së bashku me regjisorin Budina. Aty, ajo do të mbrojë para jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik "Udhëkryqin", projektin filmik të Budinës, për t‘i siguruar atij një mbështetje të mëtejshme financiare nga producentët e huaj.

Duket se regjisori Robert Budina ka bërë gjithçka gati për takimin dhe përballjen me jurinë e Festivalit të Selanikut, i cili do të zhvillohet nga data 14 deri më 23 nëntor. Në Greqi, ai do të prezantojë historinë e dy familjeve, njëra greke e tjetra shqiptare, do të rrëfejë përballjen mes dy kulturave, mospërputhjet, prostitucionin dhe mafien, luftën mes së mirës dhe së keqes... Një "Udhëkryq" që do të ketë për protagonistë jo vetëm aktorë shqiptarë, por edhe të huaj. E në fakt, vetë regjisori Budina, tregon se tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e aktores franceze Allysson Paradis. "Edhe pse është një aktore e re në moshë, Allysson ka luajtur në disa filma dhe është vlerësuar si një aktore me mjaft të ardhme. Ajo është përpjekur që karrierën e saj ta ndërtojë vetë, pa përfituar nga fama e së motrës", thotë ai. Sipas Budinës, ajo e ka lexuar skenarin dhe e ka pranuar me shumë kënaqësi këtë rol, duke deklaruar se është një rol që asaj i pëlqen. "Allyson do të jetë në Selanik që të mbrojë para jurisë skenarin së bashku me ne", vazhdon Robert Budina. E gjithë skuadra e "Udhëkryqit" është e fokusuar në kërkimin dhe firmosjen bashkëpunimin me bashkëprodhues grekë, pasi pjesa më e madhe e tij do të xhirohet në Selanik. E kjo jo rastësisht. Filmi rrëfen një histori emigracioni, por jo vetëm kaq... Aty rrëfehet historia e Saimirit 27-vjeçar dhe vëllait të tij të vogël, Vinit, 20 vjeç. Ata janë dy shqiptarë që përpiqen secili me mënyrën e tij për t‘u integruar dhe përshtatur me jetesën e re në një qytet në veri të Greqisë. Më i madhi, Saimiri, është i fejuar me një vajzë greke dhe punon si mekanik në ofiçinën e vjehrrit të tij. Ai bën të pamundurën që Vini të fitojë pavarësinë dhe respektin për veten me punë të ndershme. Por ai nuk ka as durimin dhe as përqendrimin e Saimirit. Vini detyrohet të pranojë punët që Saimiri i gjen, por në asnjë rast nuk arrin t‘i çojë deri në fund ato, shpesh edhe zihet me pronarët... I lënduar, i poshtëruar, ai nuk do më që të varet nga Saimiri. Vendos t‘i tregojë se mund t‘ia dalë mbanë vetëm. Duke u përpjekur të mposhtë trishtimin, në një bar shqiptarësh pranë portit, ai afrohet me Benin, një trafikant i vogël klandestinesh, shumë i afërt me mafien shqiptare. Vini bëhet pjesë e rrjetit. Zbulon pasurimin në rrugën më të thjeshtë, gjen luksin, por tmerrohet kur zbulon prostitucionin klandestin, si dhe fatin e tmerrshëm të vajzave. Këtu, bie në dashuri me Majlindën, (rol të cilin do ta interpretojë aktorja franceze Allysson Paradise), e cila është më e madhe në moshë. Vini jepet i gjithi pas saj dhe përpiqet ta shpëtojë atë jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht. Majlinda e ndryshon Vinin, e transformon për mirë atë. Kurse Vini, nga ana e tij, bën gjithçka për ta hequr nga kthetrat e Kënos, kreut të mafies lokale. Do të kërkojë ndihmën e Saimirit dhe do ta tërheqë me vete në vorbullën e dhunës deri në dramën finale... Projekti i tij filmik, "Udhëkryqi", është përzgjedhur së bashku me 15 filma të tjerë për të marrë pjesë në seksionin "Crossroads" në këtë festival. Ky forum ka përzgjedhur 15 projekte filmime, duke u bazuar në cilësinë e skenarit, kreativitetin e skuadrës dhe produksionin. Të gjitha projektet e përzgjedhura janë prodhime ose bashkëprodhime me një vend të Ballkanit ose në Mesdhe dhe përmbajnë histori që lidhen me këto rajone. Këtë vit, konkurrimi në këtë seksion të filmit, do të jetë mes vendeve si Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Franca, Izraeli, Italia, Jordania, Palestina, Rumania, Serbia dhe Turqia. Producentëve do t‘u jepet mundësia të hyjnë në bisedime me industri të ndryshme filmike nga e gjithë bota. Qëllimi i këtij seksioni në Festivalin e Filmit në Selanik është që të mbështesë prodhuesit e filmave me metrazh të gjatë, të cilët lidhen me Mesdheun ose rajonin e Ballkanit. Para jurisë ndërkombëtare, regjisori Budina do ta mbrojë "Udhëkryqin" e tij për të cilin është njëkohësisht edhe skenaristi i filmit, së bashku me "Takami Productions", kompaninë franceze e cila do të bashkëpunojë me "Erafilm" për realizimin e projektit. Një tjetër regjisor shqiptar që do të marrë pjesë në këtë seksion është edhe Bujar Alimani. Ai do të prezantojë në Selanik projektin e tij, të titulluar "Beyond Amnesty". Festivali i Selanikut, i themeluar në vitin 1960, nisi si një festival lokal, i cili quhej "Java e Kinemasë Greke". Në vitin 1992, ai mori statusin e një festivali ndërkombëtar filmi dhe është ndër më të vjetrit që zhvillohet në rajonin e Ballkanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›