E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt-shpëtimi për Amfiteatrin e Durrësit

Prej më shumë se një jave, në Amfiteatrin antik të Durrësit, vazhdojnë ndërhyrjet për shpëtimin e mozaikut të vetëm mural. Projekti parashikon disiplinimin e ujërave që përmbytin basenin e arenës. Ky është kthyer në një problem të përvitshëm, e për këtë arsye, Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Durrësit, vendosën të ndërhyjnë për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme të të vetmit mozaik mural që ekziston afër kapelës funerale. Sipas Spiro Nikës, specialist i IMK-së, ky mozaik është unik dhe për Ballkanin. Në përfundim të punimeve, do të sigurohet një sistem i ri dranazhimi përmes instalimit dy pompave, njëra prej të cilave punon me karburant dhe një tjetër që do të punojë sipas nivelit të ujërave të basenit. Ndërhyrjet do të prekin edhe pjesën e galerisë eliptike, si dhe do të pastrohen e sistemohen disa ambiente në sektorin verilindor. Por nuk është parashikuar të bëhen ndërhyrje restauruese, sepse në bashkëpunim me Universitetin e Parmës është hartuar një projekt për rijetëzimin e amfiteatrit. Të vetmit mozaik mural që ndodhet në Amfiteatrin antik të Durrësit, studiuesit ende nuk i kanë dhënë një datim të saktë. E gjithë paraqitja e tij është ikonografike dhe kemi të bëjmë me tema të kultit kristian. Në të shfaqet qartë Zeusi, portreti i Shën Sofisë, Shën Irinit. Përmbajtja e plotë e tij dhe se kujt i dedikohet ende nuk është përcaktuar. Edhe vitin e shkuar, pati një ndërhyrje në këtë mozaik për të bërë pastrime deri në nivelin e përmbytur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›