Për një ekonomi që rritet…
Ndërsa ekonomia është bërë subjekt i debatit politik të rrugës, Shqipëria ndodhet sot në një moment të rëndësishëm, ku mënyra se si do të bashkëveprojnë sektori shtetëror, ai privat dhe tregu financiar do të bëjnë diferencën në lidhje me ruajtjen e prirjes rritëse të ekonomisë kombëtare. Nuk është vetëm sektori privat ai që duhet të rrisë konkurrueshmërinë e tij. Edhe qeveria ka me se të bëhet konkurruese, në një treg që kriza vetëm sa po e globalizon edhe më tej.
Qeveria flet për reforma që duhet të forcojnë mjedisin miqësor me biznesin, mbështetur mbi politikën e taksave të ulëta në përputhje me vizionin për një taksë të sheshtë, e cila është premtuar si objektiv elektoral në zgjedhjet e vitit 2009. Në fakt, Estonia dhe Lituania, vende që njohën një rritje të qëndrueshme të lartë gjatë tranzicionit 20-vjeçar, e aplikuan së pari taksën e sheshtë në vitin 1994.
Ne kemi ruajtur një kurs këmbimi të qëndrueshëm në mbështetje të përpjekjes për të tërhequr kapitale të huaja. Kjo qasje, megjithatë, nuk u mbështet dot nga krijimi i një tregu të ndërmarrjeve dhe nga tregu i kapitaleve që përndjek atë. E thënë thjesht, ne morëm kostot e forcimit të monedhës vendase pa vjelë dot përfitimet. Kjo mungesë kapitalesh të huaja në periudhën e krizës gjithsesi rezultoi e frytshme, duke na shmangur nga një situatë dramatike si p.sh. Letonia, ku sektori bankar ra me afro 500 milionë euro gjatë gjysmës së parë të vitit 2009.
Peter Jungen, president i European Enterprise Institute (EEI), me seli në Bruksel, thotë se “Evropa Qendrore dhe Lindore kanë shënuar me vendosmëri suksesin e tyre... duke eksportuar politika dhe ide tek fqinjët e tyre evropianë dhe duke e bërë të gjithë Evropën më konkurruese”.
Nima Sanandaji, autore e një studimi të publikuar këtë muaj nga EEI, nënvizon se Evropa Lindore dhe vendet baltike kanë treguar në dy dekadat e fundit një aftësi fenomenale për ta kthyer kurbën negative të ekonomisë në një shans për rritje dhe zhvillim.
“Recesioni nuk përfaqëson thjesht një krizë financiare, por gjithashtu një proces të vazhdueshëm globalizimi”, - shpjegon znj. Sanandaji në studimin e saj me titull “Evropa Lindore dhe Qendrore – Vala e dytë e reformës dhe suksesit”, botuar nga EEI këtë muaj.
Sipas saj, sot është dita e vendeve europerëndimore që të mësojnë nga fqinjët e tyre lindorë: të kuptojnë se si taksat e ulëta dhe të sheshta stimulojnë zhvillimin dhe reduktojnë pengesat burokratike, duke forcuar njëkohshëm konkurencialitetin në rrafsh ndërkombëtar.
“Kur recesioni të shndërrohet në një moment zhvillimi, konkurrenca globale për vende pune do të shtrëngohet. Sistemi konkurrues i taksave në Lindje do të jetë më i gatshëm të ristrukturohet dhe të krijojë vende të reja pune, krahasuar me sistemin e taksave të larta në Perëndim”, - shkruan studiuesja Nima Sanandaji.
Konkurrenca mes vendeve të rajonit për taksa të ulëta ka nisur dhe në fakt ajo është e pranishme në çdo kënd të globit, përfshi vende si Meksika apo Vietnami.
Të vetmet taksa që janë rritur në rajon, kanë qenë taksa konsumi.
Kjo ka prodhuar tashmë një seri rezultatesh.
Sllovakia p.sh. ka dyfishuar industrinë e makinave gjatë vitit 2007. Kompani makinash nga Evropa dhe Azia u instaluan në këtë vend, i cili është sot eksportuesi më i madh i makinave për kapital në botë.
Polonia provoi se ishte një mikpritës jo vetëm për kompanitë teknologjike perëndimore, por edhe për ato aziatike. Në një kohë të shkurtër Polonia u bë qendra botërore e prodhimit të monitorëve LCD. Po ashtu, pas Italisë, Polonia është vendi më i rëndësishëm në prodhimin e elektro-shtëpiakeve.
Ka kohë që Lindja e ka tejkaluar barcaletën me konkurrencën që do të bënin hidraulikët polakë dhe call-centers estonianë.
Është koha që qeveria shqiptare të kuptojë se duhen instaluar sa më parë zonat e lira pa taksa - të cilat janë paralajmëruar deri më tani si zona industriale, për t’i dhënë vendit një avantazh të ri konkurrues.
Të gjithë këta hapa kërkojnë sigurisht uljen e informalitetit dhe luftën pa mëdyshje ndaj evazionit fiskal. Zbatimi i ligjit është kusht sine qua non i zhvillimit të qëndrueshëm në ekonominë e tregut.
Jam i qartë se të gjithë e kuptojmë rëndësinë e ruajtjes së një profili rritës të ekonomisë kombëtare. Ky tipar do të na mbajë gjithsesi brenda radarit të investitorëve potencialë, të cilët jo gjithmonë kanë nevojë për burime të lira parash, por nuk bëjnë asnjë hap pa pasur besimin e plotë në mjedisin ekonomik të një vendi tjetër, ku zhvillimi linear politik dhe prirja e qëndrueshme e reformës bëhen premisa për zhvillim eksponencial ekonomik dhe për rezultate.