E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysma e Ekzekutivit në FSHF, pro ndryshimit të strukturës

Struktura e Kategorisë Superiore
pritet të ndryshojë,
për të rikthyer në elitë katër
skuadrat që nuk arritën të mbijetonin
gjatë sezonit të kaluar.
Partizani, Elbasani por edhe
Lushnja e Bylis kanë shanse
të mëdha të jenë pjesë e garës
mes më të mirave në vend, në
një kampionat me 16 skuadra.
Gjysma e Komitetit Ekzekutiv,
e thënë me shifra gjashtë nga
dymbëdhjetë anëtarët, është
"pro" këtij "tolerimi". Do të jetë
pikërisht organi më i lartë vendimmarrës
në Federatën Shqiptare
të Futbollit, ai që do të
ketë fjalën e fundit në planet për
zgjerimin e Superiores. Edhe pse
dy edicionet e fundit, kampionati
ka qenë spektakolar (si në luftën
për titullin kampion, që është
zgjidhur vetëm në ndeshjen e
fundit, ashtu edhe në "zonën e
ftohtë"), ndryshimi shihet si një
"manovër" e nevojshme, për të
mos larguar dy emra si Partizani
dhe Elbasani. Vetëm pak javë më
parë, drejtuesit e 12 ekipeve që
luajtën në sezonin 2008-2009
kanë firmosur një kërkesë për
zgjerimin e Superiores. Nëse
peticioni i tyre realizohet, kjo do
të jetë hera e parë që prej sezonit
2002-2003 që në kampionatin
elitar do të luajnë më shumë se
12 skuadra.
Pas Mehdi Bushatit, tashmë
edhe një tjetër anëtar i Komitetit
Ekzekutiv deklaron se zgjerimi
mund të realizohet. Bëhet fjalë
për Gjergji Thakën: "Nuk do të
jem asnjëherë kundër ndryshimit
të strukturës. Janë disa skuadra
me shumë histori të cilat nuk
mund të lihen jashtë më të mirave".
Më tej, ai bëri një paralelizëm
me të kaluarën: "Në vitin
‘93, nga Kategoria u larguan disa
skuadra shumë të mira. FSHF
në atë kohë nuk donte të prishte
strukturën, por kampionati u
bë me 18 skuadra. Skema e re u
pranua, sepse shteti investoi për
ato klube. I njëjti rregull si atëherë
është edhe sot. Por, do të respektojmë
mendimin e anëtarëve të
FSHF-së, të cilët na kanë votuar
për të qenë pjesë e Ekzekutivit".
Përveç Bushatit e Thakës, ndryshimin
e pranojnë edhe Muhedin
Targaj dhe tre anëtarë të tjerë,
të cilët ende nuk janë shprehur
publikisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›