E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat finlandeze, më të mirat në botë

Ka pak që ka kaluar ora tetë e mëngjesit dhe Juxu, një djalosh 13-vjeçar, var xhaketën dhe kapelën në varësen e rrobave, hedh këpucët në dengun e formuar me ato të shokëve dhe pastaj me çorape dhe i qeshur hyn në klasë. Sepse këtu, shkolla nuk është si në vendet e tjera: mësuesve u flitet me ti, ose u thërret në emër, por sigurisht pa ulur autoritetin e tyre. Shumë pak mund ta dinë se shkolla finlandeze, është një shkollë vërtet speciale, më e mira në botë. Sipas të dhënave të studimit "Pisa", të bërë në 400 mijë pesëmbëdhjetëvjeçarë në 57 vende të ndryshme të botës, djemtë finlandezë janë më të përgatiturit në gjuhët e huaja, matematikë dhe shkenca, shumë ndryshe nga rezultatet e bashkëmoshatarëve të tyre në vende të ndryshme të Evropës. "Më shumë se gjysma e nxënësve janë nën nivelin mesatar. Shkolla e mesme nuk arrin të ketë të njëjtat rezultate të mira me ato që arrihen në shkollat fillore", tregojnë specialistët.

Përtej gjimnazit

Atëherë, ku qëndron sekreti i shkollës finlandeze? A është e mundur që të imitohet sistemi i saj? Në fakt, po ta shohësh me vëmendje, sekreti nuk qëndron vetëm në një drejtim. Së pari, aty thuajse të gjithë fëmijët shkojnë në kopshtin, pastaj në shkollën e së njëjtës lagje, duke bërë kështu që në moshë të vogël fëmijët të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë, ndjeshmërisë dhe bashkëpunimin, cilësi ideale për edukimin. Ndërkaq, shkolla nis pasi ke mbushur shtatë vjeç, sepse kështu mendohet se truri është më i pjekur dhe fëmijët e zhvillojnë më shumë ndjenjën e vetëkontrollit. Pothuajse 99.7 për qind e fëmijëve, përfshi këtu edhe emigrantët dhe romët, e mbarojnë shkollën nëntë vjet më vonë dhe, sipas ligjeve të shkollës, "askush nuk përjashtohet".

Fleksibilitet

Sipas pedagogjisë finlandeze, mësuesit duhet t‘i kuptojnë nxënësit dhe jo e kundërta. "Një mësuese, në një klasë me 25 nxënës, duhet të zhvillojë 25 strategji të ndryshme. Këtu qëndron sekreti", shpjegon Jukka Sarjala, përgjegjës i zyrës qendrore për edukimin publik. Me pak fjalë, shkolla është fleksibile, ku të gjithë përshtaten. Në një klasë mësuesja qëndron në mes dhe rreth saj ulen të gjithë nxënësit; në një tavolinë më vete, një asistente i shpjegon një grupi fëmijësh diçka me zë të ulët; në klasën ngjitur, një mësuese ndihmon një fëmijë të kapërcejë një vështirësi në mësim, ndërsa në një klasë tjetër gjenden disa fëmijë të huaj dhe mësueset, që me ushtrime e lojëra, por mbi të gjitha me entuziazëm, i ndihmojnë të kalojnë pengesat gjuhësore e kulturore. Vetëm kështu, brenda pak muajve, këta fëmijë i arrijnë lehtësisht shokët. Pothuajse të gjitha shkollat në vend kanë një grup mësuesish dhe psikologësh që ndjekin me kujdes fëmijët të cilët kanë vështirësi në mësime, por atyre u drejtohen edhe ata që janë të parët në mësime. Kundrejt një mesatareje në shkallë ndërkombëtare, rreth 6 për qind, në Finlandë studentët që shfrytëzojnë mbështetjen e vazhdueshme dhe intensive në një apo më shumë lëndë janë 20 për qind. Kështu, OSBE-ja ka llogaritur se 5-15 për qind e fëmijëve kanë vështirësi leximi dhe shkrimi, të lidhura me patologji neurologjike.

Pasioni mbi të gjitha

Entuziazmi dhe pasioni për punën është i lidhur ngushtë me sistemin e rekrutimit, që përzgjedh mësuesit më të mirë. Në 2005-ën, plot 4500 kandidatë kërkuan të frekuentonin një prej dhjetë fakulteteve që përgatisin mësuesit, por vetëm 16.5 për qind e tyre u pranuan. Kjo shpjegon edhe prestigjin e madh të këtij profesioni në vend: të gjithë dëshirojnë të bëhen mësues, edhe pse paga është nën mesataren evropiane. Pas zgjedhjes, ata përgatiten për 5 vjet rresht në teori dhe praktikë, në mënyrë që të jenë të aftë për këtë detyrë të vështirë: d.m.th. të argëtojnë fëmijët, të tërheqin vëmendjen e tyre dhe në fund fare të bëjnë që të mësojnë dhe të kenë rezultate të mira. Një praktikanti i duhet të dëgjojë rreth 60 orë përkrah një mësuesi dhe 60 orë të tjera praktikë gjithnjë nën vëzhgimin e një mësuesi me shumë përvojë. Pas kësaj, detyra e parë që i ngarkohet nga këshilli drejtues i shkollës, që zakonisht është e njëjta shkollë me atë të praktikës, është se për tre vjet rresht mësuesi i ri duhet të konsultohet çdo javë me "tutorin" e tij. Në klasë, deri në moshën 13-vjeçare nuk merren nota dhe pyetjet nuk kanë të bëjnë fare me ndëshkimet apo zgjedhjet.

Asnjë ofendim

Pothuajse i gjithë sistemi arsimor dhe padyshim mësuesit në Finlandë, bazohen në bindjen se të gjithë fëmijët mund të mësojnë të shkruajnë, të lexojnë dhe të flasin tri gjuhë të huaja, ashtu siç mësojnë të vrapojnë dhe të flasin, pa u ofenduar. Suksesi i kësaj metode bazohet në vetëvlerësimin objektiv të rezultateve të arritura nga shkollat dhe mësuesit: një mënyrë për përmirësimin e vazhdueshëm. Në këtë proces, zyra qendrore për edukimin publik ka vetëm funksion mbështetës: çdo vit vlerëson rezultatet e testeve të një pjese të madhe të shkollave finlandeze. Paraqitjet e studentëve nuk gjykohen, por cilësia e shkollës dhe kur niveli i nxënësve është i dobët, përgjegjësia i takon shkollës. Rezultatet nuk bëhen asnjëherë publike. Çdo shkolle i komunikohet rezultati i saj dhe niveli që shkolla duhet të arrijë në bazë të përbërjes së nxënësve, sepse vlerësimi i një shkolle varet edhe nga nxënësit e saj.

Zgjedhje të shpejta

Pasi mbarojnë nëntë vitet e para të shkollës, vijnë 3 vitet e shkollës së mesme. Rreth 53 për qind e studentëve, ata që kanë marrë notat më të mira, vazhdojnë shkollat e mesme të profilizuara për shkenca shoqërore, ndërsa 39 për qind në shkolla të mesme profesionale. "Rezultatet e shkollës janë të lidhura ngushtë edhe me mundësitë që vendi ofron, kushtet social-ekonomike të familjeve dhe zgjedhjes së hershme për një profil shoqëror ose shkencor, e lidhur me kulturën e familjes", shpjegojnë ekspertët. Në fakt, dashuria për kulturën dhe shkollën mësohet që në vitet e para të jetës. Për shembull, kur fëmijët lindin në spital, shteti u dhuron nënave nga një libër për t‘u lexuar fëmijëve. Në Finlandë, përrallat dhe leximet para gjumit janë zakone qindravjeçare. Finlandezët janë popull që i frekuentojnë shumë bibliotekat. Dhe në shkollë i kushtojnë jashtëzakonisht shumë prioritet praktikës. Aty thuajse gjithçka mësohet me praktikë.

Zbavitja

"Shkollat duhet të krijojnë risi, gjëra të papritura, sepse këto stimulojë prodhimin e dopaminës, hormonit përgjegjës për mësimin", thotë Antonello Bonci, përgjegjës i neurologjisë në Universitetin e Kalifornisë. "Është e vështirë të mësosh gjëra të reja në të njëjtin ambient. Të mësosh diçka të interpretuar keq në fillim është shumë e vështirë, duhet katërfishi i lodhjes. Në shkollat ku fëmijët luajnë dhe argëtohen mësohet më shumë dhe më mirë. Të dëgjosh një orë pa pushim është e kotë. Është më e rëndësishme që fëmija të flasë, qoftë edhe gabim, ndërsa mësuesi t‘i mësojë zgjidhjen e saktë", përfundon ai. Pikërisht është ky modeli ku bazohet suksesi i shkollave finlandeze.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›