E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhej më e bukur vuajtja e fshehur!

Ky vizionim i vargut, të bërit e tij pamor, më ngjan se ishte edhe pika më e fortë e Bruno Shllakut si regjisor, e vetë shfaqjes; gjithashtu një vijim i traditës së këtij lloj teatri të iniciuar nga i paharrueshmi Serafin Fanko- Në vijim të një tradite: Teatri Poetik

U nisa në Shkodër me do miq të teatrit “Migjeni” për të përjetuar si shumëkush një gëzim: 60-vjetorin e krijimit të tij. Kisha shkruar edhe vetë një libër si autor me këtë rast. Pra, 70 vjet histori para themelimit të teatrit “Migjeni” me të parën dramë rituale-religjioze, “Nata e Këshnellave” e Leonardo De Martinos, e shfaqur në Kolegjin Saverian në Shkodër në 1879, dhe 60 vjet pas themelimit të tij më 29 nëntor 1949 me dramën “Përmbysja” të Boris Llavrenjevit...
U takuam me miq e artistë, gazmuam së bashku dhe hymë në sallë. Salla, fatkeqësisht, ishte gjysmë e mbushur, paçka se qe përvjetori i njërit prej institucioneve më të rëndësishme dhe elitare të Shkodrës (e më gjerë), që mëton jo veç argëtimin e thjeshtë por edhe përpunimin e shpirtit të njerëzve, të vetëdijes kombëtare. Dhe shpirti m’u ftoh. M’u ftoh sepse teatri, ashtu si lumi që lipset ta mbush shtratin e vet, të fryhet me ujëra e ta harlisë gjelbërimin, t’i japë “jetë jetës” gjithandej, ashtu edhe salla pa spektatorë, bash si shtrati bosh i lumit në kum e në zheg të duket. Ai, teatri, s’arrin ta gjelbëroj pra shpirtin e njerëzve, t’u jap atyre kënaqësi, të blatojë paqe, bukuri, këndellje. Por, nejse... Histori që janë thënë e sërish do të thuhen edhe nga të tjerë e të tjerë: pse ngjet kështu, qysh kaq keq shkojnë punët, si nuk e hap portofolin ende ky shteti ynë, as burimet e tjera të financimit; kur do të dalim prej kënetës etj.? Doemos këto pyetje braktisen vetiu porsa nis shfaqja. Dhe shfaqja promovuese ia nisi. Titullohej “Këngë e këputur nëpër natë”, regjisor Bruno Shllaku. Si në traditën e njëhershme të teatrit “Migjeni”, ajo kishte formën e një shfaqje poetike me vargje të zgjedhura nga Ledia Dushi, Tonin Kaça, Kavafis (poet i shquar grek), Fishta, Mjeda dhe në fund Noli me “Anës lumenjve”. I dashuruar pas teatrit, nuk mërzitem të shoh shfaqje, edhe kur takon që shumëçka nuk mbërrin aty ku shpirti ta do. Përkundrazi, kur shpirti lodron dhe hutohet nga iluzioni teatror, asiherë them se “po, ia vlejti!”. Ia vlejti kjo performancë poetike, ndaj dhe të ftohtit e harrova. Mos vallë nga vargjet e përzgjedhura me shije: poetë të djeshëm e poetë të sotëm? Jo. Shumë syresh i dija. Qenë poetë të njohur të traditës sonë letrare. Por edhe poezinë e Ledia Dushit diçka e njihja, pasi kisha lexuar prej saj. Edhe Kavafisin, gjithashtu. Atëherë ç’mbetej? Mbetej pikërisht teatri, njëmendësimi skenik, koncepti regjisorial, mizanskena, elementi ilustrativ muzikor (Kastadiva, Lakrimoza, tinguj nga simfonitë e Bethovenit, muzikë nga Bregoviçi). Dhe veshja me bartje shënjuese. Dhe aktorët: Paskualina Shllaku (Gruda), Bruno Shllaku, Rozi Kostandini, Merita Smaja, Rita Gjeka, Drane Xhaja, Agron Dizdari.
Kur vargjeve të njohura u jepet trajtë skenike, nuk është më e rëndësishmja se “çfarë” thuhet përmes tyre, por se “si” thuhet. Kjo “si” ose e afron publikun me poetin dhe kohën e tij (dhe tonën), ose e largon. “Si”-ja e Bruno Shllakut dhe aktorëve të shfaqjes poetike “Këngë e këputur nëpër natë” ishte vrulluese, në sensin për t’u vetëshprehur si një sendërtim skenik i realizuar. Aktorët recitonin plot patos dramatik e tragjik, rrekeshin t’i preknin zemrat tona me situatat tragjike ekzistenciale të njeriut, me flukse dashurie dhe sidomos vuajtjeje për jetën e tij, për fatalitetin, humbjen, vdekjen, varrin, largimin, dëshpërimin dhe gjithë gjësendet e trishta që zemrën e bëjnë copë e grimë. Pikërisht toni tragjik dhe dramatik m’u duk “agresiv”, i kudogjendur, imponues. Ishte pëlqyer i tilli kryeherit. Por këtu do të desha që lëvizja e emocioneve, në çaste të caktuara, t’u shpëtonte duhive, intonimit sublim, deklamimit të fortë duke u përkëdhelur sakaq edhe nga flladet “intime”, nga tonet pikëlluese, nga ndjenjat e tretura brenda vetes, të cilat mund të shfaqeshin edhe më bukur si një vuajtje e fshehur, “kokëulur”, e vetvetishme, thuajse mistike. Kjo do t’i bënte mirë shfaqjes, mendoj. Sepse mbajtja lart, gjithherit në tone të epërme, sigurisht e rrit tragjicitetin e interpretimit (dhe performimit), por, nga ana tjetër, krijon një farë, ta quajmë, rrafshnalte intonative që veshin, madje edhe syrin e lodh. Dhe mbetet një asi “rrafshnalte” që s’e dëbon dot kollaj, për rrjedhojë, ke pranuar pa dashje uniformitetin dhe monotoninë ritmike. Sepse kur vala poetike vjen sa lart-poshtë, para-mbrapa, shkumëzo e tërhiqu, ashtu si vala e detit, edhe bukuria e lojës rritet, veshi mprihet më tej dhe eleganca ritmike e vargut, gjendjet emocionale që ai bart rrjedhin e vijnë bash ashtu, si valëzimi i detit. Ndoshta kjo mund të ishte vërejtja ime e vetme, që prek si konceptin regjisorial, ashtu edhe deklamimin e aktorëve.
Çka më bëri më shumë përshtypje tek kjo shfaqje (ndaj dhe u rreka të shkruaja) ishte trajtimi “teatror” i vargjeve të zgjedhura, krijimi i një subjekti që lidhte, nga pikëpamja tematike dhe mesazhore, të gjashtë poetët e zgjedhur dhe të gjashta poemat (apo vjershat e gjata). Elementi më ekspresiv i këtij trajtimi “teatror” ishte vendosja e aktorëve në sheshin e veprimit, pra mizanskena, e cila në vetvete e ngopte syrin tonë me asociacione të deshifrueshme, sikurse me një bukuri formale vizuale. Kështu, ne kuptuam se vuajtja e njeriut është thuajse thelbi i tij ekzistencial, ca më shumë i shqiptarit në zgripe e hone mbijetese, dje dhe sot. Kuptuam se njeriu shqiptar është përballur, përballet dhe do të përballet me situatat e tmerrshme e tragjike të rrezikimit të qenies, të ruajtjes së identitetit nga erozionet dhe kataklizmat historike. Kuptuam se fataliteti e ka sunduar jo rrallë qenien e tij. Dhe varri ka qenë aty pranë, tek këmbët, si një goll përthithës. Kuptuam dashurinë e pamort, që sfidon edhe vdekjen duke u “martuar” me të, duke e shndërruar vdekjen në imazh dhe kujtesë. Kuptuam vuajtjen e largimit në dhera të huaja, kjo plagë e kahershme dhe e gjithhershme e shqiptarëve. Gati-gati e pamë anijen përplot me emigrantë deteve, e pamë malin e Cukalit që na humbte sysh dhe mallin që t’i djegka qepallat, e burrin e bën të mrrudhet e të mpaket prej lotit të nxehtë të mërgimit. Mbase vargu i Mjedës ishte pikërisht ajo çka thashë më sipër: një harmonizim i tragjikes me vuajtjen e heshtur, i sublimes dhe të madhërishmes me trishtimin që struket brenda vetvetes dhe lotin e gëlltitur; një midis i të lartës me të ulëtën. Ky vizionim i vargut, të bërit e tij pamor, më ngjan se ishte edhe pika më e fortë e Bruno Shllakut si regjisor, e vetë shfaqjes; gjithashtu një vijim i traditës së këtij lloj teatri të iniciuar nga i paharrueshmi Serafin Fanko. Në këtë kuptim, fantazia që vinte prej vargjeve të poetëve të sjellë përplotësohej e begatohej nga fantazia regjisoriale, jo e lehtë që të flatroj në kësi rastesh. Regjisori i fton personazhet dhe vargjet që ata recitojnë gjithsaherë nën tymlëshuese, sikur të vinin prej mugujve të historisë, epikës, mbamendjes kombëtare. Tymtaja ishte shndërruar në një metaforë dhe s’qe e tepërt, pasi të tilla tymtaja janë kthyer kaq herë në spekulacione dhe truke të tejpërdorura që u ka dalë tashmë boja. Gjithashtu veshja e aktorëve ishte bërë gjegjësisht personazheve, asaj çka shprehnin, kohës së tretur në varg. Dhe kjo e rriti vlerën estetike. Më duhet të lëvdojë edhe komunikimin midis aktorëve, marrëdhëniet e tyre: jo sikur të recitonin vargje të shkëputura, por sikur të bënin dialog mes tyre duke gjetur pika takimi vetjesh me fizionomi të tipit të personazhit “dramaturgjik”. Një mënyrë e tillë e të konceptuarit të poezisë si “dialog dramaturgjik” nuk ka qenë e lehtë, sepse, krahas unit të patjetërsueshëm poetik të shprehur në vjershat dhe poemat e zgjedhura, regjisorit i është dashur që t’u japë atyre edhe formën “dialogjike”, për t’i bërë sa më të afërta me ligjësitë e mirëfillta teatrore, në rastin tonë të “teatrit poetik”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›